Çështje lidhur me safat në namaz

 

-Besimtarët duhet të garojnë për safin e parë. Nuk merret parasysh mosha se a je më i ri apo më i moshuar (për të dalë në safin e parë). Ndërsa, fëmijët dalin në safat a fundit, pas burrave. Nëse personi është në saf dhe lirohet një vend në safin e parë, atëherë nuk ka pse i thotë tjetrit të hyjë, por vetë duhet të shpejtojë të radhitet në safin e parë, sepse falja e namazit në safin e parë është më e vlefshme sesa në safin e dytë, ka shpërblim më të madh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur ta dinin njerëzit se çfarë shpërblimi kanë në thirrjen e ezanit dhe faljen e namazit në safin e parë, dhe nëse nuk do të gjenin metodë tjetër për të ndarë atë shpërblim veçse me hedhje të shortit, atëherë do të hidhnin short.” Disa dijetarë kanë bërë përjashtim vendet pas imamit, thonë që është mirë t’iu lihen njerëzve të dijshëm, hafizëve, hoxhallarëve, që në rast të gabimit të imamit e përmirësojnë, qoftë në lexim të Kuranit apo ndonjë tjetër. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pas meje le të falen njerëzit e mençur e të dijshëm.” Shejkh Uthejmin rahimehullah tregon se ata që janë të dijshëm të shpejtojnë për të nxënë atë vend e jo t’ua lënë të tjerëve. Disa dijetarë thonë se është madje obligim garimi në punë të mira. Përjashtim bën rasti nëse i lirohet vendi prindit për të hyrë në safin e parë. Kjo lejohet sepse kjo e gëzon babanë dhe “kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindit”.

-Prej Islamit është mbushja e safave.

-Zgjerimi i këmbëve më shumë sesa krahët nuk është gjë e ligjshme. Më së shumti që lejohet zgjerimi i këmbëve është sa është gjerësia e shpatullave. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka thënë që të bashkohen safat, sahabët kanë treguar se i kanë bashkuar nyjat (zogun) e këmbëve, gjunjët dhe krahët. Këto kanë qenë në një vijë, paralel, e jo këmbët të hapen më gjerësisht.

-Nëse ke anash persona që nuk i hapin këmbët për t’i bashkuar me të tuat, nuk të lejohet që t’i zgjerosh këmbët e tua më shumë për t’ua prekur këmbët atyre. Kjo nuk është prej fesë. Madje ka dijetarë që thonë se këmbët nuk bashkohen në namaz, dhe thonë se hadithi që përmendëm tregon vetëm se janë afruar shumë sahabët (ka hiperbolë: aq shumë janë afruar saqë kanë bashkuar dhe nyjat e këmbëve dhe gjunjët), pse kjo? Sepse gjunjët nuk kanë mundësi të bashkohen.

-Disa e teprojnë kur prekin këmbët në saf, duan ta bëjnë gjithsesi këtë, saqë kthejnë gishtat anash (e jo kah kibla). Bashkon aq sa ke mundësi prej krahëve dhe këmbëve, pa e tepruar, sidomos nëse e pengon tjetrin në përqendrimin në namaz (kur vazhdimisht ia prek këmbën dhe shqetësohet). Disa dijetarë thonë se qëllimi i bashkimit të këmbëve dhe krahëve është derisa të drejtohen safat. Pastaj i mban këmbët siç të vjen më lehtë. Sidoqoftë, nëse bashkohen pa teprim, edhe kjo është e mirë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit