Bindja ndaj bashkëshortit

Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit

Shkaku i pestë: Bindja ndaj bashkëshortit

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur ta urdhëroja dikë t’i binte në sexhde dikujt prej krijesave, do ta kisha urdhëruar gruan t’i binte në sexhde burrit të saj, për shkak të së drejtës së madhe që ka ndaj saj. Gruaja nuk do ta arrijë kënaqësinë e besimit derisa të plotësojë të drejtat e burrit ndaj saj. Madje, edhe nëse ai i kërkon të bëjë marrëdhënie intime mbi samarin e devesë, ajo duhet t’i përgjigjet.”

Gruaja me besim të pastër dhe e devotshme duhet ta ketë parasysh çështjen: bindja ndaj bashkëshortit është bindje ndaj Allahut, në këtë mënyrë e adhuron Atë, e si rezultat do të shijojë ëmbëlsinë e besimit. Ajo nuk duhet të bie nën ndikimin e ideologjive të ndryshme të cilat e nxisin për mosbindje ndaj bashkëshortit, sepse feja Islame na mëson të kundërtën, siç pamë te hadithi më lartë, në të cilin sillet një shembull (e që ndoshta si rast nuk ndodhë në jetën e përditshme) për të treguar se çfarë të drejte ka bashkëshorti dhe për të treguar bindjen ndaj tij, se asaj nuk i lejohet t’ia ndalojë veten atij kur ai i kërkon marrëdhënie intime edhe nëse është në atë gjendje (mbi deve). Pra, gruaja duhet t’i bindet plotësisht burrit të saj.

Gruaja besimtare e devotshme duhet të dijë se bindja ndaj bashkëshortit është prej shkaqeve që e fut në xhenet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron Ramazanin, ruan nderin e saj dhe i bindet burrit të saj, atëherë asaj do t’i thuhet: “Hyr prej cilës derë të xhenetit që dëshiron.” Dhe transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka pyetur një grua: “Si je në raport me burrin tënd?” Ajo është përgjigjur: “Mundohem të plotësoj të drejtat e tij (nuk lë mangët).” Atëherë i ka thënë: “Shiko mirë se si është raporti yt me të, sepse burri yt është xheneti ose xhehenemi yt.”

Këto hadithe shërojnë një numër të madh të problemeve që ndodhin në mesin e familjeve muslimane. Nëse meditojmë për gjendjet e përditshme, del se shumë familje edhe pse kanë pasuri goditen me divorc, ndërsa ka të varfër që u përmbahen këtyre udhëzimeve dhe në shtëpitë e tyre valon lumturia. Cila është arsyeja? Arsyeja është besimi, aty ku hyn drita e besimit atëherë ajo shpërndan errësirat e krizave e problemeve.

Për rëndësinë e bindjes ndaj Allahut dhe kapjes pas fesë prej të dy bashkëshortëve, kanë ardhur shumë hadithe. Prej tyre: “Nëse vjen dikush të cilit ia pëlqeni fenë dhe moralin dhe kërkon dorën e vajzës apo motrës, atëherë martojeni. Nëse nuk veproni kështu, do të ketë trazira e ngatërresa të shumta dhe fesad në tokë.” Dhe: “Një grua merret (zakonisht) për katër qëllime: ose për pasurinë e saj, ose për prejardhjen e saj, ose për bukurinë e saj ose për fenë e saj. Zgjedhe fetaren se do të kesh jetë të mirë (të bereqetshme).”

Kur familja muslimane jeton me këtë besim dhe mundohet të zbatojë udhëzimet e këshillat e Islamit, patjetër do të ketë siguri e qetësi, në të kundërt, lidhja familjare do të dobësohet dhe do të ketë mosmarrëveshje e probleme.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.

Madhësia e tekstit