Kushtet e ezanit

Kushtet e ezanit

  • Thirrja me radhitje dhe pa shkëputje. Nëse prishet radhitja nuk pranohet ezani. Argumenti për këtë është sepse ezani është adhurim, i transmetuar (në formë), andaj është obligim të thirret siç është transmetuar nga suneti (dhe po me ato fjalë).
  • Nëse dikush në vend të fjalës “Allahu ekber” thotë  Allahu exhel” apo “Allahu adham”, që kanë kuptim të përafërt, atëherë ezani nuk është i saktë.
  • Nuk duhet të thirret me ndarje të gjata mes fjalive (përveç nëse i vjen muezinit kollitja apo teshtima).
  • Duhet të thirret me patjetër prej një burri që është i besueshëm, i drejtë. Ezani nuk pranohet nëse thirret nga një grua, apo nga dy burra (jo njëri ta fillojë e tjetri ta vazhdojë, e nëse i duhet të ikë atëherë tjetri ia fillon nga fillimi). Nuk pranohet ezani nëse thirret nga jobesimtari. Nuk është i saktë nëse thirret me incizim, me këtë nuk është kryer farzi kifaje i thirrjes së ezanit, andaj duhet të thirret rishtas. Duhet të thirret nga personi që ka mendje të shëndoshë (nuk kërkohet prej atij që është i çmendur).
  • Është e urryer të thirret me melodi (ka dijetarë që thonë se është e ndaluar), ndërsa zbukurimi i zërit është e kërkuar.
  • Të mos ketë gabime gjatë ezanit, të cilat e prishin kuptimin e fjalëve.
  • Nuk lejohet zgjatimi përtej rregullave të gjuhës arabe (por duhet 2, ose 4, ose 6).
  • Nuk ka bazë të thuhet para ezanit istiadhja dhe besmelja, as dërgimi i selavateve me zë pas ezanit.
  • Ezanin e ikametin i zhvleftëson pauza e gjatë. Nëse dikush gjatë thirrjes së tyre heshtë apo bën pauzë gjatë (sa e llogaritin të tillë banorët e vendit), atëherë kjo i zhvleftëson, sepse nuk përmbushet kushti që duhet të thirren në formë të pashkëputur. Adhurimet kushtëzon të kryhen në formë të pashkëputur. Nëse dikush këndon katër tekbiret e ezanit pastaj largohet të marrë abdes dhe kthehet duke vazhduar aty ku ka mbetur, ky ezan nuk është i saktë, është obligim të niset nga fillimi. Gjithashtu e zhvleftëson ezanin dhe ikametin pauza e shkurtër mirëpo që bëhet me fjalë e vepra të ndaluara. Kjo ngase ndalesa e kundërshton adhurimin. Nëse dikush e thirr ezanin dhe afër tij janë disa persona duke biseduar e dhe ai kthehet duke iu thënë se filani është kështu e ashtu apo se ka thënë këtë e atë, pra përgojon, e siç dihet përgojimi është mëkat i madh, atëherë duhet përsëritur ky ezan, edhe pse ndërprerja ka qenë e shkurtër. Ndërsa, nëse kjo ndërprerje bëhet me fjalë të lejuara (mubah) kjo nuk e zhvleftëson, p.sh. nëse dikush e thirr ezanin dhe e pyet tjetri se ku është filani dhe ai ia kthen përgjigjen “ka ikur”, apo “nuk është”.
  • Ezani nuk pranohet nëse thirret para kohës.Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.
Madhësia e tekstit