Cilësitë e bashkëshortës së mirë (3)

Cilësia e tretë:

Përpjekja që ta gëzojë burrin e saj

Gruaja duhet që vazhdimisht të mundohet e të kujdeset që ta gëzojë burrin e saj, të fusë gëzim, hare e lumturi në zemrën e tij, sidomos atëherë kur ai e shikon. Sa herë që e shikon, ai duhet të shohë një pamje tek ajo (fytyrë, trup e rroba) e cila e gëzon dhe fut lumturi në zemrën e tij. Ajo ka për detyrë dhe obligim të përpiqet në realizimin e kësaj gjëje. E po ashtu duhet vazhdimisht ta trajnojë veten duke e bërë shprehi e zakon bindjen e përgjigjen ndaj urdhrave të burrit, pa treguar kundërshtim, mendjemadhësi, kryelartësi etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:  (Gruaja më e mirë) Është ajo të cilën kur burri e shikon, ai gëzohet, i bindet burrit të saj kur ai e urdhëron dhe nuk e kundërshton atë as në veten e saj e as në pasurinë e saj me gjërat që ai nuk i pëlqen apo nuk i do.”

Gruaja duhet t’i kushtojë rëndësi të madhe kësaj çështjeje (pamjes, rrobave, stolisjes, pastërtisë, largimit të aromës së keqe, heqjes së qimeve nga vendet e turpshme); gruaja të mundohet që ai të shohë një dukje tek ajo e cila e gëzon atë. Po ashtu, sa i përket urdhrave, dëshirave e nevojave të tij, duhet të jetë realizimi i tyre synim i gruas. Shumë prej grave nuk njohin zbukurim veçse atëherë kur dalin nga shtëpitë e tyre, për raste e takime të ndryshme me gratë muslimane (ne jemi duke folur për gruan muslimane e cila kur del jashtë nuk zbukurohet para meshkujve të huaj). E ndërsa në shtëpi me burrat e tyre qëndrojnë me një pamje jo të mirë; e gjen burri me aromë të padëshiruar, me flokë të shprishura, me veshje të vjetërsuar etj. Këto gjëra nuk duhet të jenë te bashkëshortja e mirë muslimane ngase e pengojnë burrin e saj prej saj duke mos dëshiruar t’i afrohet asaj. Sahabijet kanë rregulluar edhe shtëpitë e tyre kur burrat u janë kthyer nga udhëtimi (që t’i gjejnë në formën më të mirë e më të bukur).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Cilësitë e bashkëshortës së mirë”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit