Dispozita e sekrecioneve të bardha tek femrat

Dr. Rukajjeh bint Muhammed El-Muharib

(profesor asistent në “Fakultetin e Edukimit” – Riad)

[Shejh Uthejmini e shqyrtoi këtë studim dhe u pajtua me përmbajtjen e tij duke shkruar me dorën e tij: “E kam shqyrtuar këtë (studim) dhe kam vërejtur në të argumentin më të fuqishëm se sekrecionet (e bardha) nuk e prishin abdesin. Në parim abdesin nuk mund ta prish një gjë e caktuar derisa të kemi ndonjë argument i cili vërteton të kundërtën.”]

Vërtet, falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të ligat e shpirtit tonë dhe punët tona të këqija. Kë e udhëzon Allahu nuk ka humbës për të dhe kë e humb nuk ka udhëzues për të. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Çështjet e pastërtisë janë prej gjërave që femrave iu ngatërrohen dhe janë në mëdyshje, dhe shpeshherë bien në vesvese dhe gabime, ose për shkak të injorancës, ose për shkak të mosinteresimit / moskujdesit.

Megjithëkëtë, shumica e pyetjeve dhe interesimi më i madh tek femrat është rreth çështjeve të menstruacioneve, istihadasë (çrregullimit menstrual) dhe lehonisë; e kjo pa dyshim kërkon studim dhe hulumtim, pasi që shumica e këtyre çështjeve janë të shënuara si në librat e mëhershme, po ashtu edhe në ato të mëvonshme, dhe për këto çështje ka aq shumë argumente sa që i sqarojnë ato e nuk lënë asnjë dyshim në zemër, për aq kohë sa ato janë të bazuara në prova të vërteta sheriatike. Ajo që duhet theksuar është se shumë prej pyetje të femrave në këtë kohë janë rreth sekrecioneve (menstruacioneve të bardha) që dalin nga organi gjenital. Prandaj, vazhdimisht pyesin a janë ato papastërti, si dhe a e prishin abdesin nëse rrjedhin (jashtë organit gjenital). Falënderoj Allahun i Cili hapi kraharorin tim që të shkruaj për këtë temë, sidomos, pasi ja kam paraqitur çështjen shejh Albanit, Allahu e mëshiroftë, para dhjetë viteve, kur ai u pajtua me mua dhe e përkrahi mendimin që unë kam zgjedhur.

Rëndësia e temës

Çdo besimtare ka nevojë ta njoh këtë çështje, për shkak se është një gjë që i prek të gjitha femrat, sepse kjo është natyra në të cilën Allahu i ka krijuar ato, dhe as nuk konsiderohet sëmundje, as turp, por as diçka që ndodh rrallë! Sepse sipërfaqja (e brendshme) e organit gjenital, si çdo sipërfaqe tjetër mukozës në trup, duhet të mbetet e njomë (e lagësht), edhe pse sasia e sekretimit nuk është e njëjtë tek të gjitha femrat (pra, ndryshon prej njërës tek tjetra). Por, thënia se ky sekrecion është prezent vetëm te disa femra, kurse te disa jo, nuk është e vërtetë. Ajo që i prek disa femra e disa jo është sekretimi jo normal që quhet rrjedhje e bardhë. Kjo lloj rrjedhje është e shoqëruar me kruajtje, erë të keqe dhe nganjëherë është e përzier me qelb, apo është e përgjakur, apo ka ngjyrë të verdhë.

Shkaku tjetër është se femra është e obliguar të jetë e pastër që ta kryej faljen e namazit. Atëherë, patjetër i duhet ta dijë dispozitën e këtij sekrecioni. Në qoftë se ajo nuk e njeh dispozitën e këtij sekrecioni ndoshta e përsërit abdesin disa herë, ndoshta bie në vesvese, dhe ndoshta përsërit namazin fare. Për këtë duhet ditur vendimi (Islam) për këto sekrecione, përmes argumenteve sheriatike dhe duke u bazuar në parimet e selefëve tanë të mirë.

Prej trupit të femrës, me përjashtim të organeve gjenitale, dalin disa sekrecione si: qurrat, pështyma, loti, djersa. Kurse, prej kanalit të urinës dhe anusit dalin disa sekrecione / lëndë që janë të ndyta dhe e prishin abdesin.

Organi gjenital i femrës i ka dy kanale: kanalin e urinës dhe kanalin e lindjes i cili është i lidhur me mitrën.

Dispozita e sekrecioneve që dalin nga mitra e femrës – a janë ato të ndyta?

