Cilësitë e bashkëshortës së mirë (15-16)

Cilësia e pesëmbëdhjetë: Qëndrimi në shtëpi

Cilësi tjetër e gruas së mirë është se duhet të qëndrojë në shtëpinë e saj. Nuk duhet të jetë prej atyre që vazhdimisht del e hyn. Nëse del për ndonjë nevojë e domosdoshmëri, atëherë nuk duhet të dalë e stolisur, e pafumosur etj. Po ashtu kur del, duhet ta ulë shikimin dhe ta ruajë nderin e saj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gruaja është avret. Kur del prej shtëpisë së saj, shejtani e bën objektiv të tij. Dhe ajo në asnjë gjendje (vend) nuk është më afër Zotit të saj sesa kur qëndron në shtëpinë e saj.” Tebaraniu. Kur qëndron në shtëpi, është në adhurim të plotë dhe më afër Allahut. E kur del, shejtani përmes saj mundohet të fusë joshje e fitne në mesin e njerëzve që të shkatërrohet shoqëria.

 

Cilësia e gjashtëmbëdhjetë: Të mos përhapë sekretet e burrit

Gruas nuk i lejohet të përhapë sekretet e fshehtësitë e burrit të saj, gjërat që janë të veçanta mes saj dhe burrit të saj, edhe atëherë kur mes tyre nuk ka harmoni apo kur martesa vjen deri te ndarja. Duhet ta ketë frikë Allahun në këtë aspekt. E njëjta gjë vlen edhe për burrin. Një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem u thotë disa prej burrave dhe grave: “Ndoshta ndodh që në mesin tuaj ka prej burrave që tregon se çfarë ka vepruar me gruan e tij dhe ka ndonjë grua që tregon se çfarë ka vepruar me burrin e saj.” Kjo gjë më së shumti ndodh në mesin e grave, kur janë me shoqet, me koleget etj. Nuk u kushtojnë kujdes kësaj gjëje, e shohin si të lehtë. Dhe pastaj u ka thënë: “Mos veproni kështu (ndalohet). Kush vepron kështu, është njëjtë si shembulli i shejtanit i cili bën marrëdhënie intime me një shejtane në rrugë në mesin e njerëzve dhe ata shikojnë.” Ahmedi.

Hoxhë Lulzim Perçuku – 📼 Dersi “Cilësitë e bashkëshortës së mirë”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit