A duhet të thuhen lutjet kuranore në teshehudin e parë, apo veç në të fundit (para selamit)?

A duhet të thuhen lutjet kuranore në teshehudin e parë, apo veç në të fundit (para selamit)?

Në këtë pikë ka mospajtime mes dijetarëve. Shejkh Albani ka mendimin se edhe në teshehudin e parë lejohet thënia e duave dhe për këtë sjell disa argumente. Dijetarët e tjerë kanë thënë se nuk thuhen lutjet në teshehudin e parë. Pastaj dijetarët kanë mospajtime se në teshehudin e parë a thuhet veç etehijati apo edhe salavatet. Shumë prej dijetarëve thonë se thuhet veç etehijati, pa salavatet, dhe sjellin një hadith në të cilin tregohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qëndruar në teshehud shumë pak, si një njeri që është i ulur në një gurë të nxehtë. E nga kjo kuptohet se ai nuk ka thënë më gjatë sesa etehijatin (së bashku me shehadetin), ngase ai që qëndron në një gurë të nxehtë qohet shpejt. E nuk thuhet edhe për atë njeri që i thotë edhe salavatet se mund të qëndrojë në një gurë të nxehtë derisa t’i kryen ato. Dijetarët e tjerë dhe shejkh Albani, të cilët e kanë mendimin se thuhen salavatet në uljen e parë, sjellin argument Fjalën e Allahut: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, edhe ju çoni salavate dhe selam!” Ahzab 56. Sahabët pyetën: “Ne e kuptuam selamin si është…”, është fjala për etehijatin në namaz (ngase në të ne themi esselamu alejke ejuhen nebiju ue rahmetullahi ue berekatuhu), “…mirëpo, si janë salavatet?” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ua mësoi salavatet ibrahimije (që i themi pas etehijatit). Andaj, nga kjo kuptojmë se ky ajet kuranor ka zbritur për teshehudin. Nëse në teshehudin e parë çon selame, atëherë duhet të dërgosh edhe salavate. Kështu po kuptohet prej këtij ajeti, Allahu e di më së miri se cili është mendimi më i saktë. Ndërsa sa i përket lutjeve kuranore, siç ka ardhur pyetja, nuk ka argument se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë lutje kuranore, qoftë në teshehudin e parë apo të dytë. Ai i ka thënë disa lutje, të cilat janë të transmetuara, shembull: kërkimi i mbrojtjes prej katër gjërave (dënimit të xhehenemit, dënimit të varrit, sprovës së jetës dhe vdekjes dhe sprovës së Dexhallit), dhe lutje të tjera. Atë që e thamë më lartë është për lutjet që janë të transmetuara nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Nëse personi i thotë ato në teshehudin e parë lejohet, mirëpo më mirë është të mos i thotë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.