Cilësitë e bashkëshortës së mirë (11-12)

 

Cilësia e njëmbëdhjetë: Të mos shpenzojë tepër

Gruaja nuk duhet ta lodhë e mundojë burrin e saj sa i përket shpenzimit. Ajo nuk duhet ta shpenzojë në mënyrë të tepërt pasurinë e burrit të saj duke e shpërdoruar (bërë masraf). Allahu kur përmend cilësitë e besimtarëve të mirë thotë: “…dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes…” Furkan 67. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem një ditë ka mbajtur një ligjëratë dhe aty ka përmendur disa çështje të kësaj bote dhe botës tjetër, pastaj ka sjellë një ngjarje të ndodhur te beni izrailët: “Fillimi i shkatërrimit të beni izrailëve ka filluar atëherë kur gratë e të varfërve kanë filluar të kërkojnë shpenzime prej burrave të tyre ashtu siç kanë shpenzuar pasanikët për gratë e tyre (veshje, stoli, zbukurime etj.).”

 

Cilësia e dymbëdhjetë: Të mos i mohojë mirësitë e burrit ndaj saj

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Nuk e ka falënderuar Allahun ai që nuk i falënderon njerëzit.” Në një hadith tjetër tregohet se ai salAllahu alejhi ue selem u ka thënë disa grave: “Keni kujdes të mos i mohoni të mirat e bamirësve!” E kanë pyetur se si ndodh kjo e ai ka thënë: “Ka mundësi që ndonjërës prej jush t’i shtyhet martesa, për shkak të prindërve të saj, pastaj ia mundëson Allahu të martohet me një burrë dhe e furnizon edhe me fëmijë, pastaj ajo zemërohet dhe i mohon të mirat e tij e i thotë: “S’kam pasur kurrfarë të mire prej teje kurrë!” Buhariu. Po ashtu në një hadith ka thënë: “Allahu nuk e shikon një grua e cila nuk është mirënjohëse (falënderuese) ndaj burrit të saj përderisa ajo është nevojtare për të.” Nesaiu.

Hoxhë Lulzim Perçuku – 📼 Dersi “Cilësitë e bashkëshortës së mirë”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit