Cilësitë e bashkëshortës së mirë (9-10)

 

Cilësia e nëntë: Të mësojë e të marrë dije

Cilësi tjetër e bashkëshortes së mirë muslimane është pajisja sa më shumë me dije rreth sunetit e haditheve, e sidomos haditheve që përmendin cilësitë e nënçmuara te gratë, në mënyrë që të largohet prej tyre (atyre cilësive). Njeriu kur e mëson të keqen, duhet ta mësojë që të mos bie në të e të largohet prej saj; d.m.th. të keqen për të cilën ka paralajmëruar Kurani e suneti. Një nga të parët tanë në fe ka shkruar: “E mësova të keqen jo për ta vepruar, por për t’iu larguar. Kush nuk e njeh të keqen, bie në të.”

 

Cilësia e dhjetë: Të jetë nën shërbim të burrit të saj

Cilësi tjetër e bashkëshortes së mirë është përmbushja e të drejtave të burrit të saj, të mos tregohet neglizhente në këtë dhe të japë maksimumin në shërbimin ndaj tij. Do të ndalemi të meditojmë rreth hadithit që transmetohet te Nesaiu. Një ditë Esma ka shkuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për ta pyetur për një gjë të caktuar e ai i është përgjigjur, pas kësaj e ka pyetur: “A ke bashkëshort?” –“Po.” –“Si je në raport me të?” Atëherë ajo i është përgjigjur: “Nuk tregohem neglizhente dhe e mangët në të drejtat që ka ai ndaj meje përveçse në atë që nuk kam mundësi (aftësi) ta veproj.” –“Shiko (mirë) se si është gjendja jote në raport me të, ngase ai është xheneti ose zjarri për ty!” Kur bashkëshorti bëhet xhenet ose zjarr për gruan e tij? Gruaja duhet të ndalet e ta kuptojë mirë këtë realitet që e ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe t’ia kujtojë vazhdimisht vetes këtë pyetje: “Si je në raport me të?” Ta çojë ndërmend këtë pyetje, sikur me të Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem po i drejtohet asaj. Kjo është një çështje shumë madhore për të cilën ka tërhequr vërejtjen ai salAllahu alejhi ue selem. Pra, gruaja ka obligime e detyra ndaj burrit, të cilat duhet t’i përmbushë. Kur ajo i kryen në mënyrë të plotë, atëherë burri i saj do të jetë xheneti i saj. E nëse është e mangët e neglizhente duke mos i çuar në vend ato, ai do të jetë zjarri i saj, pra shkaku i kësaj ajo do ta marrë dënimin e Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku – 📼 Dersi “Cilësitë e bashkëshortës së mirë”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit