Pasi kaloi periudha e davetit në mënyrë të fshehtë, Allahu e urdhëroi Pejgamberin ﷺ të dilte haptazi dhe t’i thërriste njerëzit drejt islamit. Allahu e urdhëroi atë ﷺ duke thënë:
فَٱصۡدَعۡ بِمَا تُؤۡمَرُ وَأَعۡرِضۡ عَنِ ٱلۡمُشۡرِكِينَ
“Dil dhe shfaqe haptazi atë që po të urdhërohet dhe shmangu nga paganët e idhujtarët!”
[El-Hixhr: 94]
Posa zbriti ky ajet, Pejgamberi ﷺ u ngrit në kodrinën Es-Safa dhe me zërin e ngritur lart filloi t’i thërriste njerëzit drejt islamit, duke iu treguar se është i Dërguari i Allahut. Në mesin e atyre që kishin ardhur ta dëgjonin Pejgamberin ﷺ ndërkohë që ishte duke folur nga kjo kodër (Es-Safa) ishte edhe xhaxhai i tij, Ebu Lehebi. Posa e përfundoi fjalët Pejgamberi ﷺ ai tha: “A për këtë na ke tubuar?! Qofsh i shkatërruar!”
Atëherë, Allahu e zbriti suren:
تَبَّتۡ يَدَآ أَبِي لَهَبࣲ وَتَبَّ
U thafshin duart e Ebu Lehebit, dhe u shkatërroftë!
[El-Mesed]
Reagimi i parë i Kurejshitëve karshi davetit të Pejgamberit ﷺ ishte se ata dërguan një delegacion tek xhaxhai i tij Ebu Talib, në mënyrë që ai ta pengonte Pejgamberin ﷺ nga daveti i tij. Ata i thanë: “O Ebu Talib, djali i vëllait tënd, po i shan zotat tanë, po na gjen të meta në fenë tonë, po e qorton fenë tonë dhe po pretendon se ne jemi njerëz mendjelehtë; po pretendon se prindërit tanë, të parët tanë, kanë qenë të devijuar, andaj, ose ti ndaloje, ose mos ndërhyj mes nesh dhe tij dhe ne do t’i sqarojmë hesapet me të.”
Mirëpo, Ebu Talibi u foli fjalë të buta dhe i ktheu ata. Kështu që nuk patën ndonjë sukses nga ky ndërmjetësim i Ebu Talibit. Pastaj, Kurejshitët e dërguan El Welid ibn El Mugira, në mënyrë që t’i shfaqte disa kërkesa Pejgamberit ﷺ për t’u tërhequr nga daveti i tij. Kështu, Welidi filloi të diskutonte me Pejgamberin ﷺ, mirëpo ai ﷺ e shfrytëzoi rastin dhe i lexoi disa pjesë nga Kurani. Welidi u ndikua shumë prej tyre. Kur u kthye tek populli i tij, i këshilloi ta pasonin Pejgamberin ﷺ, ose ta linin të qetë në davetin e tij. Mirëpo, ata e refuzuan mendimin dhe pikëpamjen e tij. Prandaj, pikërisht këtu pastaj u tërhoq Welidi dhe e cilësoi Pejgamberin ﷺ si njeri magjistar. Allahu i zbriti disa ajete të sures El-Muddeththir, të cilat e përgëzonin Welidin me zjarr të Xhehenemit.
Gjatë kësaj periudhe, islamin e pranuan Abdullah ibn Umi Mektum, që ishte njeri i verbër, dhe ai u bë muezini i parë në islam pas Bilalit.
Cilat ishin metodat që Kurejshitët i përdornin për ta luftuar davetin islam?
Kurejshitët përdornin metoda të ndryshme për ta luftuar davetin e ri islam, prej tyre ishin: ata përhapnin dyshime lidhur me Kuranin, përhapnin dezinformata lidhur me mësimet e Kuranit dhe fesë islame, lidhur me personalitetin e Pejgamberit ﷺ. Aq shumë i përhapnin këto dezinformata dhe këto gjëra të pavërteta, saqë njeriu i thjeshtë pastaj nuk kishte hapsirë të ndalej dhe ta studionte çështjen e Pejgamberit ﷺ. Ata filluan ta akuzonin Pejgamberin ﷺ se është njeri i çmendur, magjistar, gënjeshtar, nganjëherë e akuzonin që ka ardhur me legjenda e mite të popujve të mëhershëm. Gjithashtu i akuzonin besimtarët se janë njerëz të devijuar, njerëz që nuk kuptojnë.
Prej metodave tjera që përdornin Kurejshitët është se filluan ta kundërshtonin dhe t’i bënin rezistencë Kuranit nëpërmjet gënjeshtrave dhe shpërqendrimeve. D.m.th. ata e porosisin njëri-tjetrin që kudo që të lexohej Kurani në prani të tyre, ata ta ngrinin zërin, në mënyrë që të dëgjohej nga të pranishmit aty. Për këtë tregon Allahu në Kuran.
Gjithashtu prej metodave që përdornin është se u munduan ta arrinin një lloj marrëveshje me Pejgamberin ﷺ. Ajo ishte që ata të tërhiqeshin nga disa kërkesa të tyre, mirëpo karshi kësaj edhe Pejgamberi ﷺ të tërhiqej nga daveti i tij ose nga disa pjesë të davetit të tij.
Allahu zbriti suren El-Kefirun dhe e forcoi atë karshi këtyre kërkesave të fisit Kurejsh, dhe kështu as kjo tentativë e tyre nuk pati sukses kundra davetit islam.
Pejgamberi ﷺ vazhdoi t’i thërriste njerëzit drejt Allahut. Kurejshitët filluan ta kuptonin se është e kotë t’i rezistonin kësaj thirrje të re. Ata e kuptuan se nuk ka asnjë dobi nga këto metoda që i përdornin deri më tani, në mënyrë që ta pengonin fenë islame apo ta zhduknin atë tërësisht nga sipërfaqja e dheut. Andaj u ndalën dhe menduan edhe një here. Gjithashtu u konsultuan mes vete dhe ranë në ujdi që të fillonin t’i torturonin muslimanët. Padyshim, kjo ishte sprovë shumë e madhe mbi shokët e Pejgamberit ﷺ. Allahu e mbrojti Pejgamberin ﷺ nëpërmjet xhaxhait të tij Ebu Talibit. Megjithatë kishte edhe njerëz të ngratë e të shkretë, të cilët nuk kishte kush t’i mbronte, dhe pikërisht ata u torturuan më shumë nga Kurejshitët. Në mesin e sahabëve që më së shumti u torturua ishte edhe El-Habeb ibnul Erat (radijaAllahu anhu), i cili ishte prej njerëzve të shtresës së ulët në Mekke dhe nuk kishte kush ta mbronte. Thotë Habeb ibnul Erat (radijaAllahu anhu) duke e përshkruar veten e tij në ato çaste: “Një ditë prej ditësh më morën dhe ndezën një zjarr. Pastaj më dogjën me atë zjarr, pra ma dogjën lëkurën në atë zjarr. Pastaj njëri prej Kurejshitëve e vendosi këmbën e tij në gjoksin tim dhe e shtypi fort shpinën time në tokë.” Pas kësaj ai e zbuloi shpinën para të pranishmëve dhe dukeshin qartë shenjat e torturës në shpinën e tij. Thoshte El-Habeb ibnul Erad (radijaAllahu anhu): “Nuk di ndonjë prej shokëve të Pejgamberit ﷺ, që është sprovuar ashtu siç jam sprovuar dhe ndëshkuar unë nga Kurejshitët!”
Lista e sahabëve që u torturuan për hir të Allahut, duke sakrifikuar për Allahun, është shumë e gjatë, shumë e dhimshme. Në mesin e tyre ishte edhe familja e Jasirit (radijaAllahu anhum), ku Sumeja (radijaAllahu anha) ishte edhe dëshmorja e parë në islam e cila u mbyt, po ashtu edhe torturat ndaj djalit të saj, Amarit (radijaAllahu anhu).
Këdo që e dinin se ka pranuar islamin dhe nuk kishte kush ta mbronte, atëherë e lëndonin dhe e torturonin shumë. Megjithëkëtë, prapë se prapë, Kurejshitët nuk patën sukses ta pengonin përhapjen e islamit. Në këto kohë të vështira, Ebu Bekër Es-Siddik (radijaAllahu anhu) i ndërmorri disa punë madhështore. Ai filloi të blinte robërit dhe skllevërit në mesin e sahabëve dhe pastaj i lironte. Në mesin e tyre ishte Bilali (radijaAllahu anhu) dhe Amir ibn Fuhejra (radijaAllahu anhu).
Kur Kurejshitët e panë se edhe kjo metodë e tyre e re, pra torturimi dhe lëndimi i muslimanëve, nuk do të kishte sukses, atëherë përdorën një metodë tjetër. Ata filluan të talleshin dhe ta përqeshnin Pejgamberin ﷺ. Në mesin e tyre ishte Esued ibn Abdil Jeguth, Esued ibnul Muttalib, Ebu Xhehl, faraoni i këtij ummeti dhe Ebu Lehebi, xhaxhai i Pejgamberit ﷺ. Gjithashtu, edhe Utejbe ibn Ebi Leheb, El-Uelid ibn Mugira, Ukbe ibn Muajti dhe shumë të tjerë.
Filluan ta tallnin e ta përqeshnin Pejgamberin ﷺ, megjithatë Pejgamberi ﷺ vazhdoi me përhapjen e mesazhit të tij duke duruar dhe shpresuar shpërblim tek Allahu. Pastaj Allahu e mbrojti të Dërguarin e Tij ﷺ.
Kurejshët vazhduan t’i turturonin muslimanët dhe çdokënd që i kishte besuar Pejgamberit ﷺ. Kjo fitne (sprovë) u ashpërsua shumë mbi sahabët. Prandaj Pejgamberi ﷺ u dha leje pastaj të migronin drejt Etiopisë. Grupi i parë i bekuar nga sahabët që doli për të migruar drejt Etiopisë përbëhej nga 11 burra dhe 4 gra. Ky ishte migrimi (hixhreti) i parë në islam në vitin e pestë të shpalljes. Prej atyre që migruan në këtë hixhret/migrim të parë drejt Etiopisë, ishte Uthman ibn Affan (radijAllahu anhu) së bashku me bashkëshorten e tij, vajzën e Pejgamberit ﷺ, Rukajjen (radijaAllahu anha). Udhëheqës i këtij grupi migrues të muslimanëve ishte Uthman ibn Madh’un. Gjatë kësaj periudhe, zbriti surja En-Nexhm dhe Pejgamberi ﷺ doli tek Qabja dhe e lexoi atë me zë të lartë. Kur arriti në fund të sures, aty ku përmendet bërja e sexhdes për Allahun, ai bëri sexhde, edhe mushrikët gjithashtu bënë sexhde, të ndikuar nga madhështia e ajeteve të Kuranit që dëgjonin.
Pastaj, ky lajm u përhap me të madhe sesi jobesimtarët Kurejsh kanë bërë sexhde në Mekke kur e kanë dëgjuar Kuranin dhe arriti edhe në Etiopi. Mirëpo arriti si i gjymtuar, jo i plotë, dhe kështu muslimanët menduan se banorët e Mekkes e kanë pranuar islamin dhe filluan të ktheheshin përsëri në Mekke.
Gjatë kësaj kohe islamin e pranoi edhe Hamza ibn Abdul Muttalib (radijaAllahu anhu), xhaxhai i Pejgamberit ﷺ. Pas tij e pranoi islamin edhe Umer ibnul Hattab (radijaAllahu anhu), për shkak të lutjes që kishte bërë Pejgamberi ﷺ. Kështu islami u fuqizua shumë dhe muslimanët filluan të ndiheshin krenar, ku edhe filluan të faleshin haptazi para Kurejshitëve në Qabe.
Pastaj, Kurejshitët filluan të përdornin një metodë tjetër të re ndaj Pejgamberit ﷺ: u munduan ta tundonin, ta joshnin me pasuri, me gra dhe me pushtet, në mënyrë që ai të zbrapsej nga daveti i tij. Kështu, Kurejshitët e dërguan Utbe ibn Rabijah që të diskutonte me Pejgamberin ﷺ lidhur me këto kërkesa, mirëpo ai i refuzoi të gjitha ato. Kur e dëgjuan këtë Kurejshitët, atëherë iu shtua edhe më shumë mllefi e urrejtja ndaj Pejgamberit ﷺ dhe davetit të tij. Filluan të kërkonin nga Pejgamberi ﷺ mrekulli të shumta, siç i përmend Allahu në Kuran: kërkuan që ta shikonin Allahun, engjëjt dhe të ngjajshme me këto.
Pas kësaj, Kurejshitët iu kthyen edhe një herë torturave dhe persekutimeve ndaj muslimanëve, e në veçanti ndaj njerëzve të varfër dhe të pambrojtur. Atëherë, Pejgamberi ﷺ edhe një herë iu dha leje shokëve të tij që të migronin drejt Etiopisë. Ky ishte migrimi i dytë. Numri i muslimanëve tani që po migronin drejt Etiopisë ishin 82 burra dhe 18 gra. Prijësi i tyre ishte Xhafer ibn Ebi Talib (radijaAllahu anhu).
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.