Nga shkaqet e kapjes së dobët për feje
►Bërja e shumë mëkateve.
Allahu thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” Shura 30. Kur një person i ka treguar Hasan el Basriut se nata e zë të shëndoshë në trup dhe ka dëshirë të falë namaz e të agjërojë të nesërmen nafile, mirëpo nuk mundet dhe e pyet se pse i ndodh kjo, atëherë ai i thotë: “Të kanë lidhur mëkatet.”
►Zgjerimi së tepërmi në gjëra të lejuara (si: në ushqim, pije, rroba, gjumë etj.).
Kjo bën që njeriut t’i ngurtësohet zemra dhe të dobësohet në praktikimin e fesë. Kjo qoftë në ushqim, pije, rroba, gjumë dhe të tjera, të cilat në esencë janë të lejuara mirëpo kur njeriu e tepron me to, bëhet dembel dhe i shkujdesur në kryerjen e adhurimeve.
►Mosluftimi i vetvetes në kryerjen e adhurimeve dhe dhënia përparësi rehatisë (komoditetit, mosmundimit).
Në adhurime ka vështirësi, ka lodhje, duhet dhënë mundë, e kur jep mundë në kryerjen e adhurimeve kjo është ajo që quhet luftë me vetveten, me nefsin. Nëse nuk e bën këtë nuk ka mundësi të kryejë adhurimet. Ky është defekti. Allahu thotë: “Ata që luftojnë (vetveten) për hirë Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona.” Ankebut 69.
►Besimi se nuk ka nevojë të shtojë adhurimet.
Pse kështu? (Thotë): Sepse janë adhurimeve nafile dhe Allahu nuk do të më pyesë për to në Ditën e Gjykimit. Andaj tregohet i shkujdesur. Nëse tregohet i shkujdesur në nafile atëherë si rezultat pas një kohe do ta kapë dembelia në kryerjen e adhurimeve farz. Dhe si pasojë do të tregojë shkujdesje edhe në adhurimet farz. P.sh.: nëse e mundon vetveten të zgjohet për namaz nate atëherë do ta ketë shumë lehtë të zgjohet të falë namazin e sabahut, ndërsa ai që nuk zgjohet natën atëherë ndodhë që pas një kohe t’i vijë vështirë të zgjohet për namaz të sabahut.
►Kënaqja me gjendjen që ka.
Nuk merr mundin në përpjekjen e kryerjes së adhurimeve. Nuk sheh veten se ka nevojë të shtojë adhurimet. Thotë: “Nuk jam njeri i shkujdesur në mënyrë që të kem nevojë të shtoj adhurimet.” Mirëpo, nuk ka në Islam të qëndrosh në një gjendje statike, ose do të ecësh përpara me punë të mira ose do të shkosh mbrapa me punë të këqija. Nëse të duket se je në një gjendje, dije se automatikisht je duke shkuar mbrapa. Pajtimi me gjendjen do ta dërgojë gradualisht në largimin e kryerjes së adhurimeve. Kjo ndodh edhe sepse nuk ka arritur të kuptojë rrezikun e braktisjes së veprave të mira dhe shkujdesjes karshi tyre.
►Mosdijenia rreth shpërblimit të madh për kryerjen e punëve të mira në vazhdimësi.
Sikur ta dinte p.sh. shpërblimin e atij që agjëron, apo që falet natën, apo që lexon Kuran, pa dyshim nuk do t’i braktiste kurrë këto punë.
►Shpresat e gjata e të kota.
Shejtani e mashtron se ende ka kohë, se ende është i ri, se më vonë pendohet, dhe kështu harron vdekjen dhe përkujtimin e saj. Sikur të çonte ndërmend se vdekja mund t’i vijë në çdo moment dhe ta gjejë të papërgatitur, atëherë pa dyshim se do të ishte më i kujdesshëm ndaj adhurimeve. Sikur të çonte ndërmend vështirësitë dhe tmerret e Ditës së Gjykimit, pa dyshim se do t’i lehtësohej përballimi i obligimeve fetare apo adhurime ndaj Allahut dhe do ta luftonte vetveten e vazhdimisht do të kryente adhurime të llojllojshme të cilat e afrojnë tek Allahu.
►Punët e angazhimet e shumta.
Andaj tregohet i shkujdesur ndaj adhurimeve duke thënë se nuk ka kohë e se patjetër duhet t’i kryejë ato. Ky është arsyetim i kotë sepse ai duhet të kuptojë se koha, mundi dhe ekzistenca e tij duhet të jetë për Allahun, fillimisht. Kryesorja që kërkohet prej tij është adhurimi ndaj Allahut. Kush kthehet tek Allahu me sinqeritet, Ai i jep bereqet në kohë. Kjo do të thotë: ia mundëson të kryejë punë të cilat zakonisht nuk mund t’i kryejë, i jep fuqi në trup e vullnet.
►Lërja e gjërave për më vonë.
Thotë: “Më vonë, më vonë, do ta bëj këtë”, dhe harron fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i cili thotë: “Shfrytëzoji pesë gjëra para se të vijnë pesë të tjera: rininë para se të vijë pleqëria, shëndetin para se të vijë sëmundja, pasurinë para se të vijë varfëria, kohën e lirë para se të vijnë angazhimet dhe jetën para se të vijë vdekja.”
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.