Sekrecionet e bardha që dalin prej femrës nuk dalin nga kanali i urinës, por, dalin nga një kanal tjetër që është i lidhur me mitrën. Ato, po ashtu, nuk dalin nga mitra por sekretohen nga disa gjëndra që gjinden në kanalin vaginal. (Pra, sekrecionet e bardha nuk janë të ndyta. Dhe sikur të ishin të ndyta dijetarët do ta obligonin pastrimin prej tyre. Ky sekrecion është sikurse sekrecioni i gojës, i hundës dhe sikur djersa që del prej trupit).

Terxhih (mendimi më i saktë për vendimin rreth sekrecioneve të bardha)

Për sekrecionet e bardha nuk ekziston provë e qartë në të cilën mund të thirret njeri. Këto sekrecione (mund të) dalin në çdo moment pa ndonjë motiv i cili e detyron guslin apo abdesin, e që mund të jetë epshi, qoftë i dobët apo i fortë.

Sekrecionet (e bardha) që dalin prej femrës më së shumti ngjajnë me djersën, qurrat, pështymën, dhe krahasimi i sekrecioneve të bardha me këto është më i drejtë. Kam hulumtuar në librat e hadithit dhe nuk kam gjetur ndonjë argument që përcakton ndyrësinë e këtyre sekrecioneve, qoftë hadith merfu’ apo meukuf . Dhe këtë nuk e ka thënë asnjëri nga sahabet, as nga tabii’nët dhe as nga etbau’-tabii’në . Ndërkaq, argumentet që tregojnë pastërtinë e tyre janë të shumta:

Së pari: Gjërat në parim janë të pastra, përveç nëse vjen ndonjë argument dhe dëshmon të kundërtën. Me këtë parim ka argumentuar shejhul-Islam Ibën Tejmije për pastërtinë e spermës, dhe thotë: “Në esencë gjërat janë të pastra dhe një gjë të caktuar duhet ta gjykojmë si të pastër derisa të vijë ndonjë argument që na detyron të themi se është e ndytë. Ne kemi hulumtuar dhe kemi kërkuar por nuk kemi gjetur asgjë për këtë. E po ashtu dihet se, çdo gjë që është e pa mundur të ruhemi nga kontakti me të është e falur”.

Them (autorja): Kjo njësoj vlen edhe për sekrecionet (e bardha), bile për to kjo dispozitë është edhe më e nevojshme. Sperma del në raste të njohura dhe nëse është e mundur të ruhet prej saj (përlyerjes me të), me gjithë vështirësitë ekzistuese në kohën kur rrobat dhe mbulesat ishin të pakta, atëherë është e pa mundur të ruhesh nga sekrecionet e bardha (përlyerja me to) edhe nëse rrobat e mbulesat janë me bollëk. Si mund të paramendohet që Ligjvënësi ta urdhërojë femrën të ruhet nga këto sekrecione, ndërsa ajo preket më shpesh prej tyre (se mashkulli prej spermës) dhe nuk e di se kur i rrjedhin ato, as në bazë të epshit, as me diç tjetër?! Ndoshta i rrjedhin duke qenë në gjumë, apo duke qenë e angazhuar me diçka, dhe nuk i ndjen. Ato mund të jenë në masë të vogël, por edhe mund të jenë shumë. Atëherë, të ruhet nga kontakti me to është më i vështirë (sesa nga sperma), dhe të mos merret në përgjegjësi për to është më primare.

Së dyti: Sikur sekrecionet (e bardha) të ishin të ndyta, atëherë i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, do t’ua sqaronte këtë gjë grave dhe vajzave të veta, si dhe grave të besimtarëve. Sikur pastërtia e sekrecioneve (të bardha) të ishte e panjohur për to, ato do të pyesnin. Nga se ato nuk i pengonte turpi për të kuptuar fenë, dhe ishin më të etura (të kujdesshme) për fe sesa ne. A thua gratë e kohës sonë janë më të kujdesshme sesa ato? Dhe nuk mund të thuhet se: Ato e dinin se këto sekrecione janë të ndyta dhe për këtë nuk bënë pyetje. Një gjë e tillë nuk është transmetuar deri tek ne. Bile ato bënin pyetje për çrregullimin menstrual, për lëngun e verdhë (sufrah), për lëngun ngjyrë kafe / të errët (kudrah), për ejakulimin në gjumë, edhe pse ndyrësia e tyre është më e njohur dhe më e qartë, për shkak cilësive të përbashkëta që kanë me menstruacionet.

Së treti: Është vërtetuar se gratë e sahabeve nuk ruheshin nga sekrecionet (e bardha) dhe nuk i pastronin rrobat e tyre përveç prej gjërave që e dinin se janë të ndyta. Këtë e argumenton hadithi që e transmeton imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në Kaptinën e menstruacioneve (Nënkapitulli: Pastrimi i gjakut të menstruacioneve): Transmetohet nga Esma të ketë thënë: Një grua e pyeti të Dërguarin, salallahu alejhi ue selem: O i Dërguari i Allahut, kur ndonjëra prej nesh vëren (sheh) se petku i saj është prekur nga gjaku i menstruacioneve, çfarë të bëjë? I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, tha: “Kur petku i ndonjë gruaje bie në kontakt me gjakun e menstruacioneve le ta fërkojë, pastaj le ta lajë me ujë, mandej le të falet në të”. Ato nuk linin pa pyetur për gjakun që prekte rrobat, duke mos iu mjaftuar njohja mëparshme që kishin rreth dispozitës së menstruacioneve dhe ndyrësisë së tyre. Atëherë, si ka mundësi të mos pyesnin për sekrecionet (e bardha) të cilat prekin rrobat. Sikur ato (gratë e sahabeve) të ruheshin prej këtyre sekrecioneve, apo të kishin ndonjë dyshim në vetveten e tyre për pastërtinë e tyre, do të bënin pyetje rreth mënyrës së pastrimit të tyre.

Është e njohur se gratë e sahabeve nuk kishin prej rrobave përveç atyre që kishin veshur, pra nuk kishin rroba të veçanta për namaz që t’i ruajnë nga sekrecionet (e bardha) të cilat rridhnin për gjatë gjithë ditës. Atëherë, ai që mendon se këto sekrecione janë të ndyta, si mundet që në kohën tonë t’i urdhërojë femrat të ruhen nga to duke përdorur peceta? A kanë pasur gratë e sahabeve peceta që t’i ndërronin për çdo namaz? Buhariu në Sahihun e tij shënon: Nënkapitull: A i lejohet femrës që të falet në rrobat me të cilat ka kaluar ciklin menstrual? Transmetohet prej Aishes të ketë thënë: “Çdo grua prej nesh kishte vetëm një palë rroba, me to i kalonte menstruacionet. Nëse ato (rrobat) i prekte ndonjë masë gjaku, atëherë femra merrte pështymën e vet dhe i fërkonte rrobat me thua”. Pasi që ato nuk kishin vetëm nga një palë rroba dhe nuk i pastronin nga gjaku i menstruacioneve, kjo dëshmon se ato nuk ruheshin nga gjërat e tjera.

A e prishin sekrecionet e bardha abdesin?

Tek gjërat që e prishin abdesin, unë nuk kam hasur që dikush prej dijetarëve të ketë folur për sekrecionet e bardha apo t’i ketë radhitur ato në mesin e gjërave që e prishin abdesin duke përmendur ndonjë argument prej Kuranit, apo Sunetit, ose duke përmendur konsensus të dijetarëve, apo fjalë të ndonjë sahabiu, apo tabii’ni, apo ndonjë fjalë të ndonjërit nga katër imamët.

Prej gjërave që mund t’i përmendim si argument se sekrecionet e bardha nuk e prishin abdesin janë:

1. Në lidhje me këto sekrecione nuk është përcjellë deri tek ne as një hadith i vërtetë, as i mirë, bile as hadith i dobët, e as ndonjë fjalë nga sahabet. Dhe askush nga dijetarët nuk i ka detyruar femrat që të marrin abdes për çdo namaz, siç është rasti i çrregullimit të menstruacioneve.

2. Gratë e sahabeve janë sikur të gjitha gratë e tjera në natyrshmëri dhe krijim, dhe nuk është e vërtetë, siç pretendojnë disa, se sekrecionet e bardha janë diçka e re që po ndodh në kohën tonë, apo pretendojnë se vetëm një përqindje e vogël e grave preken nga to e jo të gjitha. Përkundrazi, kjo është një gjë që aludon në shëndetin e femrës dhe pastërtinë e mitrës së saj, sikurse lotët që dalin nga sytë, qurrat nga hunda, dhe pështyma nga goja. Pra, nëse thuhet se këto gjëra janë të reja dhe nuk kanë ndodhur më parë, këtë nuk do ta pranojë askush. Femrat këtë e dinë më së miri, veçse sasia e sekrecioneve ndryshon prej njërës tek tjetra, varësisht prej natyrshmërisë, sikurse djersa dhe lotët. Disa njerëz djersitën më shumë e disa më pak, por nuk ka njëri që nuk djersitet fare. Po ndodhi një gjë e tillë, kjo do të llogaritej sëmundje.

Nëse supozojmë se këto sekrecione nuk prekin çdo femër, por prekin vetëm një numër të tyre, atëherë sa është kjo shifër, a mos është kjo shifër më e vogël sesa e femrave me çrregullime menstruale! Pse atëherë i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, i sqaroi dispozitat e tyre saqë dijetarët e shkencës së hadithit dhe shkencës së fikhut ndanë kapituj e nënkapituj të veçantë nëpër librat e tyre për çrregullimet menstruale, kurse numri i tyre (grave me çrregullim menstrual) ishte katërmbëdhjetë, siç i ka numëruar Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë. Pra, është e padrejtë të thuhet se i Dërguari nuk e sqaroi këtë gjë, ngase kjo (sekrecionet) nuk e prek çdo femër. Dispozitat kanë ardhur për shkak të një apo dy personave, apo për një ngjarje të caktuar, qoftë edhe e veçantë, por megjithatë këto dispozita janë gjithëpërfshirëse.

3. Gratë e sahabeve faleshin me të Dërguarin, salallahu alejhi ue selem. Ato ndoshta ishin një saf, apo edhe më shumë. Ndoshta Profeti këndonte kaptinën El-A’araf, ose El-Enfal, ose Es-Safat, ose El-Mu’minun (kaptina të gjata), gjithashtu e zgjaste rukun dhe sexhden, por nuk është pa se ndonjë grua e kishte ndërprerë namazin dhe kishte shkuar për të përsëritur abdesin. Kjo është përsëritur për shumë ditë, numri i namazeve obligim (farzeve) ishte shumë më i madh, dëshira e tyre që ta falin namazin pas të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, ishte e vazhdueshme, dhe pa dyshim, sekrecionet e bardha kanë rrjedhur prej një apo më shumë vetave gjatë namazit, sikurse që na ndodhë neve gjatë namazit të teravive apo namazeve të tjera, dhe, megjithëkëtë, nuk kanë pyetur për këtë çështje. Po të ishte kjo gjë e ligjësuar dhe të ishte marrja e abdesit detyrim, kurse ato nuk bënë pyetje duke menduar se janë të pastra, atëherë është e pamundur që të mos zbriste shpallje për këtë gjë.

4. Të obligohet femra me abdes për çdo namaz për shkak të sekrecioneve të bardha, nëse ato janë të vazhdueshme, apo të obligohet me përsëritjen e abdesit, nëse ato vijnë me ndërprerje, është një gjë e vështirë, shumë e vështirë. Kjo është më e vështirë se kujdesi nga uji i mbetur kur pi macja që sillet rreth nesh (jeton pranë nesh), saqë kjo mbetje konsiderohet e pastër edhe pse macja është kafshë mishngrënëse. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, gjykimin se macja është e pastër e arsyeton se është vështirë të ruhesh prej saj, kur thotë: “Ato (macet) nuk janë të ndyta, ngase ato sillen shpesh rreth jush (jetojnë pranë jush)”. Këtë e ka përmendur Ibën Tejmije në “Mexhmuu’l-Fetaua” (21/599).

5. Allahu i Lartësuar e ka quajtur ciklin menstrual gjendje e neveritshme (e ndytë), kurse gjendjen pas saj të pastër, ku thotë: “Të pyesin ty për menstruacionin. Thuaju: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej organeve gjenitale të grave gjatë menstruacionit dhe mos u afroni në atë vend derisa të pastrohen. Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu. All-llahu i do ata që pendohen, dhe ata që pastrohen”. [Kaptina El-Bekarah, 222].

6. Imam Buhariu shkruan: Kapitulli: menstruacionet / Nënkapitulli: Dispozita e lëngut të verdhë dhe lëngut ngjyrë kafeje jashtë ciklit menstrual. Transmetohet nga Ummu Atijeh që thotë: “Lëngun e verdhë dhe atë ngjyrë kafeje se kemi llogaritur asgjë”. Unë (autorja) them: Nëse ato nuk e kanë llogaritur lëngun e verdhë dhe lëngun ngjyrë kafeje asgjë, atëherë të mos i kenë llogaritur sekrecionet e bardha asgjë është më parësore. Fjala e saj: “Lëngun e verdhë dhe atë ngjyrë kafeje se kemi llogaritur prej menstruacioneve”, d.m.th. nuk llogaritet lëngu i verdhë dhe lëngu ngjyrë kafeje prej gjërave që obligojnë pastrimin, apo abdesin. Sepse, nëse këto (lëngje) obligojnë abdesin, patjetër do ta sqaronte këtë.

7. Sikur të llogariteshin sekrecionet e bardha prej gjërave që e prishin abdesin, megjithëqë nuk ka argument, femrat do të viheshin në një pozitë shumë të vështirë. Ndërsa Allahu thotë: “…dhe nuk ju ka vënë në fe kurrfarë vështirësie,…” [Kaptina El-Haxhxh, 78].

Detyrimi i femrave me diçka që Allahu dhe i Dërguari nuk i kanë detyruar është ngarkesë dhe vështirësi, kurse kjo fe është e lehtë.

Lus Allahun të na dhurojë sukses të gjithëve drejt asaj që Ai e do dhe është i kënaqur me të! Lutjet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi Profetin tonë, familjen dhe shokët e tij!

Përktheu: Bajram Sefedini
Shkëputur nga libri “Hukmu Rrutubeh”

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit