Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit
Shkaku i trembëdhjetë: Bamirësia ndaj njerëzve
Prej adhurimeve më madhëshore përmes të cilave ngritën shkallët tona tek Allahu në xhenet është garimi në punë të mira. Kush ndjek këtë rrugë, do t’i dhurohet shpëtimi dhe lumturia në këtë botë, e gjithashtu do t’i hapen dyert e xhenetit pas vdekjes. Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Më të mirët në mesin tuaj janë ata që jetojnë më së gjati dhe bëjnë vepra të mira.” Qëllimi është: a) i përkryejnë veprat, b) u bëjnë mirë njerëzve.
Bamirësia është rrugë për lumturi, rrugë përmes të cilës njeriu arrin të përjetojë ëmbëlsinë e besimit. Ajo ka nevojë për një zemër të pastër e të dëlirë, e cila në raport me njerëzit nuk mban diçka të keqe, por mban vetëm atë që është më e mira. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur është pyetur se cili është njeriu më i mirë është përgjigjur: “Ai që ka zemër të pastër dhe gjuhë të sinqertë, zemër e cila ka frikë ndaj Allahut dhe është e kulluar, në të cilën nuk ka mëkat, urrejtje e zili ndaj të tjerëve.”
Secili nga ne duhet të kërkojë ëmbëlsinë e besimit në bamirësinë ndaj të tjerëve, si: në faljen e të tjerëve kur e lëndojnë duke e mbajtur zemërimin, në ndaljen e dorës nga lëndimi i të tjerëve, në uljen e shikimit, në ndihmën ndaj të goditurve nga sprovat apo pikëllimi, në fërkimin e kokës së jetimit, në durimin ndaj të tjerëve kur sillen keq apo e lëndojnë etj.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që mban zemërimin e tij për hir të Allahut, edhe pse ka mundësi ta zbatojë atë (të veprojë me të), Ai do ta ftojë në Ditën e Gjykimit në prezencën e krijesave dhe do t’ia mundësojë të zgjedhë cilëndo prej hyrive të xhenetit që dëshiron.”
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Musliman i vërtetë është ai prej dorës dhe gjuhës të së cilit janë të shpëtuar të tjerët.”
Në një hadith kujdsij tregohet se Allahu do t’i thotë njeriut në Ditën e Gjykimit: “O biri i Ademit, jam sëmurë dhe nuk më ke vizituar.” Njeriu thotë: “O Zoti im! Si të të vizitoj kur Ti je Zoti i botëve (nuk sëmuresh)?!” Thotë: “A nuk e ke ditur se robi im (filani) ka qenë i sëmurë dhe nuk e ke vizituar? A nuk e ke ditur se sikur ta vizitoje do të më gjeje Mua tek ai?!” –“O biri i Ademit, kam kërkuar prej teje ushqim dhe nuk më ke ushqyer.” Njeriu thotë: “O Zoti im! Si të të ushqej Ty kur ti je Zoti i botëve?!” Thotë: “A nuk e ke ditur se robi im (filani) ka kërkuar ushqim prej teje dhe ti nuk i ke dhënë?! A nuk e ke ditur se sikur t’i jepje do të gjeje shpërblimin kësaj tek Unë?!” –“O biri i Ademit, kam kërkuar ujë prej teje dhe nuk më ke dhënë.” –“O Zoti im! Si të të jap ujë kur Ti je Zoti i botëve?!” –“Robi im (filani) ka kërkuar ujë prej teje dhe ti nuk i ke dhënë?! Sikur t’i jepje ujë do të gjeje shpërblimin e kësaj tek Unë.”
Transmetohet se një person e ka ofenduar Abdullah ibn Abbasin, dhe ky i ka thënë: “Ti më ofendon mua por unë kam tri tipare: sa herë që lexoj një ajet në Kuran dhe e kuptoj (e di) domethënien e tij, do të doja që të gjithë njerëzit ta kuptonin si unë, kur dëgjoj për një udhëheq të muslimanëve që është i drejtë në udhëheqjen e tij gëzohem, edhe pse ndoshta kurrë nuk do të gjykohem tek ai, kur dëgjoj se ka rënë shi në një vend të muslimanëve me varfëri e thatësi gëzohem shumë, edhe pse nuk kam kafshë që kullosin në të.” Muslimani duhet të jetë i tillë me zemër, i mirë e i pastër, në raport me të tjerët.
Transmetohet se Maruf el Kirhi ka qenë ulur një ditë në bregun e lumit Tigër (në Bagdad). Aty pranë kanë kaluar disa të rinj në një varkë, duke pirë alkool e me muzikë, dhe të tjerët që kanë qenë afër Marufit i kanë thënë: “A nuk po i sheh duke i bërë mëkat Allahut haptazi në këtë lumë?! Ngrehi duart dhe lute Allahun kundër tyre.” Ai ka ngrehur duart e është lutur: “O Allah, ashtu siç i ke gëzuar në këtë dunja, gëzoji në botën tjetër!” Ata janë çuditur ngase prej tij kërkuan të lutet kundër. Dhe u ka thënë: “Nëse Allahu ua mundëson të gëzohen në botën tjetër, atëherë kjo i bie që t’ua mundësojë pendimin dhe pranimin e tij.”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.