A lejohet t’i them shqip suret kuranore në namaz dhe lutjet nga suneti?

A lejohet t’i them shqip suret kuranore në namaz dhe lutjet nga suneti?

Të thuhen lutjet profetike me përkthim shqip si pasim ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, kjo nuk lejohet. Lutjet e bëra prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në gjuhën arabe, duhet t’i bëjmë arabisht. Nuk lejohet të thuhen me përkthim shqip. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i është drejtuar një sahabiu me fjalët: “Kur të shkosh për të fjetur, merr abdes dhe lute Allahun me këtë lutje”, lutja është më e gjatë por po sjellim një pjesë të fundit ku thotë: “… besoj në Librin që e ke zbritur (Kuranin) dhe në Pejgamberin që e ke dërguar (Muhamedin salAllahu alejhi ue selem).” Kur e ka përsëritur këtë lutje sahabiu ka thënë: “…dhe në të Dërguarin që e ke dërguar”. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i thotë: “Thuaje ashtu siç të thash unë.” Në gjuhën arabe “nebij (Pejgamber)” dhe “resul (i Dërguar)” janë sinonime, e megjithatë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë ta thotë ashtu siç e mësoi, pa e ndryshuar.

Nëse në gjuhën arabe nuk lejohet ndryshimi, duke sjell një fjalë që është sinonim i një fjale tjetër, atëherë nuk lejohet as të thuhen me përkthim shqip. Duhet mësuar dhe të thuhen ashtu siç janë në gjuhën arabe. Ne e dimë se Allahu e zbriti Librin e Tij në gjuhën arabe dhe e veçoi fenë Islame me këtë gjuhë, si dhe sqarimi i Kuranit në sunet është bërë në këtë gjuhë. Gjuhët e tjera janë të mangëta ku gjatë përkthimit ka mundësi të mos i jepet e drejta e plotë një lutjes së përkthyer. Andaj duhet të thuhen ashtu siç janë transmetuar në sunet.

Është dhe një rast tjetër, një prej sahabëve ishte sëmurë dhe kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dëgjoi, shkoi ta vizitojë. Ai pa se ishte dobësuar shumë, nuk i dëgjohej zëri, fliste si zogu, kishte pak zë. Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i është dhimbsur shumë dhe i thotë: “A mos je lutur me ndonjë lutje?” Ai ia kthen: “Po, e kam lutur Allahun: “Dënimin që ma ke caktuar për mua Ditën e Gjykimit, shpejtoma në këtë botë!” Ai salAllahu alejhi ue selem i thotë: “Ti nuk mund ta përballosh atë dënim (në këtë dunja). Porse të ka mjaftuar të thoshe:

رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ

“Rab-bené etiné fi dunjé haseten we fíl ékhirati haseneten we kiné adhében-nér (O Zoti im, me jep të mira në këtë dunja dhe në ahiret dhe më ruaj nga dënimi i zjarrit!).” Kjo lutje përfshin të gjitha të mirat.

Njeriu nuk duhet të shpikë lutje prej vetes apo të largohet prej udhëzimit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Porse, nëse personi e ka dëgjuar përkthimin e një lutjeje gjatë ndonjë ligjërate, të cilën e ka bërë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, dhe me të i drejtohet Allahut në gjuhën shqipe, si lutje e përgjithshme, kjo nuk ka të keqe. Mirëpo, të thuhen lutjet profetike në shqip si pasim ndaj të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem duke shpresuar me këtë shpërblim për pasimin ndaj tij, kjo nuk lejohet.

Nuk ka të keqe të lutesh tek Allahu për të ta plotësuar dëshirën apo nevojën, mirëpo sa i përket lutjeve të përgjithshme me të cilat lutesh, është mirë që t’i përmbahesh lutjeve të cilat janë transmetuar në sunetin profetik.

Përderisa nuk lejohet të thuhen lutjet të përkthyera, pa dyshim se nuk lejohet as thënia e sureve në gjuhën shqipe, gjatë namazit. Është me pajtueshmëri të dijetarëve se ai që fal namaz duhet të lexojë suren Fatiha në gjuhën arabe. Nuk i pranohet nëse e lexon shqip. Nëse nuk e di përmendësh, e lexon në letër gjatë namazit. Dijetarët thonë se edhe pjesët e tjera të namazit nuk lejohet të thuhen në gjuhë tjetër, p.sh.: kur merr tekbir për namaz duhet të thuhet “Allahu ekber”, e jo “Allahu është më i Madhi” dhe të hysh në namaz, apo dhikret e tjera. Atij që nuk di shkrim dhe lexim, e as nuk mund ta mësojë suren Fatiha për të falë namazin, Pejgamberi salAllahu alejhi ia ka lehtësuar, duke thënë që në vend të sures Fatiha të thotë “SubhanAllah, Elhamdulilah, Allahu ekber, la ilahe ilAllah”, dhe falët me to derisa ta mësojë Fatihanë përmendësh.

Ndërsa, kur je në namaz gjatë sexhdes lejohet të bësh lutje në gjuhën shqipe, pasi thua “Subhane Rabbijel ale”, pastaj mund të lutesh me lutje e tua në gjuhën shqipe. Kurse, lutjet që janë transmetuar në hadithe nuk lejohet të thuhen të përkthyera.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit