Surja el Alek– Komentim

 

Surja el Alek

 

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

ٱقْرَأْ بِٱسْمِ رَبِّكَ ٱلَّذِى خَلَقَ ۝ خَلَقَ ٱلْإِنسَٰنَ مِنْ عَلَقٍ۝ ٱقْرَأْ وَرَبُّكَ ٱلْأَكْرَمُ  ۝ ٱلَّذِى عَلَّمَ بِٱلْقَلَمِ۝ عَلَّمَ ٱلْإِنسَٰنَ مَا لَمْ يَعْلَمْ۝ كَلَّآ إِنَّ ٱلْإِنسَٰنَ لَيَطْغَىٰٓ۝ أَن رَّءَاهُ ٱسْتَغْنَىٰٓ۝  إِنَّ إِلَىٰ رَبِّكَ ٱلرُّجْعَىٰٓ۝ أَرَءَيْتَ ٱلَّذِى يَنْهَىٰ ۝ عَبْدًا إِذَا صَلَّىٰٓ ۝ أَرَءَيْتَ إِن كَانَ عَلَى ٱلْهُدَىٰٓ۝ أَوْ أَمَرَ بِٱلتَّقْوَىٰٓ۝ أَرَءَيْتَ إِن كَذَّبَ وَتَوَلَّىٰٓ۝ أَلَمْ يَعْلَم بِأَنَّ ٱللَّهَ يَرَىٰ۝ كَلَّا لَئِن لَّمْ يَنتَهِ لَنَسْفَعًۢا بِٱلنَّاصِيَةِ۝ نَاصِيَةٍۢ كَٰذِبَةٍ خَاطِئَةٍۢ ۝ فَلْيَدْعُ نَادِيَهُۥ۝ سَنَدْعُ ٱلزَّبَانِيَةَ۝ كَلَّا لَا تُطِعْهُ وَٱسْجُدْ وَٱقْتَرِب۝

 

  1. Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka),
  2. e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!
  3. Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh,
  4. i Cili, me anë të penës ia mësoi,
  5. ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.
  6. Por vërtet që njeriu shkel çdo cak,
  7. kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.
  8. Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!
  9. A e ke parë ti (Muhamed) atë që pengon
  10. robin (Tonë) kur falet?
  11. A nuk është ai (robi Ynë) në rrugë të drejtë
  12. dhe që urdhëron për devotshmëri?!
  13. Mendo, nëse ai (penguesi) mohon dhe kthen kurrizin,
  14. a nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?!
  15. Jo, jo! Nëse ai nuk tërhiqet nga kjo, Ne do ta kapim për ballukesh (për ta hedhur në zjarrin e Xhehenemit),
  16. për ballukesh të gënjeshtarit dhe fajtorit.
  17. Atëherë ai le ta thërrasë shoqërinë e vet,
  18. Ne do t’i thërrasim Zebanijet (rojet e Xhehenemit)!
  19. Kurrsesi mos iu nënshtro atij (o Muhamed), por bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!

 

Pesë ajetet e para të kësaj sure janë po ajetet e para apo fillimi i shpalljes, ose ajetet e para që i janë zbritur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. I kanë zbritur sa ka qenë duke e adhuruar Allahun në shpellën Hira. Shpallja i ka filluar së pari me ëndrra (ka parë disa ëndrra të mira në gjumë, të qarta). Këto ëndrra së pari i janë shfaqur në muajin Rabbijul ewel. Pastaj ka mbetur për gjashtë muaj duke e adhuruar Allahun dhe duke parë këto ëndrra. Ndërsa në Ramazan i ka ardhur shpallja duke qenë zgjuar. Koha e shpalljes ka zgjatur 23 vite.

Pas atyre ëndrrave që i kanë filluar i është bërë e dashur vetmia (është vetmuar duke u larguar prej shoqërisë së xhahiljetit në të cilën ka jetuar) dhe ka shkuar te shpella Hira (në maje të malit). Aty e ka adhuruar Allahun në vetmi. E ka adhuruar Allahun me adhurime që ia ka mësuar Ai, e jo se i kanë ardhur me shpallje, por e ka inspiruar. Këtë e ka bërë për disa netë të caktuara, pastaj është kthyer te shtëpia, ka marr ushqim të mjaftueshëm për disa ditë dhe ka shkuar prapë në shpellë, derisa i ka ardhur Xhibrili me shpallje.

Pastaj i ka ardhur Xhibrili e i ka thënë: “Ikra – Lexo“. Ndërsa, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Unë nuk di të lexoj“, nuk di shkrim e lexim. Nuk është për qëllim refuzimi me këto fjalë, por ka dashur t’i tregojë Xhibrilit (edhe pse ai e ka ditur këtë) se nuk di të lexojë. Ai nuk ditur shkrim e lexim, dhe kjo është një urtësi e madhe, ngase kështu nuk mbetet në zemra dyshim për vërtetësinë e tij. Ai nuk ka lexuar Libra të mëhershëm, “Para këtij, ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin.” Ankebut 48.

Xhibrili prapë i ka thënë: “Lexo!” dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Unë nuk di të lexoj.” Pastaj e ka mbuluar/shtrënguar dy apo tri herë dhe ia ka zbritur pesë ajetet e para të kësaj sure. Pas kësaj është kthyer në shtëpinë e tij te Hadixhja radijAllahu anha, i frikësuar shumë nga kjo ngjarje.

 

ٱقْرَأْ بِٱسْمِ رَبِّكَ ٱلَّذِى خَلَقَ Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka)”- Disa dijetarë kanë thënë: “Lexo duke qenë vazhdimisht në shoqërimin e emrit të Zotit tënd”, disa kanë thënë: “Lexo duke kërkuar ndihmë prej emrit të Zotit tënd” ngase emrat e Allahut të gjithë janë të bukur, janë të mirë, ndihmojnë njeriun në çështjet e kësaj jete dhe në adhurime, andaj është mirë që gjithnjë të kërkosh ndihmë me emrat e Allahut. Gjithmonë punët e mira duhet filluar me bismilah (me emrin e Allahut, duke kërkuar ndihmën e Tij, apo duke kërkuar ndihmën prej emrit të Allahut).

Zotit tënd”, Allahu është Zoti yt i Cili udhëheq universin, drejton të gjitha çështjet dhe Ai i Cili e filloi shpalljen tek i Dërguari. Allahu është Zoti i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, Ai e ka bërë atë terbije (është kujdesur veçantë për të).

i Cili krijoi“, pra krijoi gjithçka, “Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” Furkan 2, “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje” Zumer 62. Çdo gjë që ndodhet në qiej e tokë është krijesë e Allahut, sado e fshehtë që është, apo e dukshme, apo e madhe, apo e vogël, madje edhe grimcat më të vogla.

خَلَقَ ٱلْإِنسَٰنَ مِنْ عَلَقٍ – e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!” Veçon njeriun në mesin e të gjitha krijesave dhe e përmend atë. Me këtë ajet Allahu tregon se e ka nderuar atë si krijesë të Tij në mesin e krijesave të tjera, “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” Isra 70.

عَلَقٍ– alek” droçkë gjaku, gjak i ngjizur, prej saj krijohet dhe fillon jeta e njeriut. Qëllimi i kësaj është se njeriu pa gjak nuk mund të jetojë. Origjina ku fillon krijimi i tij është gjaku. E pastaj zhvillohet formësimi i tij më tej. Në ajete të tjera përmendet krijimi i njeriut prej dheut, diku prej baltës, apo prej baltës së pjekur, apo prej ujit që del fuqishëm, diku prej ujit që është i dobët. E megjithatë nuk kemi kundërthënie mes ajetesh. Kjo sepse, nganjëherë Allahu përmend fillimin e krijimit nga një aspekt e nganjëherë nga një aspekt tjetër. Fillimisht njeriun e ka krijuar prej dheut, pastaj mbi të ka hedhur ujë dhe është bërë balta, pastaj ka kaluar një kohë dhe kjo baltë është bërë baltë e pjekur, pastaj është bërë salsal (kur e godet lëshon tingull), pastaj e ka bërë mish, pastaj i ka krijuar eshtrat e i ka mbështjellë me mish, pastaj i ka vendosur nervat e organet e tjera. Ky ka qenë fillimi i krijimit të Ademit alejhi ue selam. Ndërsa krijimi i njerëzve të tjerë, siç e dimë, bëhet prej një pike lëngu (spermatozoidit) nga burri që vendoset në mitrën e gruas, pastaj qëndron aty 40 ditë, pastaj shndërrohet në alek (droçkë gjaku, gjak i ngjizur), pastaj zhvillohet e formohet derisa të bëhet mudga (copë mishi që përtypet) e kështu qëndron për 40 ditë derisa të mbushë 120 ditë (këto janë katër muaj), pas kësaj Allahu dërgon një engjëll dhe fryn shpirtin në të me lejen e Allahut dhe fetusi fillon të lëvizë. Nuk mund ta dimë se si është forma e shpirtit dhe esenca e tij. Deri këtu zhvillimi i fetusit ka qenë pa shpirt, ndërsa pas kësaj kur i fryhet shpirti bëhet njeri. Pastaj vazhdon zhvillimi, dhe pas nëntë muajve lind. Banesat ku jeton njeriu janë katër: barku i nënës së tij, jeta e kësaj bote, jeta e varrit dhe jeta në xhenet ose në xhehenem.

ٱقْرَأْ وَرَبُّكَ ٱلْأَكْرَمُLexo! Zoti yt është Bujari më i madh i Cili me anë të penës ia mësoi”, prapë thotë “Lexo”, dhe qëllimi është për një domethënie të re (jo sikur tek ajeti më lartë). Te ajeti i parë leximi ishte i ndërlidhur me rububijen e Allahut, me kaderin e Tij, ndërsa këtu është i ndërlidhur me sheriatin, me fenë, ngase feja më së shumti është e bazuar te mësimi, tek të mësuarit, sepse ajo lexohet dhe shkruhet, mësohet përmendësh dhe shkruhet.

ٱلَّذِى عَلَّمَ بِٱلْقَلَمِ – i Cili, me anë të penës ia mësoi”.

عَلَّمَ ٱلْإِنسَٰنَ مَا لَمْ يَعْلَمْ – ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte”.

أَن رَّءَاهُ ٱسْتَغْنَىٰٓ كَلَّآ إِنَّ ٱلْإِنسَٰنَ لَيَطْغَىٰٓPor vërtet që njeriu shkel çdo cak kur mendon se është i vetëmjaftueshëm”. I shkel kufijtë kur sheh vetën të vetëmjaftueshëm. Qëllimi nuk është ndonjë njeri i caktuar, por lloji njerëzor. Nëse mendon se është i vetëmjaftueshëm për mëshirën e Allahut (se nuk është nevojtar për të) dhe nuk i kushton vëmendje dhënies së të mirave prej Tij dhe se Ai e mëshiron, atëherë gjithsesi ai i tejkalon kufijtë. Nëse mendon se është vetëmjaftueshëm për Allahun në largimin e vështirësive dhe në arritjen e synimeve dhe nuk kthehet kah Allahu, atëherë ai i tejkalon kufijtë. Nëse mendon se është i vetëmjaftueshëm për Allahun ndaj shëndetit dhe harron të sëmurit, apo ndaj ngopjes dhe harron urinë apo të uriturit, apo ndaj veshjes dhe harron se dikush nuk ka, atëherë i tejkalon kufijtë. Tejkalimi i kufijve (vetëmjaftueshmëria) është në natyrën njerëzore. Kështu ia lejon vetes rebelimin ndaj Allahut. Nga kjo përjashtohet besimtari. Ai nuk mendon se është i panevojshëm për Allahun apo i vetëmjaftueshëm. Ai e di se ka nevojë për Allahun qoftë dhe për rrahjen e qepallës. Çdo kohë, çdo gjendje e çdo vend, ai është nevojtar për Allahun.

إِنَّ إِلَىٰ رَبِّكَ ٱلرُّجْعَىٰٓ – Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!” Me këtë ajet kërcënon atë që tejkalon kufijtë. Sado që e mban veten të lartë, të ngritur, sado që tejkalon kufijtë, sado që mendon se je i vetëmjaftueshëm, sado që bëhesh mendjemadh dhe arrogant, dije se tek Allahu do të kthehesh. Andaj, nuk ka mundësi t’i ikësh caktimit të Allahut, dënimit apo shpërblimit dhe drejtësisë së Tij. Tek Allahu është kthimi i çdo gjëje, prej çështjeve të fesë, tek Ai është kthimi në gjykime (duhet t’i kthehemi gjykimeve që janë në Kuran e sunet), tek Ai është kthimi në çështjet e universit. Nuk ka kthim tek tjetër kush përveçse tek Allahu. Çdo gjë kthimin e ka tek Allahu, edhe në çështjet fesë edhe në çështjet e universit.

أَرَءَيْتَ ٱلَّذِى يَنْهَىٰ عَبْدًا إِذَا صَلَّىٰٓA e ke parë ti (Muhamed) atë që pengon robin (Tonë) kur falet?”. Penguesi është Ebu Xhehli. Ai nuk e ka pranuar Pejhamberin salAllahu alejhi ue selem për të Dërguar se kjo ia ulte pozitën në mesin e njerëzve, andaj e ka luftuar atë dhe Islamin dhe ka vdekur në mosbesim. Njeriu të cilin e ka ndaluar prej namazit Ebu Xhehli, është vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Ebu Xhehlit i kanë treguar njerëzit se Pejhamberi salAllahu alejhi ue selem po falet në Qabe në prezencën e njerëzve dhe po i pengon nga zotat e tyre (po u bën fitne) që të mos i adhuronin lirshëm. Dhe një ditë, duke kaluar afër Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i cili ka qenë në sexhde, Ebu Xhehli i thotë: “A të kam ndaluar ty nga falja në Qabe në prezencën e njerëzve?!” E ka qortuar ashpër. Pastaj, prapë i kanë treguar se po vazhdon të falet në Qabe. Pra, njëfarë mënyre nuk e ka pranuar kërcënimin tënd. Atëherë Ebu Xhehli ka thënë: “Nëse e shoh edhe një herë duke u falur në Qabe, do ta shkel në qafë me këmbën time dhe do ta mbaj derisa t’i pluhuroset fytyra!” Një ditë e sheh duke u falur dhe do të çojë në vend premtimin e tij. Afrohet tekPejgamberi salAllahu alejhi ue selem, por para se ta arrijë atë, Allahu bën një hendek zjarri ndërmjet dhe sheh disa gjëra frikësuese dhe zmbrapset pa arritur ta dëmtojë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem (e kupton paaftësinë e tij në raport me të). Pra, kjo është ngjarja për shkak të së cilës Allahu ka zbritur këtë ajet. Ai tregon se sa e çuditshme është gjendja e tij, i cili e ndalon robin e Tij që falet për hir të Tij.

أَرَءَيْتَ إِن كَانَ عَلَى ٱلْهُدَىٰٓA nuk është ai (robi Ynë) në udhëzim“, në rrugën e drejtë, pra Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.

أَوْ أَمَرَ بِٱلتَّقْوَىٰٓose që urdhëron për devotshmëri?!” Edhe falet edhe urdhëron të tjerët për devotshmëri. Pa dyshim se ai, pra Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, i ka urdhëruar të tjerët në devotshmëri ndaj Allahut. Ka qenë i devotshëm dhe ka qenë përmirësues i tjerëve drejt devotshmërisë.

أَرَءَيْتَ إِن كَذَّبَ وَتَوَلَّىٰٓ أَلَمْ يَعْلَم بِأَنَّ ٱللَّهَ يَرَىٰMendo, nëse ai (penguesi) mohon dhe kthen kurrizin, a nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?!” E di dhe e sheh, Ai e di kush falet dhe kush i tejkalon kufijtë. Çdonjërin do ta shpërblejë ose do ta ndëshkojë sipas dijes së Tij. Allahu i kërcënohet pra atij që ka ndaluar robin e Tij i cili është falur për hir të Tij, tregon se e di shumë mirë gjendjen e tyre dhe secilin do ta shpërblejë ose do ta ndëshkojë në bazë të asaj që meriton.

كَلَّا لَئِن لَّمْ يَنتَهِ لَنَسْفَعًۢا بِٱلنَّاصِيَةِJo, jo! Nëse ai nuk tërhiqet nga kjo, Ne do ta kapim për ballukesh (për ta hedhur në zjarrin e Xhehenemit)”. Kel-le – gjithsesi, ose është qortim ndaj tij. Nasia është pjesa e përparme e kokës. Në ajet kemi betim (që nënkuptohet). Do ta kapim me forcë, me fuqi, me ashpërsi. Qëllimi është për Ebu Xhehlin.

نَاصِيَةٍۢ كَٰذِبَةٍ خَاطِئَةٍۢpër ballukesh gënjeshtare dhe mëkatare”. Gënjeshtra më e madhe është ajo që rrjedh prej jobesimtarëve, të cilët adhurojnë të tjerë përveç Allahut, nuk ka gënjeshtër më të madhe dhe vepër më të shëmtuar sesa shirku që i bëhet Allahut. “Mëkatare” i bën mëkat Allahut qëllimisht.

فَلْيَدْعُ نَادِيَهُۥ – Atëherë ai le ta thërrasë shoqërinë e vet”, kjo për sfidim. Allahu e sfidon që nëse ai (Ebu Xhehli) është i drejtë në fjalët e tij se ka forcë dhe njerëz që e mbështetësin atëherë le t’i thërrasë. Nedi: është vendi ku është mbledhur populli (siç kanë qenë tek ne odat). Ebu Xhehli ka pasur një nedi të veten, ku ka mbledhur parinë e popullin dhe Kurejshët të cilët e kanë respektuar.

سَنَدْعُ ٱلزَّبَانِيَةَNe do t’i thërrasim Zebanijet (rojet e Xhehenemit)!” Tregon Allahu se ka ushtarë, që janë më të fortë, më të fuqishëm, sesa populli yt i mbledhur në nedin tënd. E ato janë Zebanijet, engjëjt që janë roje të zjarrit të xhehenemit. Ato janë të ashpra në pamje, kur t’i shohësh do të frikësohesh, janë të fuqishme, kanë forcë të madhe. Nuk tregojnë mosbindje ndaj Allahut në zbatimin e urdhrave të Tij, menjëherë binden, nuk kanë arrogancë e mendjemadhësi, por kanë përulje e nënshtrim të plotë ndaj urdhrave të Tij. Edhe nëse dikush thërret tërë popullin e tij apo njerëzit e botës, nuk mund të ballafaqohet me këto roje të xhehenemit.

كَلَّا لَا تُطِعْهُ وَٱسْجُدْ وَٱقْتَرِب – Kurrsesi mos iu nënshtro atij (o Muhamed), por bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!” Mos ia vë mendjen atij. Duke qenë se Allahu ia ndalon Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem t’i bindet Ebu Xhehlit, atëherë kjo tregon se do ta mbrojë e përkrahë atë salAllahu alejhi ue selem prej tij. Pra, vepro ashtu siç të urdhëron Allahu, mos të të shqetësojë çështja e tij e as kërcënimet e tij. Allahu e ka mbrojtur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe nuk ka lejuar Ebu Xhehlin të arrijë deri tek ai. “bëj sexhde” d.m.th fal namaz. Sexhdja është vendi në të cilën njeriu është më së afërmi me Allahun.

Kjo është një sure e madhe. Allahu e fillon duke treguar mirësinë e begatinë e madhe ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në veçanti dhe ndaj umetit të tij në përgjithësi, që është: zbritja e shpalljes. E pastaj e përfundon duke përmendur sexhden, pra se duhet falënderuar Allahun, duhet bërë namaz për hir të Tij dhe se duhet afruar tek Ai me bindje e respektim për këtë mirësi, që është Islami.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit