Baza të raporteve të mira

Baza të raporteve të mira

 

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë i butë në fjalë dhe veprime, ai nuk ka qenë i vrazhdë e nuk ka pasur zemër të ngurtë.

Allahu thotë: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” Ali Imran 159.

Allahu na tregon këtu se prej mëshirës së Tij ka qenë butësia e Pejgamberit  salAllahu alejhi ue selem ndaj umetit në fjalë e veprime.

Allahu thotë: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” Teube 128.

1.Mëshira. Duhet të jemi të mëshirshëm me njëri-tjetrin. Ai që i ka prindërit gjallë duhet të sillet me mëshirë ndaj tyre. Ata duhet të shohin prej tij vetëm sjelljet që duan. Është mirë që njeriu të plotësojë dëshirat e prindërve para se ata ta urdhërojnë. Kjo është shkalla më e lartë e mirësjelljes ndaj tyre. Allahu thotë: “Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” Isra 23-24. Disa dijetarë të selefit kanë thënë se para prindërve duhet të jesh sikur që je i përulur në namaz para Allahut (t’iu nënshtrohesh dhe të qëndrosh para tyre me edukatë). Nuk duhet të ngre zërin ndaj tyre e as t’i lëndojë me fjalë.

Me mëshirë duhet të sillet edhe me gruan dhe fëmijët e tij. Enesi radijAllahu anhu ka treguar: “Nuk kam parë njeri më të mëshirshëm me familjen e tij sesa Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.” Të jesh i mëshirshëm ndaj gruas duke mos e ngarkuar më shumë sesa që përballon, duke e ndihmuar në punët e shtëpisë (kjo nuk e pakëson burrërinë, kjo ka qenë cilësi e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem), duke ia respektuar dhe nderuar familjen etj. Gjithashtu gruaja duhet të jetë e mëshirshme ndaj burrit të saj, duhet të plotësojë obligimet që ka ndaj burrit, ta nderojë e respektojë, të ndalë gjuhën e saj e të mos e lëndojë, ta respektojë familjen e tij etj.

Me mëshirë duhet të veprojnë edhe komshinjtë ndërmjet veti. Sa më shumë që tregohemi të mëshirshëm ndaj muslimanëve, aq më shumë Allahu lëshon mëshirën e Tij mbi ne, “Mëshironi ata që janë në tokë, ju mëshiron Ai që është në qiell”– Hadith. Do të thotë: të mëshirshëm edhe ndaj krijesave të tjera në tokë, sidomos me njerëzit më të afërm.

Sa më të afërm, aq më shumë duhet të jemi të mëshirshëm me ta.

  1. Butësia në fjalë e vepra. Edhe në këtë pikë përfshihen të gjithë njerëzit, sidomos familjarët e të afërmit. Në atë shtëpi ku futet butësia ndërmjet anëtarëve të familjes, do të ketë qetësi e lumturi, “Kur Allahu dëshiron që anëtarët e një familjeje të kenë mirësi, fut mes tyre butësinë (sillen butë)”- Hadith.
  2. Mosashpërsia në fjalë, por të flasësh me fjalë të buta.
  3. Mosvrazhdësia në zemër, ftohtësia, por duhet të kesh mëshirë dhe zemër të butë.
  4. Falja ndaj njerëzve. Nëse ata kanë të drejta ndaj teje atëherë të mos i ngarkosh më shumë sesa që mund të përballojnë. Nëse gabojnë në raport ne ty, atëherë t’i falësh. Kështu vepron besimtari në raport me të tjerët. Ai nuk duhet të shohë me sy hulumtues duke gjetur të metat dhe lëshimet prej të tjerëve. Por, disa gjëra duhet t’i kalojë, disa të bëhet sikur nuk i sheh apo nuk i dëgjon. Falja e të tjerëve është ngritje dhe nderim nga Allahu në këtë botë.
  5. Kërkimi i faljes për të tjerët dhe të dëshirosh të futen në xhenet e të kesh frikë për ta xhehenemin. Ata duhet ta dëgjojnë kërkimin e faljes që bën për ta (p.sh. fëmijët, gruaja dhe të tjerët), të dëgjojnë lutjet prej teje.
  6. Këshillimi me të tjerët për disa çështje duke i bërë pjesëmarrës, si: me gruan, fëmijët, apo dhe komshiun etj.

Ata që kanë këto cilësi, në raportet me njerëzit, do të fitojnë xhenetin. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pyetur: “A doni t’iu tregoj se cilët janë ata që nuk do të hyjnë në xhehenem?” Ka thënë: “Secili që është i nënshtruar ndaj vëllezërve muslimanë, i butë (në fjalë e sjellje me ta), i lehtë, i afërt.” Dijetarët për fjalën “i lehtë” kanë thënë: Nëse të tjerët nuk sillen mirë me të ai është i kthyeshëm, nëse i kërkojnë falje ai i fal dhe vazhdon miqësia.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit