Mirësitë e Islamit
- Kjo fe është e plotë. Allahu e ka plotësuar dhe përkryer atë, thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide 3. Islami është i plotë në të gjitha aspektet, si: në çështjet e besimit, në adhurime, në sjelljet ndërnjerëzore, në gjykimet mes njerëzve etj. Islami nuk pranon shtim në të. Është obligim për muslimanin që t’i përmbahet Kuranit e sunetit dhe që të mos sajojë bidate, si dhe e ka për obligim t’i braktisë e të mos punojë me ato që i kanë shpikur të tjerët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Keni kujdes prej risive në fe, ngase çdo risi është bidat dhe çdo bidat është humbje.”
- Kjo fe është një dhunti e plotësuar nga Allahu ndaj nesh, “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide 3. Nëse dëshiron të jetosh një jetë të lumtur, në të cilën arrin të përjetosh këtë dhunti e mirësi prej Allahut, duhet t’i përmbahesh fort fesë së Tij- të braktisësh dëshirat e tua e t’i bindesh Atij. Në këtë mënyrë do të jetosh në gjendjen më të mirë apo në lumturi të plotë. Të mos mendojë ndokush se në mëkatim ka kënaqësi të përhershme, apo arritje të lumturisë. Përkundrazi, për të do të ketë ndëshkim, ose në këtë botë (me shqetësime, brenga etj.) ose në tjetrën.
- Kjo fe është fe e zgjedhur. Atë e ka zgjedhur dhe është i kënaqur me të Vetë Allahu, Zoti i botëve, “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide 3. Ky Islam është feja e vetme të cilën e pranon Ai, “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami”. Ali Imran 19. Besimtarin të cilin Allahu e ka frymëzuar dhe i ka dhënë sukses është ai i cili ka zgjedhur për vetën e tij atë që e ka zgjedhur Allahu, pra e ka zgjedhur Islamin si fe dhe është i kënaqur me të tërësisht (deri në hollësi). I tilli kur kapet pas kësaj feje, këtë e bën ngaqë është i kënaqur me të, e do atë, e ndjek me zemër, me nënshtrim të plotë.
- Kjo fe është e ruajtur. Allahu ka marrë përsipër ruajtjen e saj. Ajo është e garantuar se nuk do të ndryshojë dhe nuk do të pësojë shtrembërime dhe ndryshime deri bë Ditën e Gjykimit, “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” Hixhr 9. Feja Islame e cila është sot, është e njëjta fe që ka qenë në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Kurani që e lexojmë sot është i njëjti Kuran të cilin e ka lexuar ai salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij. Në të nuk është shtuar asnjë shkronjë e as nuk është mangësuar asnjë shkronjë, atë e ka ruajtur Allahu. Ai e ka ruajtur edhe sunetin profetik i cili dhe është komentuesi dhe shpjeguesi i Kuranit.
- Kjo fe është fe e teuhidit. Muslimanët janë ata të cilët zbatojnë të drejtat e Allahut, çojnë në vend urdhrin e Tij apo të drejtën me të cilën Ai i ka ngarkuar krijesat. Ata nuk barazojnë mes Allahut dhe dikujt prej krijesave në gjërat që janë veçori të Tij, as në emrat e cilësitë e Tij e as në të drejtën e Tij. Ata nuk ia kushtojnë të drejtën e Allahut dikujt prej krijesave. Ai na ka krijuar prej hiçit, kujdeset vazhdimisht për ne me mirësitë dhe dhuntitë e Tij. Andaj, Ai dhe ka të drejtë madhore ndaj nesh. Kështu që, ne duhet të jemi mirënjohës dhe ta adhurojmë e njësojmë Atë në adhurime, si dhe asnjë prej adhurimeve të mos ia kushtojnë dikujt tjetër përveç Atij, të Vetmit. Të gjitha të mirat na vijnë prej Allahut. Të gjitha adhurimet tona duhet të jenë vetëm për Allahun, “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Dharijat 56.
- Kjo fe është fe e drejtësisë dhe e raporteve të mira. Allahu thotë: “Dhe përmbushni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës.” Isra 34. Nëse muslimani ia jep fjalën dikujt atëherë duhet ta përmbushë atë, nuk i lejohet ta thyejë atë apo të tradhtojë.
- Kjo fe është lehtësi. Allahu e ka bërë Islamin fe të lehtë, nuk është e rëndë, “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” Bekare 185. Çdo gjë që Ai e ka ligjësuar për ne është lehtësim, nuk ka vështirësi në të. E nëse besimtari ndodhet në vështirësi për shkak të udhëtimit apo është i sëmurë, atëherë feja Islame ia lehtëson mënyrën se si të zbatojë urdhrat e Allahut, apo ia lejon që në varësi të vështirësisë të marrë lehtësimin.
- Kjo fe ruan pesë gjërat e domosdoshme. Islami së pari ruan fenë e njerëzve, për këtë Allahu na ka urdhëruar me teuhid dhe na ka ndaluar prej shirkut, po ashtu na ka ndaluar shpikjen e risive në fe. Islami ruan jetën e njeriut, vrasja është prej mëkateve të mëdha. Islami ruan nderin e njeriut, për këtë ndalohet imoraliteti dhe homoseksualizmi, dhe nga ana tjetër e ligjëson martesën (mes dy gjinive të kundërta). Allahu i ka lavdëruar ata që ruajnë nderin e tyre. Islami ruan mendjen e njeriut, për këtë ndalohet pirja e alkoolit, se ai është një gjë shumë e shëmtuar (deh dhe mbulon mendjen). Islami ruan pasurinë e njeriut, për këtë ka ligjësuar punën dhe fitimin, e nga ana tjetër ndalon shpërdorimin e saj, apo bërjen padrejtësi ndaj të tjerëve, apo marrjen e kamatës, apo vjedhjen e kështu me radhë, duke ndaluar të gjitha rrugët përmes të cilave humbet pasuria e njeriut. Ne duhet ta falënderojmë shumë Allahun që na ka bërë muslimanë.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.