21. Këshilla të dobishme

 

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Hyra në Xhenet dhe dëgjova lexim të Kuranit, andaj pyeta: “Kush është ky? “Harithe ibn En-Nu’man” – më thanë. Kështu shpërblehet bamirësia, kështu shpërblehet bamirësia.” (Es-Sahiha, 913). Ai ishte prej njerëzve që sillej më së miri me nënën e vet.

 

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa herë që zemrën tënde e kaplon pakujdesia dhe shpirti të lidhet pas jetës së kësaj bote, dil te varrezat, pastaj mendo thellë rreth atyre njerëzve që deri dje ishin sikur ti duke jetuar mbi tokë, duke ngrënë e pirë, e duke u kënaqur. Ndërsa tani, ku vajtën?! Tani ata janë peng të veprave të veta. Asgjë nuk mund t’iu sjellë dobi, përveç veprave të mira që i kanë bërë. Ashtu siç na tregoi i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: pasuria, familja dhe vepra e tij. Dy kthehen dhe me të dhe mbetet vetëm njëri; kthehen familja dhe pasuria e tij, ndërsa mbetet vepra që e ka bërë.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 3/473).

 

  • Thirrje

Vërtetë që kalimi i netëve e i ditëve na përkujton se, jetëve tona po u vjen fundi dhe se dalëngadalë po afrohet koha kur do të dalim para Allahut. Andaj, njeriu i mençur nuk mbështetet në rehatinë dhe qetësinë e jetës së tij dhe nuk mashtrohet me të mirat e shumta në veten, pasurinë e në familjen e tij, por vazhdimisht nxitë ambiciet dhe shton veprat e mira; qan për gjynahet dhe moskryerjen e detyrimeve ndaj Allahut.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Aspiratat e njeriut tregojnë për ambicien e tij të lartë apo të ulët.” (Medarixh Es-Salikin, 3/94).

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Përkuluni (në ruku) dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin.” (El-Haxhxh, 77).

 

  • Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Përderisa je në namaz, ti je duke trokitur në derën e Mbretit (Allahut); dhe kush e shpeshton trokitjen në derën e Tij, së shpejti pritet t’i hapet.” Musannef ibn Ebi Shejbe.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Është më mirë dhe më e dobishme për zemrën të lexosh një ajet me meditim e kuptim, sesa një hatme pa meditim e kuptim.” (Miftah Dar Es-Se’adeh, 1/553).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu duhet të caktojë për çdo ditë një pjesë të Kuranit për lexim dhe ta ruaj atë, në mënyrë që të mos i ikën koha pa lexuar.” Nurun ala Ed-Derb, 227.

 

  • Ebu Bekri (radijAllahu anhu) thoshte: “Vërtetë, Allahu i fal mëkatet e mëdha, anda, mos i humbni shpresat. Mirëpo, ndëshkon për mëkatet e vogla, andaj, mos u mashtroni!” Sherh El-Buharij, ibn Bettal, 19/267.

 

  • Imam Junus ibn Ubejd (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej moralit të brezave të parë të muslimanëve ishte leximi i shpeshtë i Kuranit.” (Musannef ibn Ebi Shejbe, 8561).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e njeh Allahun e pastaj ia kthen shpinën, prej tij largohen gëzimet e lumturitë dhe rrethohet nga dhimbjet e pikëllimet. Ai bëhet një kufomë që ecën mbi tokë.” (Tarik El-Hixhratejn, 180).

 

  • Në veprën e imam Malikut “El-Muvetta” përcillet se ‘Ata ibn Jesar (Allahu e mëshiroftë) xhamisë i thoshte “tregu i botës tjetër”. Imam ibn AbdulBerri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Këtë kuptim e nxori nga fjala e Allahut: “Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një tregti që nuk do të humbasë.” (Fatir, 29).

 

  • Sehl Et-Tusterij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bazat tona (të muslimanëve) janë gjashtë:
  1. Të kapurit fort pas Kuranit dhe Sunetit,
  2. Ngrënia e gjërave të lejuara (hallall),
  3. Mosdëmtimi i të tjerëve,
  4. Largimi nga mëkatet,
  5. Pendimi,
  6. Dhënia e të drejtave atyre që u takojnë ato.” (Hiljetu El-Evlija’, 1/10).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu i kthehet mëkatit për shkak të mbetjeve që i ka në zemër. Andaj, kujt i del nga zemra dyshimi dhe epshi, nuk i kthehet mëkatit. Dhe pikërisht ky është pendimi i sinqertë.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 16/58).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan:

   Namazi:

– e shton riskun,

– e ruan shëndetin,

– mbron nga të këqijat,

– i largon sëmundjet,

– i sjell gëzim shpirtit,

– e largon përtacinë,

– e hap gjoksin,

– e ndriçon zemrën,

– sjell bereqet.” (Zad El-Me’ad).

 

  • Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) tregon: “Kur ndonjëri prej nesh (sahabëve) i mësonte përmendsh dhjetë ajete të Kuranit, nuk kalonte tek të tjerat, derisa t’i kuptonte mirë dhe të punonte me to.” (Tefsir Et-Taberij, 1/80, Tefsir ibn Kethir, 1/8).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Liria e vërtetë është kryerja e bindjeve ndaj Allahut të Madhërishëm, e jo që njeriu ta lirojë veten për të vepruar çdo të keqe që e dëshiron.” (Sherh El-Erbe’in En-Nevevijje, 23).

 

  • Ka’bi (radijAllahu anhu) thotë: “Kini kujdes nga bartja e fjalëve, sepse ai që e bën një gjë të tillë nuk rehatohet nga dënimi i varrit!” (Dhemmu El-Gibeti ue En-Nemimeh, ibn Ebi Ed-Dunja, 134).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit