Kuptimi i fjalës së Allahut:
“O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë.” Enfal 24.
-Na drejtohet neve besimtarëve. Thirrja “O besimtarë”, apo “O ju që keni besuar” është thirrja më e ndershme që i bëhet besimtarit, ngase besimi është kapitali i tij.
-“Bindjuni” pavarësisht çfarë natyrë është apo çfarë kosto ka. Bindjuni në çdo gjë, jo vetëm me namaz, apo agjërim, apo zekat etj., apo në lënien e disa mëkateve, mirëpo duhet që Islami të kuptohet si një tërësi, si një adhurim e nënshtrim i plotë ndaj Allahut, ngase për këtë na ka krijuar, që ta adhurojmë Atë, që çdo gjë e jona të jetë në pajtim me Kuranin e sunetin. Duhet t’i përgjigjemi Allahut edhe në gjërat që janë kundër dëshirave tona. Duhet t’i bindemi Allahut edhe kur na vjen rëndë diçka në praktikim.
-“ju jep jetë”: urdhrat e Allahut dhe të Dërguarit janë jetë për neve. Nuk mund të ketë dikush mbarëvajtje, rregullimi të jetës (me familjen, shoqërinë etj.) dhe jetë të mirë, veçse me Kuran e sunet, mirëpo gjithashtu nuk mund të shpëtojë veçse përmes bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth kësaj pjese.
Allahu tha se në këtë bindje që ia bëni Allahut dhe të Dërguarit të Tij ka jetë për ne, mirëpo “ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij”, pra Allahut bindju me zgjedhjen tënde, se përndryshe Ai e ka zemrën tënde në dorën e Tij. Ti nëse do të besosh, apo të veprosh të mira, dhe nuk të udhëzon Allahu, atëherë nuk mund ta bësh këtë. Allahu të ka dhënë mendje e zemër, mirëpo ato janë në dorën e Tij, kur do t’i merr ato. Mos qëndro në ëndrra duke menduar se ke kohë për pendim dhe se do të pendohesh, mirëpo kjo është në Dorën e Allahut, ndoshta para se të pendohesh Allahu ndërhyn dhe ta merr jetën.
E gjithë kjo është për të na përkujtuar: ke kujdes, sa ke mundësi para se të të bëhet vonë shfrytëzo rastin për veprën e mirë, nëse Allahu të thërret për një vepër shpejto e mos e lër për nesër, mos e vono, se Allahu i rrotullon zemrat. Sa njeriu ka shans për një vepër të mirë dhe e lë më vonë, e neglizhon, dhe nesër i ndodhin situata të tjera dhe e harron atë ngase zemra e tij është në Dorën e Allahut. Ky ajet na tregon se nëse të hapet dera e veprave të mira, shpejto t’i veprosh, mos u vono, ngase Allahu i rrotullon zemrat.
-“dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë”: askush nuk do të shpëtojë pa dal prej Allahut dhe të llogaritet për veprat e tij. Nuk duhet të ketë askush dyshimin se ashtu siç Allahu na ka krijuar, edhe do të vdesim e do të ringjallemi për të dhënë llogari.
Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.