Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë
Allahu thotë: “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë.” Haxh 40. Ky parim është premtim prej Allahut se Ai do t’i ndihmojë ata besimtarë të cilët e kanë brengë fenë e Allahut, në çdo kohë dhe vend. Ndihmën, triumfin, fitoren (en nasr) secili i lakmon dhe dëshiron. Megjithatë, edhe pse këto janë synime të të gjithëve, metodat për t’i arritur atë janë të ndryshme (te secili). Allahu na tërheq vërejtjen që të fokusohemi e ta ngulisim në zemra e mendje shkakun kryesor që Allahu të na ndihmojë, e që është: ndihma e fesë së Tij.
Allahu na tregon në këtë ajet se cili është realiteti i ndihmës së Allahut, e që është: zbatimi i urdhrave të Allahut, largimi nga ndalesat e Tij dhe ndihma e fesë së Tij. Ky parim përmendet brenda dy ajeteve madhështore të cilat na shpërfaqin shkaqet kryesore të ndihmës së Allahut ndaj muslimanëve, “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” Menjëherë përmend shkaqet e ndihmës së Tij: “(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.” Ajetet 40-41.
Si ta ndihmojmë ne Allahun? A ka nevojë Allahu për ndihmën tonë? Dijetarët thonë: “E ndihmon Allahun atëherë kur e ndihmon fenë e Tij dhe sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.” Kjo ndihmë prej Allahut, ia garanton muslimanit krenarinë në jetën e kësaj bote dhe pozitën në tokë. Në këtë ajet Allahu do që të na tregojë se feja e Tij nuk ndihmohet me diçka të ngjashme sesa kur i shfaqim haptazi këto simbole të fesë:
-E para: namazi, që është shtylla kryesore e Islamit pas shehadetit, lidhja më e fortë mes njeriut dhe Zotit. Nuk është për qëllim vetëm falja e namazit, por falja me të gjitha gjërat që kërkohen (kushtet, obligimet, sunetet etj.). Kur muslimani fal namazin, merr fuqi fizike dhe shpirtërore dhe qetësi psikologjike.
E dyta: zekati, kur muslimanët japin zekatin me zemër të mirë duke mposhtur koprracinë dhe lakminë dhe duke iu dalë në ndihmë sadopak atyre që kanë nevojë në shoqëri.
E treta: urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga të këqijat, kur njerëzit edhe pse janë të mirë në vetët e tyre përmirësojnë edhe të tjerët. Njerëzit mund të jenë injorantë e të shkujdesur (u jepen përkujtime, nxiten etj.), apo të pabindur e kryeneçë (ndalen nga e keqja nëse nuk u bën dobi e para).
Kur një vend apo një popull praktikon këto vepra, Allahu i ndihmon, u jep sukses dhe i ruan. Dëshmia më e qartë për këtë është biografia e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe shokëve të tij, sidomos e katër udhëheqësve të drejtë. Ndërsa, nëse tregohen të shkujdesur ndaj këtyre gjërave, atëherë Allahu lë që ata t’i mbështeten vetes së tyre.
Është e çuditshme kur sheh muslimanë të cilët edhe pas këtij sqarimi për shkaqet e ndihmës së Allahut, ata largohen prej tyre, madje ndoshta përqafojnë ideologji që nuk kanë të bëjnë me fenë e Allahut dhe pastaj presin ndihmën e Tij! Kjo është e pamundur.
“Dëshiron shpëtimin e nuk ec rrugës së tij!
Anija nuk lundron në të thatë.”
Në luftën e Uhudit ka ndodhur disfata e muslimanëve për shkak të një urdhri të pazbatuar të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem prej disa sahabëve. Po si është gjendja e muslimanëve sot? Sa shumë urdhra kundërshtohen qoftë vetëm brenda dite?! Janë çuditur e kanë thënë: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhamed): “Kjo ndodhi prej jush”. Ali Imran 165. Gjithashtu në suren Enfal Allahu përmend shkaqet kryesore të arritjes së ndihmës së Tij, “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.” Enfal 46. Allahu thotë: “Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët” Rum 47. Dhe: “Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” Enbija 88. Allahu na tregon se shkak për ndihmën e Tij është besimi. Mirëpo, cili besim (iman)? Është besimi i mirëfilltë, qëllimi është për besimtarët e mirëfilltë.
Andaj parashtrohet pyetja: “Pse po vonohet ndihma e Allahut?” Do të përmendim katër përgjigje të dijetarëve islam, që kanë jetuar në vende të ndryshme të botës.
─ Dijetari Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) i cili ka jetuar në Andaluzi dhe ka vdekur në vitin 671 hixhri, ka thënë: “Veprat e shëmtuara dhe nijetit e prishura e pengojnë ndihmën e Allahut, derisa numri i madh i ushtrisë së muslimanëve thyhet nga numri i vogël i jobesimtarëve. Kjo është për shkak të asaj që veprojmë me duart tona. Ebu Derda ka thënë: “Luftoni me veprat tuaja dhe me largim nga gjynahet”. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A nuk u vjen furnizimi dhe ndihma e Allahut veçse për shkak të të dobëtëve[1] në mesin tuaj?” Pastaj, shkujdesja ndaj të dobëtëve, durimi i paktë, mbështetja e dobët tek Allahu, mungesa e devotshmërisë… Kështu shkaqet e ndihmës së Allahut nuk janë të pranishme në mesin e muslimanëve (po flet për kohën e tij).” Shumë njerëz çuditen se si ka mundësi që në atë kohë jobesimtarët e Evropës të cilët kanë qenë të prapambetur e të paarsimuar, të arrinin të mposhtnin muslimanët e Spanjës të cilët kanë qenë shumë të avancuar. Kurtubiu ka ikur prej Andaluzisë dhe ka shkuar në Egjipt, madje në shkrimet e tij nuk gjen mall për Andaluzinë e lënë pas. Dhe ai ka treguar shkakun se pse janë mposhtur muslimanët në atë kohë dhe ka përmendur se ka qenë i përhapur imoraliteti me të madhe, njerëzit më nuk kishin siguri për vetët e tyre, për nderin e tyre dhe pasurinë e tyre, pra muslimanët kishin lëshuar fenë, andaj dhe ka ardhur ndëshkimi i Allahut (duke ua dërguar armikun). Shumë njerëz sot mashtrohen e vajtojnë: “Andaluzia, Andaluzia”, të mahnitur me muret e ndërtimet, pa e ditur realitetin e muslimanëve të asaj kohe.
─ Ibën Tejimije (Allahu e mëshiroftë!) i cili ka përjetuar trazirat e muslimanëve me tatarët dhe ka vdekur në vitin 728 hixhri, ka thënë: “Nëse te muslimanët ka dobësi dhe armiku i mposhtë ata, kjo është për shkak të gjynaheve të tyre. Ata ose janë treguar të shkujdesur në kryerjen e obligimeve ose kanë bërë ndalesa.”
─Muhamed Rashid Rida (Allahu e mëshiroftë!) i cili ka përjetuar periudhën e dobësisë së umetit islam dhe ka vdekur në vitin 1354, ka thënë: “Sot shohim se shumë prej atyre që pretendojnë besimin nuk po ndihmohen nga Allahu. Mirëpo, ka mangësi në besimin e tyre. Edhe nëse dikush ka dëshirë të ndihmojë fenë, ka hise edhe nefsi në të (nuk e ka për hir të Allahut) dhe njerëzit nuk po marrin shkaqet me anë të të cilave Allahu u ndihmon. Allahu nuk shkel premtimin e Tij, nuk zhvlerëson ligjin që ka sjellë në këtë botë (kur njeriu ndërmerr shkaqet fetare apo materiale Ai e ndihmon), mirëpo Ai e ndihmon besimtarin e vërtetë, i cili ka për qëllim të ndihmojë fenë e Tij dhe të ngrehë lartë Fjalën e Tij.”
─ Es Sidij (Allahu e mëshiroftë!) i cili ka vdekur në vitin 1376 ka thënë: “Besimi është i dobët (te muslimanët), zemrat janë të përçara, qeveritë të pa bashkuara, ka armiqësi, urrejtje e përçarje, në anën tjetër armiqtë e brendshëm e të jashtëm punojnë natë e ditë, fshehtas e haptazi, për të shkatërruar fenë, pastaj ateizmi e materializmi kanë sjellë rryma shkatërruese në mesin e muslimanëve, valët e të cilave kanë goditur të rinjtë e të moshuarit, pastaj propaganda e madhe që bëhet për të prishur moralin e muslimanëve, pastaj dhënia pas dunjasë, saqë ajo është bërë preokupimi kryesor për disa, për të pajtohen e hidhërohen, pastaj propaganda për moslakminë ndaj ahiretit, pastaj propaganda për lavdërimin e qytetërimeve të ndërtuara mbi ateizëm e materializëm etj. Këto i kanë dëmtuar shumë muslimanët. Megjithatë besimtari nuk duhet të humbasë shpresën në mëshirën e Allahut dhe nuk duhet të kufizojë shikimin në shkaqet e jashtme materiale, porse me zemrën e tij duhet të jetë i kthyer në çdo kohë drejt Atij që i shkakton shkaqet, e Ai është Allahu. Dhe duhet të ketë parasysh gjithmonë se ndihma e Allahut vjen, Ai nuk e shkel premtimin, mirëpo ajo vjen kur njeriu ndërmerr shkaqet (e duhura).”
Kur muslimanët përpiqen që sinqerisht të ndihmojnë fenë e Allahut, atëherë pa dyshim se ndihma e Tij nuk do të mungojë, mirëpo duhet të përmirësohen, së pari të përmirësojnë besimin në vetët e tyre, pastaj familjen, pastaj rrethin ku jetojnë.
[1] Ata që janë të dobët janë më të sinqertë ndaj Allahut kur bëjnë lutje, janë më të përulur ndaj Tij, zemrat nuk i kanë të lidhura për dunjan. Andaj, kur ata i luten Allahut, Ai ua pranon lutjet.
Hoxhë Petrit Perçuku
Transkriptim📝

