Hixhreti i dytë që ndërmorën muslimanët drejt Etiopisë ishte më i vështirë sesa hixhreti i parë, sepse muslimanët u përballën me tortura e lëndime edhe më të ashpra nga pjesëtarët e fisit Kurejsh. Përmendet në librat e biografisë se, rrugës për në Etiopi, pra gjatë hixhretit të dytë, Halid ibn Hizem (radijAllahu anhu) u kafshua nga një gjarpër dhe vdiq gjatë rrugës.
Pastaj vjen ngjarja në të cilën Kurejshët bojkotuan fisin Benu Hashim, si dhe ngjarja kur vdiq xhaxhai i Pejgamberit ﷺ, Ebu Talibi, dhe bashkëshortja e tij e dashur, Hadixhe bintu Huwejlid (radijAllahu anha).
Kur Kurejshitët vunë re se Islami po përhapej në mënyrë të frikshme në shoqërinë e tyre, u tubuan kokat e tyre dhe morën një vendim kundër muslimanëve, vendim ky që i dëmtoi shumë dhe ishte shumë i padrejtë. Ata morën një letër dhe aty shkruan disa pika, ku vendosën ta bojkotonin tërësisht fisin Benu Hashim dhe Benu Muttalib.
Çfarë ishte ky bojkot?
Kjo nënkuptonte që askush nuk duhet të guxonte të blinte diçka nga muslimanët, askush nuk duhet t’u shiste diçka muslimanëve, askush nuk duhet të rrinte në ndeja me ta apo të përzihej me ta. Po ashtu, askush nuk duhet të guxonte t’u jepte vajzë muslimanëve apo të merrte vajzë prej tyre.
Kështu, pas këtij vendimi të padrejtë ndaj muslimanëve, pjesëtarët e fiseve Benu Muttalib dhe Benu Hashim u grumbulluan në një vend të quajtur Shi’bu Ebi Talib, dhe ky bojkot ndaj muslimanëve zgjati tre vite. Gjatë këtyre tre viteve, muslimanët u përballën me vështirësi të mëdha, saqë në disa raste nuk gjenin as ushqim për të ngrënë.
Gjatë kësaj periudhe të bojkotit të mushrikëve ndaj muslimanëve, lindi Abdullah ibn Abbas (radijAllahu anhume), i cili më vonë do të bëhej një nga dijetarët më të mëdhenj të umetit islam.
Si përfundoi ky bojkot ndaj muslimanëve?
Ekzistojnë disa transmetime rreth kësaj, por ajo që duket më e saktë është se një grup nga fisi Kurejsh, të cilët bashkëndjenin dhimbjen e muslimanëve – ndonëse nuk ishin muslimanë – hynë në Qabe fshehtazi dhe e shkyen dokumentin që ishte varur atje.
Pas përfundimit të këtij bojkoti, vdiq xhaxhai i Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem). Siç transmetohet në hadithet e sakta, kur xhaxhai i tij ishte afër vdekjes, Pejgamberi ﷺ ia shfaqi atij fjalën e teuhidit, pra fjalën: “La ilahe ilAllah”. Mirëpo, Ebu Talibi refuzoi ta thoshte këtë fjalë dhe vdiq në kufr. Pejgamberi ﷺ u pikëllua shumë për këtë dhe tha:
“Do të kërkoj patjetër falje për ty (do të kërkoj patjetër që Allahu të të falë), përderisa Allahu nuk ma ndalon një gjë të tillë.”
Pas kësaj, Allahu (subhanehu ue teala) zbriti ajetin në suren Et-Teube, ku ndalohen besimtarët të kërkojnë falje për mushrikët (idhujtarët) që kanë vdekur në kufr, edhe nëse janë prej njerëzve më të afërt. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:
مَا كَانَ لِلنَّبِيِّ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ أَن يَسۡتَغۡفِرُواْ لِلۡمُشۡرِكِينَ وَلَوۡ كَانُوٓاْ أُوْلِي قُرۡبَىٰ مِنۢ بَعۡدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمۡ أَنَّهُمۡ أَصۡحَٰبُ ٱلۡجَحِيمِ
“Nuk i takon Profetit e as besimtarëve që të kërkojnë falje për paganët, edhe nëse ata janë të afërm të tyre, pasi që u është bërë e qartë atyre se do të jenë prej banorëve të zjarrit të Xhehenemit.” (9:113)
Pejgamberi ﷺ, lidhur me xhaxhain e tij, thoshte:
“Njeriu me dënimin më të ulët në Xhehenem është xhaxhai im, Ebu Talibi. Atij do t’i jepen për t’u mbathur dy sandale nga zjarri, prej të cilave do t’i vlojnë trutë e tij.”
Vdekja e Hadixhes (radijAllahu anha).
Pas vdekjes së Ebu Talibit, vdiq edhe bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, Hadixheja (radijAllahu anha). Ajo u varros në vendin e quajtur ‘El-Xhehun’, pra në varrezat e banorëve të Mekës, dhe në atë kohë ende nuk ishte ligjësuar namazi i xhenazes.
Hadixhja (radijAllahu anha) ishte padyshim një nga gratë me vlerë të madhe. Transmetohet se Xhibrili (alejhis selam) i tha Pejgamberit ﷺ:
“Përgëzoje Hadixhen (pra bashkëshorten tënde) me një shtëpi në Xhenet nga kallami, ku nuk do të ketë as llomotitje (nuk do të dëgjojë gjëra të kota, ngritje të zërit) dhe as do të përjetojë lodhje.”
Po ashtu, Xhibrili (alejhis selam), në një rast, i tha Pejgamberit ﷺ:
“Është duke ardhur tek ti Hadixhja. Kur të vijë tek ti, tregoji, pra bartja selamin asaj prej Zotit të saj dhe prej meje.”
Padyshim që kjo tregon për vlerën e madhe që kishte Hadixhja (radijAllahu anha).
Pejgamberi ﷺ u pikëllua shumë nga vdekja e xhaxhait të tij, Ebu Talibit, dhe gruas së tij, Hadixhes (radijAllahu anha). Mirëpo, ajo që transmetohet në disa libra, se Pejgamberi ﷺ e quajti këtë vit “Viti i pikëllimit”, nuk është e saktë, pra nuk saktësohet.
Pas vdekjes së Hadixhes (radijAllahu anha), Pejgamberi ﷺ u martua me Aishen (radijAllahu anha), e cila ishte bashkëshortja e tij e parë pas vdekjes së Hadixhes. Më pas, Pejgamberi ﷺ u martua me Seuda bintu Zem’ah (radijAllahu anha). Ajo ishte gruaja e parë me të cilën Pejgamberi ﷺ pati kontakt pas vdekjes së Hadixhes (radijAllahu anha).
Seuda (radijAllahu anha) ishte bashkëshortja e vetme e Pejgamberit ﷺ gjatë kësaj periudhe 3-vjeçare dhe ishte prej grave të kapura shumë pas urdhrave të Pejgamberit ﷺ dhe sunetit të tij.
Pas gjithë këtyre ngjarjeve, Kurejshitët i ashpërsuan edhe më shumë torturat dhe persekutimin e tyre ndaj muslimanëve, veçanërisht pas vdekjes së xhaxhait të Pejgamberit ﷺ, Ebu Talibit. Kështu ata morën guxim ndaj Pejgamberit ﷺ dhe filluan ta lëndonin atë edhe njerëzit mendjelehtë, ndërsa sa kohë që Ebu Talibi ishte gjallë, ata nuk guxonin të ndërmerrnin një veprim të tillë.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Kurejshitët nuk më lënduan me diçka që unë e urreja derisa vdiq Ebu Talibi.”
Prej lëndimeve që Kurejshitët i shkaktuan Pejgamberit ﷺ ishte se njëherë ata hodhën mbi qafën e tij placentën e një deveje. Po ashtu, Ukbe ibn Ebi Mu’ajt shkeli me këmbën e tij qafën e Pejgamberit ﷺ ndërkohë që ai ishte në sexhde.
Përmendet gjithashtu se Ebu Xhehli tentoi ta shkelte në qafë Pejgamberin ﷺ me këmbën e tij kur ai ishte në sexhde, por Allahu ﷻ e mbrojti profetin e Tij.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.