Agjërimi dhe disa çështje të akides (2)

 

» Të kemi parasysh mangësinë e tonë në adhurime

Besimtarët bëjnë bashkë mes përsosjes së veprës dhe frikës për pranimin e saj. Allahu kur i përshkruan besimtarët e devotshëm thotë: “Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre, që besojnë në shpalljet e Zotit të tyre, që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre, ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” Muminun 57-61. Lidhur me ajetin: “kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plotë frikë”, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë ata të cilët agjërojnë, falin namaz dhe japin lëmoshë dhe kanë frikë se mos nuk do t’iu pranohen.” Gjithmonë duhet të kemi parasysh se kemi mangësi të shumta në adhurimet tona.

Kjo gjë patjetër do të sjellë si rezultat dy gjëra të rëndësishme:

  1. Thyerjen shpirtërore para Allahut, nënshtrimin/përuljen dhe shfaqjen e nevojës për Atë. Ibën Kajim ka thënë: “Porta më e afër përmes së cilës hyn tek Allahu, është dështimi – të mos mendosh se ke arritur një pozitë tek Allahu.”
  2. Pendimi tek Allahu. Secili prej nesh ka nevojë që agjërimit t’ia bashkëngjitë edhe pendimin sepse sado që mundohemi ta kryejmë agjërimin në formën më të mirë të mundshme, nuk do të mundemi. Sa më shumë që njohim mangësitë tona, aq më shumë do të pendohemi tek Allahu.

Hoxhe Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit