“Allahu i dhëntë shkëlqim në fytyrë atij njeriu i cili dëgjon thënien time, pastaj e mëson përmendsh, e kupton dhe e përcjell atë!” Sahih.
Këtu Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka ndërlidhur thirrjen për atë i cili mëson. Pra, edhe nëse e mëson një gjë të thjeshtë prej fesë. Kushdo që dëgjon diçka prej haditheve, e mëson përmendsh dhe e kupton, e ka për obligim ta përcjellë tek të tjerët. Dhe, kushdo që mëson diçka prej fesë dhe e kupton atë (i qartësohet me argumente) dhe e transmeton tek të tjerët, atëherë do ta përfshijë kjo lutje e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe ky shpërblim.
Sot, përhapja e davetit dhe e hajrit, nuk mund të arrihet ndryshe përveçse përmes bashkëpunimit mes nesh. Nëse dikush mendon se i vetëm, apo vetë i dyti e i treti, mundet të bëjë davet dhe se nuk ka nevojë për të tjerët në këtë rrugë, kjo është e pamundur, porse është obligim bashkëpunimi në mirësi e devotshmëri. Dikujt Allahu ia ka mundësuar të mësojë të tjerët, dikujt të mbajë ligjërata, dikujt të urdhërojë të tjerët për vepra të mira, dikush tjetër ka mundësinë të shpërndajë libra, dikush tjetër shkruan për fe etj. Secili që punon sado pak për të përhapur fenë e Allahut, shpresojmë të futet tek ky hadith dhe në realizimin e mirësisë që përmendet në të.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.