• Arritja e devotshmërisë në zemër
(Një prej aspekteve është se) Teuhidi si rezultat sjell devotshmërinë në zemër. Mirëpo, praktikisht se çfarë të veprohet përveç kësaj, është që të lexosh për sirën (biografinë e njerëzve të devotshëm) se si e kanë pasur frikë Allahun, si janë ruajtur prej mëkateve, shembujt që janë përmendur etj. Kjo të ndihmon shumë që edhe ti të përpjekësh t’u ngjasosh atyre. Edhe ata kanë qenë njerëz sikurse ne mirëpo kanë arritur të realizojnë devotshmërinë.
Prej pjesëve të teuhidit është të mësosh për emrat dhe cilësitë e Allahut. Dhe sa më shumë që e njeh Allahun aq më shumë do ta kesh frikë Atë dhe kur e ke frikë Atë atëherë ruhesh prej mëkateve. Ibn Kajjim rahimehullah ka thënë: “Kush e njeh më mirë Allahun, e ka frikë më shumë Atë.” Do ta adhurojë më shumë si dhe do të qëndrojë larg mëkateve më shumë. Ne e dimë se Allahu na sheh, na dëgjon etj., mirëpo si të arrihet të ngulitet kjo në zemër? Arrihet duke e trajnuar veten, duke bërë durim ndaj mëkateve (kur të shfaqet një mëkat të detyrosh veten të mos biesh në të), dhe gradualisht arrin që t’iu bësh ballë mëkateve dhe të bëhesh më i fortë ndaj tyre. Sa më shumë që e detyron veten të jesh i durueshëm, do të jesh i tillë dhe nuk do të biesh në mëkate.
Devotshmëri është ruajtja nga mëkatet. Pjesë e devotshmërisë është edhe kryerja e adhurimeve, mirëpo për të ditur veten se sa je i devotshëm është kur para teje shfaqet mëkati dhe se a po arrin ta frenosh veten të mos biesh në të, kjo është shenjë e devotshmërisë. Dikush e ka shumë lehtë të bëjë adhurime të shumta, mirëpo kur vjen rasti i rënies në mëkat shumë lehtë bie në të. I tilli ende duhet të punojë me devotshmërinë e tij. Dijetarët kanë thënë se kuptimi i të qenit takwa është: “Vendosja mes teje dhe dënimit të Allahut një mburojë.” E kjo arrihet duke kryer obligimet dhe duke u larguar prej mëkateve. Kjo sidomos kur jemi vetëm, larg syve të njerëzve, e cila është peshorja më e mirë ku ne e dallojmë veten se sa jemi të devotshëm.
Nuk duhet të të mashtrojnë fjalët lavdëruese të njerëzve (se je i mirë i devotshëm). Secili e njeh veten kur është vetëm, se a po ruhet nga mëkatet apo jo.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.🎥