Ajetet që pohojnë shikimin në Fytyrën e Allahut në Xhenet
وُجُوهٌۭ يَوْمَئِذٍۢ نَّاضِرَةٌ
إِلَىٰ رَبِّهَا نَاظِرَةٌۭ
Allahu thotë: “Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do të shohin.” Kijame 22-23.
“që shkëlqejnë/ndriçojnë” që janë të bukura. Këto janë fytyrat e besimtarëve në Ditën e Gjykimit. Përkthimi i ajetit fjalë për fjalë është: Disa fytyra do të shikojnë te Zoti i tyre.
Allahu na tregon se këto fytyra do të kenë dy cilësi:
- Do të shkëlqejnë, janë të bukura, nga bukuria ndriçojnë.
- Do të shikojnë te Zoti i tyre.
Ky shikim do të jetë me sy dhe do të jetë i vërtetë. Ata me sytë e ballit do ta shohin Allahun në Xhenet. Kur e shohin Allahun, u shtohet më shumë shkëlqimi e bukuria. Mirëpo, kur themi se do ta shikojnë me sytë e tyre, kjo nuk duhet të kuptohet se ata do ta përfshijnë/arrijnë Allahun me shikimet e tyre, sepse kjo është e pamundur, siç thotë: “Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë” Enam 103.
Është interpretim i gabuar kur thuhet se qëllimi i ajetit është se këto fytyra do të presin shpërblimin e Allahut, e jo se do ta shikojnë Atë.
Ajeti na tregon se vetëm një pjesë e njerëzve do të shohin Allahun në Xhenet (Ai do t’ua forcojë shikimin në mënyrë që ta shohin), por jo në këtë botë. Nuk është vërtetuar kurrë që ndokush prej njerëzve ta ketë parë Allahun në këtë botë. Ibën Tejmije ka thënë: “Të gjithë dijetarët e myslimanëve kanë pajtueshmëri se askush nuk mund ta shohë Allahun me sytë e tij në jetën e kësaj bote.”
Tekstet (ajetet dhe hadithet) që flasin për këtë temë, janë të prera sa i përket saktësisë dhe argumentimit. Ehli suneti besojnë se besimtarët do të shikojnë Allahun edhe në Ditën e Gjykimit, para hyrjes në Xhenet, dhe edhe pasi të futen në Xhenet. Shikimi tek Allahu në Xhenet, është shikim i kënaqësisë, dhe Ai i nderon ata me këtë shikim. Kurse, shikimi tek Allahu në Ditën e Gjykimit është tjetër shikim.
***
عَلَى ٱلْأَرَآئِكِ يَنظُرُونَ
Allahu thotë: “…duke shikuar nga divanet.” Mutaffifin 23.
“divanet” – divan i mbuluar me një mbulesë të butë, luksoz. Divanet e Xhenetit nuk krahason me divanet e kësaj bote.
Në këtë ajet nuk po përmendet se çfarë shikojnë. Kjo tregon përgjithësim, pra do të shikojnë të gjitha ato gjëra që i gëzojnë dhe me të cilat kënaqen.[1]
E kënaqësia më e madhe dhe më madhështore me të cilën do të kënaqen banorët e Xhenetit është shikimi në Fytyrën e Allahut. Ai më tej thotë: “Në fytyrat e tyre do të njohësh shkëlqimin e Lumturisë.” Mutaffifin 24.
***
Allahu thotë: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!” Junus 26.
“Ata që bëjnë vepra të mira” kjo ka dy kuptime:
- Kryejnë obligimet dhe largohen prej ndalesave e mëkateve.
- Veprat i bëjnë sinqerisht për Allahun dhe sipas sunetit.
- Adhurojnë Allahun sikur janë duke e parë Atë.
“do të kenë shpërblim të mirë” – do të kenë Xhenetin. Mjafton si bukuri dhe stolisje për Xhenetin fakti që kulmi i tij është Arshi i Allahut. E Arshi është prej krijesave më të bukura të Tij, kënaqesh kur e sheh atë.
“madje edhe më tepër!” – Këtë e ka sqaruar vetë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në hadithin të cilin e transmeton Muslimi ku thotë: “Kur banorët e Xhenetit hyjnë në të, Allahu do t’i pyesë: “A dëshironi diçka shtesë?” Ata do të thonë: “A nuk na zbardhe fytyrat tona, a nuk na fute në Xhenet dhe na ruajte prej Xhehenemit?!” Dhe Allahu do të largojë perden mes Tij dhe krijesave. Atyre nuk u është dhënë asnjë shpërblim më i dashur i cili i kënaq më shumë sesa shikimi në Fytyrën e Allahut.” Pastaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem lexon ajetin: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!” Junus 26. Ai salAllahu alejhi ue selem pa dyshim se ka qenë njeriu më i dijshëm rreth kuptimeve të Kuranit.
Ky ajet pohon qartësisht shikimin e Allahut në Xhenet. Kjo është një kënaqësi që nuk mund të krahasohet me asnjë kënaqësi tjetër që është aty. Kjo është një kënaqësi shtesë – më shumë sesa Xheneti. Këtë kënaqësi Allahu ua jep banorëve të Xhenetit vetëm prej mirësisë dhe mëshirës së Tij (e nuk mund të arrihet me asnjë prej veprave dhe shkaqeve). Kjo shtesë është begati dhe dhunti e pastër, me të cilën Allahu dëshiron t’i nderojë banorët e Xhenetit. Ndërsa, veprat e mira që kanë bërë në jetën e kësaj bote, janë shkak për të hyrë në Xhenet- edhe pse edhe hyrja në Xhenet është me mëshirën e Allahut, porse pa vepra të mira nuk mund të hysh në të. Veprat e mira nuk janë shkak për të arritur këtë shpërblim shtesë.
***
Allahu thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” Kaf 35.
Nëse njeriu dëshiron një gjë në Xhenet, menjëherë i realizohet, saqë nëse dëshiron të ketë fëmijë, atëherë aty për aty i mundësohet lindja e fëmijës. Allahu thotë: “Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë.” Zuhruf 1. Dhe: “Askush nuk di se çfarë gëzimesh/kënaqësi janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” Sexhde 17.
“e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë” – Dijetarët kanë komentuar:
–Allahu u jep më shumë sesa që dëshirojnë.
–Është fjala për shtesën – Shikimin në Fytyrën e Allahut.
Nuk ka kundërshtim mes këtyre dy interpretimeve sepse shtesa më e madhe dhe më e larta prej shpërblimeve për banorët e Xhenetit, është shikimi në Fytyrën e Allahut.
[1] Banori i Xhenetit do të shohë shpërblimin e tij aq sa ecë njeriu 2000 vite, si shpërblimin që ka afër si atë që ka larg, edhe nëse është larg për kaq vite e më shumë. Kjo është prej kënaqësisë së plotë që Allahu ua jep banorëve të Xhenet. Sikur shikimi i tyre të ishte si shikimi i jetës së kësaj bote, atëherë nuk do të kënaqeshin me të gjitha kënaqësitë e Xhenetit, por do ta shihnin vetëm një pjesë të kënaqësive që janë afër tyre.
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim