Obligimet e gruas – 1 – E drejta e madhe e burrit

1. E DREJTA E MADHE E BURRIT

a) Epërsia e burrit ndaj gruas
Allahu (subhanehu ue teala) e ka caktuar burrin si kryefamiljarin e zakonshëm të familjes:

“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që Allahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës. E ato që keni dro kryelartësisë së tyre, këshilloni, madje
largohuni nga shtrati (e më në fund), edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. Allahu është më i larti, më i madhi.” (Nisa, 34).

Ibën Kethiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, gjatë komentit të këtij ajeti thotë: ”Burri është kujdestari i gruas, ai është mbikëqyrës i saj, prijës, udhëheqës dhe, ai i cili e korrigjon atë, nëse ajo devijon.”

Kjo i jep burrit një përgjegjësi të madhe në mbajtjen e familjes dhe e kualifikon atë për disa të drejta, të cilat duhet t’i kthehen atij nga anëtarët e tjerë të familjes, e mbi të gjithë, nga gruaja e tij. Kjo është epërsia mbi gruan që Allahu i ka caktuar burrit, ashtu siç thotë Ai (subhanehu ue teala):
”… Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. Allahu është i Gjithfuqishëm, i Urtë.” (Bekare, 228)

Duhet të kuptohet se kjo gradë është gradë përgjegjësie, para se të jetë gradë bindjeje e respekti. Burri e fiton këtë gradë duke e merituar me të vërtetë besimin që Allahu (subhanehu ue teala) i ka dhënë dhe e humb këtë gradë duke e neglizhuar këtë besim që i është dhënë.

b) Nënshtrimi ndaj autoritetit të burrit

Siç e cekëm më sipër, Allahu (subhanehu ue teala) i ka ndarë përgjegjësitë dhe detyrat brenda familjes dhe burrin e ka bërë autoritetin kryesorë. Gruaja nuk duhet ta mohojë apo sfidojë këtë autoritet. Përkundrazi, ajo duhet ta pranojë atë në përmbushje të urdhrave të Allahut. Ajo duhet ta shoh nënshtrimin e saj ndaj autoritetit të burrit, si nënshtrim ndaj caktimit të Allahut. Ky nënshtrim duhet të arrijë pothuajse gradën e përuljes ndaj burrit. Aisha, Ebu Hurejre, Muadhi dhe Burejde, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë transmetuar se Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

”Sikur të urdhëroja dikë t’i përulej dikujt tjetër, do ta urdhëroja gruan t’i përulej burrit”. Transmetuar nga Tirmidhiu, Ahmedi, Hakimi, dhe Ibën Maxhe. U verifikua si i saktë nga Albani ”Irvaul-Galil” 1998,” Sahihul Xhami” 5239, 5294.

Siç u cek më sipër, bindja e gruas ndaj burrit të saj është pjesë e bindjes së saj ndaj Allahut. Andaj, respektimi i këtyre të drejtave është pjesë e përmbushjes së të drejtave të Allahut. Abdullah Ibën Ebi Eufa ka transmetuar se Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: ”Sikur të urdhëroja dikë t’i përulej dikujt tjetër përveç Allahut, do ta urdhëroja gruan t’i përulej burrit. Për Atë, në duart e të cilit është shpirti i Muhammedit, një grua nuk konsiderohet se ka plotësuar të drejtën e Allahut, derisa të mos ketë plotësuar tërësisht të drejtën e burrit e, për më tepër, edhe nëse ai e kërkon atë për veten kur ajo është duke ngarë devenë, ajo nuk duhet të refuzojë.” Transmetuar nga Ahmedi, Ibën Maxhe, dhe Ibën Hibbani. Vlerësuar si i mirë nga Albani ”Irvaul-Galil” 1998 ,”Sahihul Xhami” 5295.

c) Dëshira dhe vullneti i plotë për shërbim dhe mirëkuptim

Gruaja duhet të demonstrojë pranimin e autoritetit të burrit duke treguar dëshirë dhe vullnet t’i shërbejë atij me mundësitë më të mëdha që ka. Muadh Ibën Xhebel, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka transmetuar se Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë:

”Sikur gruaja ta dinte të drejtën e burrit të saj, ajo nuk do të ulej gjatë kohës kur ai han drekën apo darkën, derisa ai të përfundojë së ngrëni”. Transmetuar nga Taberani dhe El Bezari. Vlerësuar si i saktë nga Albani në ”Sahihul Xhami” 5259.

Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e sqaron vullnetin dhe dëshirën absolute të gruas për shërbim dhe nënshtrim ndaj autoritetit të burrit në një hadith, i cili mund t’i duket i neveritshëm dikujt. Ebu Seid el Hudri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka transmetuar se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ”E drejta e burrit mbi atë të gruas është e tillë që, sikur të kishte burri ulçerë dhe kjo ta lëpinte atë, prapë ajo nuk do ta përmbushte të drejtën e tij”. Transmetuar nga Hakimi, Ibën Hibbani dhe të tjerë. Vlerësuar si i saktë nga Albani ”Sahihul Xhami” 7725.

Po ashtu Enesi Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka transmetuar se Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kanë thënë: ”Nuk i lejohet një njeriu t’i përulet një njeriu tjetër. Sikur t’i lejohej njeriut t’i përulej një njeriu tjetër, unë do ta urdhëroja gruan t’i përulej burrit për shkak të së drejtës së tij të madhe ndaj saj. Për Atë, në duart e të cilit është shpirti im, nëse ai (burri) të ishte me ulçerë prej majës së këmbëve deri te maja e kokës, e cila i rrjedh gjak dhe qelb dhe kjo ta lëpinte atë prej tij, ajo nuk do ta përmbushte të drejtën e tij.” Transmetuar nga Ahmedi dhe Nesaiu. Vlerësuar si i saktë nga Albani ”Sahihul Xhami” 7725.

Ky përshkrim e thekson të drejtën e madhe të burrit ndaj gruas e, për më tepër, edhe nëse ajo do të ishte e aftë të kryente një vepër aq të neveritshme, siç u përshkrua këtu, ajo prapë nuk do ta përmbushte të drejtën e tij. Me fjalë të tjera, zakonisht shumica e grave nuk i përmbushin të drejtat e burrit.

d) A është burri më i mirë?

Njeriu mund të pyesë veten, “çfarë ka kaq madhore te burri, që gruas t’i kërkohet të bëjë vepra kaq heroike dhe të pamundura, për ta kënaqur atë?”. Për t’u përgjigjur në këtë pyetje, fillimisht duhet t’i kuptojmë këto parime:

1. Të drejtat e rezervuara për burrin janë të nevojshme për ekzistimin e një familje paqësore dhe të frytshme.

2. Hadithet e mësipërme, kanë për qëllim njeriun i cili i përmbush të gjitha detyrat e tij si burrë dhe kryefamiljar. Ai vazhdimisht i ofron gruas së tij dhe fëmijëve udhëzim, mbrojtje, mbështetje, edukim, e kështu me radhë. Neglizhimi i ndonjë prej këtyre do ta zvogëlonte proporcionalisht të drejtat e tij mbi gruan. 4

3. Pasi burri t’i përmbushë të drejtat e tij ndaj gruas, siç u cek më sipër, ai bëhet ndihmës i vërtetë, i cili meriton plotësisht falënderimin dhe mbështetjen e saj.

Andaj, të drejtat e burrit jo domosdoshmërish thonë se ai është më i mirë se gruaja. Ai nuk është i ndonjë statusi më të lartë, apo lloji. Të dy vijnë nga Ademi (alejhi selam) dhe Ademi është nga dheu. Devotshmëria dhe ndershmëria janë ato që tregojnë se cili është më i mirë se tjetri. Të drejtat e tij janë caktuar nga Allahu për të siguruar mirëqenien dhe suksesin në raportet e tyre dhe të familjes. Edhe pse zakonisht gruaja është e varur nga burri në strukturën familjare, ajo mund të jetë më e mirë se ai në sytë e Allahut, posaçërisht kur ajo i përmbush obligimet e saj në mënyrë të tillë që e kënaq Allahun (subhanehu ue teala).

 

Kjo temë është shkëputur nga libri: “Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes ashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze.

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit