Sinqeriteti për Allahun (ikhlasi)

Sinqeriteti për Allahun (ikhlasi)

 

Prej metodave me të cilat përmirësohet zemra jonë është edhe sinqeriteti, pra që veprat dhe adhurimet të kryhen sinqerisht për Allahun. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë tri tipare prej të cilave zemra e besimtarit kurrë nuk duhet të ketë mëri: veprat t’i kryejë sinqerisht (me ikhlas) për Allahun, këshillimi ndaj udhëheqësve dhe t’i përmbahet xhematit…” Ahmedi. Kushdo që iu përmbahet këtyre do ta pastrojë zemrën prej mashtrimit, tradhtisë, sherrit dhe dashakeqësisë ndaj të tjerëve dhe prej sëmundjeve që godasin zemrat.

Kur njeriu është i sinqertë për Allahun, atëherë ky sinqeritet do ta pengojë që në zemrën e tij të ketë urrejtje, mëri, zili etj. Madje, ky sinqeritet i nxjerrë këto gjëra prej zemrës së tij. Arsyeja është se kur dëshirat e synimet i drejton kah Allahu, e jo kah krijesat, atëherë nuk mbetet në zemrën e tij vend për këto gjëra (që përmendëm). Ikhlasi është të posedosh qëllim dhe nijet të sinqertë e të vërtetë për Allahun apo në raport me Atë. Nijeti vendin e ka në zemër, andaj nëse e përmirëson nijetin/qëllimin duke e bërë të vërtetë në raport me Allahun, atëherë ai do të ndikojë të të përmirësohet zemra.

Ne duhet të jemi të sinqertë në:

kërkimin e dijes, hadith: “Kush kërkon dijen (fetare) që të arrijë pozitën e dijetarëve, apo të polemizojë me mendjelehtit, apo të kthejë fytyrat e njerëzve kah ai (ta respektojnë e nderojnë), atë Allahu do ta fusë në xhehenem.”

në adhurimet tona, “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.” Bejjine 5.

në të gjitha çështjet tona të jetës, hadith: “Jepua lajmin e gëzueshëm këtij umeti se do të kenë ngritje (lartësim) nga Allahu në këtë botë, do t’ua forcojë fenë e do t’u japë pushtet në tokë! E çdokush që me veprat e ahiretit (adhurimet) punon për këtë botë, nuk do të ketë hise në ahiret.” Pra, kur nuk është i sinqertë.

Përfitimet për njeriun kur tregohet i sinqertë:

  • Pastrimi i zemrës (prej të gjitha llojeve të sëmundjeve të cilat godasin shumicën e njerëzve).
  • Bekime prej Allahut, Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka…” 96.
  • Shpëtim nga brengat e shqetësimet (hadithi i tre personave të ngujuar në shpellë, secili ka kërkuar afrim tek Allahu përmes veprave të bëra sinqerisht).
  • Arritja e shefatit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, “Njeriu më i lumtur që do të arrijë shefatin tim në Ditën e Gjykimit është ai i cili thotë La ilahe ilAllah sinqerisht prej zemrës së tij.”
  • Strehimi në hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Gjykimit (ato shtatë kategori i kanë bërë ato vepra me sinqeritet).
  • Shpëtimi prej dënimit të zjarrit dhe futja në xhenet, “E do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi (që ruhet nga gjynahet), që e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit.” Lejl 17-20.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit