Cilësitë e bashkëshortës së mirë (5-6)

Cilësia e pestë: Të jetë e dashur

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gratë më të mira tuajat janë ato që janë të dashura (الْوَدُود)…” Bejkehiu. Vërtetë ky është një tipar i lavdëruar, të cilin duhet ta ketë bashkëshortja e mirë. Pra, të jetë e dashur, ta dojë burrin e saj dhe sa më shumë të përpiqet që ta fitojë zemrën dashurinë e tij, duke folur fjalë të mira, të bukura, të ëmbla, duke u sjellë mirë e me moral, e po ashtu me dukjen e saj etj.

 

Cilësia e gjashtë: Që lind shumë

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gratë më të mira tuajat janë ato që janë të dashura, që lindin shumë (الْوَلُود)…” Kjo është një cilësi e mirë e i lavdëruar te gruaja, porse nëse ka ndonjë problem shëndetësor apo sëmundje, nuk llogaritet si e mangët apo që është përpjekur për stopimin e lindjeve. Allahu nuk e merr në llogari nëse ajo ka ndonjë arsye sheriatike të ligjshme, dhe kjo nuk e bën që të përjashtohet prej grave të mira. E nëse gruaja është prej atyre që lind, e megjithatë mundohet të ndërpresë lindjen e fëmijëve (shtatzënitë) me gjëra të ndryshme, apo nuk i vazhdon, atëherë në këtë rast kjo e dëmton në besimin e fenë e saj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Martoni ato gra që janë të dashura dhe që lindin shumë, sepse unë do të krenohem me numrin e shumtë tuaj në Ditën e Gjykimit.” Gruaja duhet të mundohet që sa më shumë të sjellë në jetë fëmijë dhe të marrë shkaqet e kësaj, e pastaj t’i edukojë ata në frymën islame.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Cilësitë e bashkëshortës së mirë”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit