Akidja së pari

 

• Çështja më parësore dhe më e rëndësishme për besimtarin është akidja, më e madhja çështje sesa çdo gjë, sesa ushqimi, pija e ajri. Akidja është baza, ndërsa të tjerat janë degët. Nëse baza nuk është në rregull atëherë degët nuk pranohen. Shumë prej sekteve i kushtojnë rëndësi të madhe vetëm moralit ndërsa akiden e lënë anash apo nuk merren me të (sipas tyre ngase shkaktohet përçarje mes muslimanëve), gjë kjo e cila është në kundërshtim me Islamin dhe rrugën e Pejgamberëve. Të gjithë ata e kanë filluar thirrjen prej akides, e jo duke nisur me moralin. Por, morali vjen pastaj. Nuk është qëllimi me këto fjalë të nënvlerësohet morali dhe rëndësia e tij, patjetër duhet të flitet edhe për të, por kur vjen puna e krahasimit me akiden atëherë padyshim se akidja është baza ndërsa të tjerat gjëra janë degë që bazohen tek ajo. Ndërkaq, kur njeriu rregullon akiden e tij patjetër do të rregullojë dhe moralin e tij. Kur akiden e ke në rregull, do ta kesh frikë Allahun, dhe rrjedhimisht nuk do të bësh padrejtësi, gjë kjo e cila përfshihet te morali, tek edukata, gjithashtu do të ruhesh prej mëkateve etj. Akidja nuk duhet të merret si diçka e lehtë duke thënë “ajo mësohet brenda një ligjërate, apo një serie të ligjëratave”. Kjo nuk është e saktë. Sikur të ishte me kaq atëherë nuk do të kishte kaq shumë devijime dhe sekte në Islam. Përkundrazi, për akiden e teuhidin duhet folur vazhdimisht. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem vazhdimisht e ka bërë këtë, qoftë në Meke kur kanë qenë të dobët apo në Medine kur janë forcuar, qoftë në beteja, qoftë në shëndet e sëmundje, qoftë para vdekjes etj. Mashtrimi i parë që shejtani ia bën njeriut është kur mendon e thotë: “E kuptuam teuhidin dhe nuk është e nevojshme të përsërisim çështjet e tij apo të flitet për të”, pra kur nënvlerëson rëndësinë e teuhidit. Kështu kanë devijuar popujt e mëhershëm apo gjeneratat e mëhershme të muslimanëve. Së pari, e kanë harruar rëndësinë e teuhidit. Shejtani mundohet të largojë tek njerëzit rëndësinë e teuhidit në jetët e tyre. Teuhidi ndërlidhet me tërë jetën e njeriut. Para çdo situate me të cilën ballafaqohesh në jetën tënde, ke të bëjë me teuhidin, lidhet me të, qoftë sprovë (a do të tregosh durim), mirëqenie e mirësi (a do të jesh falënderues) etj. Veprimet e sakta në këto situata vijnë prej akides së saktë të personit. Kur ke akiden e teuhidin e saktë, atëherë rrjedhimisht para sprovës do të tregohesh i durueshëm (ngase e njeh kaderin e Allahut etj.).

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live 🎥 – Transkriptim.

Madhësia e tekstit