Cilësitë e bashkëshortes së mirë (2)

Cilësia e tretë:

Përpjekja që ta gëzojë burrin e saj

Gruaja duhet që vazhdimisht të mundohet e të kujdeset që ta gëzojë burrin e saj, të fusë gëzim, hare e lumturi në zemrën e tij, sidomos atëherë kur ai e shikon. Sa herë që e shikon, ai duhet të shohë një pamje tek ajo (fytyrë, trup e rroba) e cila e gëzon, e disponon dhe fut lumturi në zemrën e tij. Ajo e ka për detyrë të përpiqet në realizimin e kësaj gjëje. E po ashtu duhet vazhdimisht ta trajnojë veten duke e bërë shprehi e zakon bindjen ndaj urdhrave të burrit, pa treguar kundërshtim, mendjemadhësi, kryelartësi etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:  (Gruaja më e mirë) Është ajo të cilën kur burri e shikon, ai gëzohet, ajo që i bindet burrit të saj kur ai e urdhëron dhe nuk e kundërshton as në veten e saj e as në pasurinë e saj, me diçka që ai nuk e pëlqen apo nuk e do.” Transmeton Nesaiu.

Kështu na tregoi Pejgamberi salallahu alejhi ue selem se si duhet të jenë cilësitë e bashkëshortes së mirë. Gruaja duhet t’i kushtojë rëndësi të jashtëzakonshme kësaj çështjeje (pamjes, rrobave, stolisjes, pastërtisë, largimit të aromës së keqe, heqjes së qimeve nga vendet e turpshme). Gjithmonë të mundohet që ai të shohë një dukje tek ajo, e cila e gëzon atë. Po ashtu, sa i përket urdhrave, dëshirave e nevojave të tij, këto gjithmonë duhet të jenë synimi i gruas (që t’i realizojë ato).

Fatkeqësisht, shumë prej grave nuk njohin zbukurim veçse atëherë kur dalin nga shtëpitë e tyre, për raste e takime të ndryshme me gratë muslimane (ne jemi duke folur për gruan muslimane e cila kur del jashtë nuk zbukurohet para meshkujve të huaj), e ndërsa, në shtëpi me burrat e tyre qëndrojnë me një pamje jo të mirë, kështu i gjejnë me aromë të padëshiruar, me flokë të shprishura, me veshje të vjetërsuar etj. Këto cilësi nuk duhet t’i ketë bashkëshortja e mirë muslimane, ngase e pengojnë burrin e saj prej saj duke mos dëshiruar t’i afrohet.

Gruaja duhet ta presë burrin e saj në pastërtinë e saj të plotë dhe me pamjen më të mirë. Ajo duhet të përgatitet dhe të jetë e gatshme për burrin e saj, sidomos kur ai kthehet nga një udhëtim i gjatë. Sahabijet kanë rregulluar edhe shtëpitë e tyre kur burrat u janë kthyer nga udhëtimi (që t’i gjejnë në formën më të mirë e më të bukur).

Cilësia e katërt:

Të mos gjejë qetësi kur burri i saj është i hidhëruar me të

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A doni t’ju tregoj për gratë tuaja në xhenet? Çdo grua që është e dashur dhe që lind shumë; kur ajo zemërohet apo burri i saj sillet keq ndaj saj, apo ai zemërohet me të, ajo i thotë: “Kjo është dora ime, mbi dorën tënde (e vendosë mbi dorën e tij). Nuk do të vë gjumë në syrin tim (nuk do të qetësohem e rehatohem) tërë natën derisa ti të jesh i kënaqur me mua.” Transmeton Taberaniu. Do të thotë: Derisa të më falësh (kur ajo e ka fajin) apo derisa të qetësohesh e të të largohet hidhërimi e zemërimi.

Fatkeqësisht sot ka gra të cilat nuk i kushtojnë rëndësi kësaj gjëje, nuk e kanë problem të flenë një natë, dy netë, një javë e ndoshta dhe muaj, duke qenë burrat e tyre të hidhëruar me to. Sikur ato nuk llogarisin se një Ditë do të takojnë Allahun dhe Ai do t’i marrë në llogari për këto veprime!

Gruaja duhet të dijë se kur zbaton këto urdhra dhe mësime të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, ajo me këtë i bindet Allahut, Zotit të botëve. Ai i Cili e ka krijuar atë, e ka urdhëruar të veprojë në këtë mënyrë, dhe ajo e ka për obligim të kryejë urdhrat e Tij që të jetojë një jetë të mirë e fisnike.

A doni t’ju tregoj për gratë tuaja në xhenet?” – Këtu Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem para se të përmendë cilësitë e tyre, do që të tregojë se ato bashkëshorte që kanë këto cilësi të virtytshme (kanë kaluar tërë jetën me to) do të jenë prej atyre që meritojnë hyrjen në xhenet.

Cilësia e pestë:

Të jetë e dashur

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gratë tuaja më të mira janë ato që janë të dashura (الْوَدُود)…” Bejkehiu. Vërtetë ky është një tipar i lavdëruar, të cilin duhet ta ketë bashkëshortja e mirë. Pra, të jetë e dashur, ta dojë burrin e saj dhe sa më shumë të përpiqet që ta fitojë zemrën dhe dashurinë e tij, me fjalë të mira, të bukura, të ëmbla, me sjellje të mirë, me pamjen e saj etj.

Cilësia e gjashtë:

Të lindë shumë

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gratë më të mira tuajat janë ato që janë të dashura, që lindin shumë (الْوَلُود)…” Kjo është një cilësi e mirë dhe lavdëruar te gruaja, porse nëse ajo ka ndonjë problem shëndetësor apo sëmundje, nuk llogaritet si e mangët apo që është përpjekur për stopimin e lindjeve. Allahu nuk e merr në llogari nëse ajo ka ndonjë arsye sheriatike të ligjshme, dhe kjo nuk e bën që të përjashtohet prej grave të mira.

E nëse gruaja është prej atyre që lind, e megjithatë mundohet të ndërpresë lindjen e fëmijëve (shtatzënitë) me gjëra të ndryshme, atëherë në këtë rast kjo e dëmton në besimin e fenë e saj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Martoni ato gra që janë të dashura dhe që lindin shumë, sepse unë do të krenohem me numrin tuaj të shumtë në Ditën e Gjykimit.” Gruaja duhet të mundohet që sa më shumë të sjellë në jetë fëmijë dhe të marrë shkaqet e kësaj, e pastaj t’i veprojë shkaqet e edukimit të tyre në frymën islame. Ajo duhet të llogarisë që fëmijët e saj do të jenë të dobishëm për shoqërinë islame dhe thirrës në fe. Asaj do t’i shkruhet shpërblim i madh tek Allahu nëse kujdeset dhe i edukon siç duhet fëmijët e saj.

Cilësia e shtatë:

Të jetë e bindur

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gratë më të mira tuajat janë ato që janë të dashura, që lindin shumë, që janë të bindura…” Dhe: “الْمُوَاتِيَة – el muweetijeh” ka kuptim më të gjerë (ndonëse e përkthyem “të bindura”). Domethënia: Ajo grua e cila nuk është as e ashpër e as e vrazhdë, nuk është e ashpër në fjalët e saj e as në zemrën e saj, por është grua që bindet, i dëgjon dhe u përgjigjet urdhrave të bashkëshortit, nuk tregon mendjemadhësi e kryelartësi, nuk kundërshton burrin e saj, nuk largohet prej tij, nuk ka zemër të ngurtë, por zemra e saj është plotë mëshirë e dashuri ndaj burrit të saj.

Cilësia e tetë:

Të jetë ngushëlluese

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gratë më të mira janë ato që janë të dashura, që lindin shumë, që janë të bindura, që janë ngushëlluese (الْمُوَاسِيَة).” Është ajo e cila e ngushëllon burrin e saj, gjithmonë i gjendet pranë, sa herë që ai ka ndonjë problem apo shqetësim mundohet ta ngushëllojë, e ndihmon në punë të mira, që të jetë adhurues më i madh i Allahut dhe që të arrijë lumturinë e shpëtimin në të dy botët.

***

Të gjitha këto cilësi që u përmenden (cilësia e pestë, e gjashtë, e shtatë dhe e tetë), Pejgamberi salAllahu aleljhi ue selem i kushtëzon me fjalën vijuese إِذَا اتَّقَيْنَ اللَّهَ – nëse ato kanë frikë Allahun”. Pra, këto cilësi i bëjnë dobi gruas nëse ajo ka frikë Allahun. Nëse u përmbahet këtyre cilësive për ndonjë interes a dobi të kësaj bote, atëherë ajo nuk llogaritet grua që e ka frikë Allahun dhe nuk përfiton shumë prej këtyre cilësive. Por, nëse stoliset me to dhe i zbaton që të arrijë kënaqësinë, shpërblimin dhe dashurinë e Allahut – e ka frikë Atë, atëherë ato i bëjnë dobi në të dy botët.

Cilësia e nëntë:

Të pajiset me dije

Cilësi tjetër e bashkëshortes së mirë muslimane është pajisja sa më shumë me dije rreth sunetit, e sidomos rreth haditheve që përmendin cilësitë e nënçmuara te gratë, në mënyrë që të largohet prej tyre.

Njeriu kur e mëson të keqen (për të cilën ka paralajmëruar Kurani e suneti), duhet ta mësojë me qëllim që të mos bie në të dhe të largohet prej saj. Një nga të parët tanë në fe ka shkruar: “E mësova të keqen jo për ta vepruar, por për t’u ruajtur prej saj. Kush nuk e njeh të keqen, bie në të.”

Cilësia e dhjetë:

Të jetë nën shërbim të burrit të saj

Cilësi tjetër e bashkëshortes së mirë është përmbushja e të drejtave të burrit të saj, të mos tregohet e shkujdesur në këtë dhe të japë maksimumin në shërbimin ndaj tij. Do të ndalemi të meditojmë rreth hadithit që transmetohet te Nesaiu, në të cilin tregohet se një ditë Esma ka shkuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për ta pyetur për një gjë të caktuar e ai i është përgjigjur, dhe menjëherë pas kësaj e ka pyetur: “A ke bashkëshort?” –“Po.” –“Si je ti në raport me të?” Atëherë ajo i është përgjigjur: “Nuk tregohem e shkujdesur dhe e mangët në të drejtat që ai ka ndaj meje përveçse në atë që nuk kam mundësi (aftësi) ta veproj.” I ka thënë: “Shiko (mirë) se si është gjendja jote në raport me të, ngase ai është Xheneti ose Zjarri për ty!”  

Mirëpo, kur bashkëshorti bëhet Xhenet ose Zjarr për gruan e tij? Gruaja duhet të ndalet e ta kuptojë mirë këtë realitet që e ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe t’ia kujtojë vazhdimisht vetes këtë pyetje: “Si je në raport me të?” Të çojë ndërmend këtë pyetje, sikur me të Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem po i drejtohet asaj. Kjo është një çështje shumë madhore për të cilën ka tërhequr vërejtjen ai salAllahu alejhi ue selem.

Gruaja ka obligime e detyra ndaj burrit, të cilat duhet t’i përmbushë. Allahu e ka urdhëruar t’i përmbushë ato. Kur ajo i kryen ato në mënyrë të plotë, atëherë burri i saj do të jetë Xheneti i saj. E nëse është e mangët dhe e shkujdesur duke mos i çuar në vend ato, ai do të jetë Zjarri i saj – shkaku i kësaj ajo do ta marrë dënimin e Allahut.

Cilësia e njëmbëdhjetë:

Të mos shpenzojë tepër

Gruaja nuk duhet ta lodhë e mundojë burrin e saj sa i përket shpenzimit. Ajo nuk duhet ta shpenzojë në mënyrë të tepërt pasurinë e burrit të saj duke e shpërdoruar (bërë masraf). Allahu kur përmend cilësitë e besimtarëve të mirë thotë: “…dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes…” Furkan 67.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem një ditë ka mbajtur një ligjëratë dhe aty ka përmendur disa çështje të kësaj bote dhe të botës tjetër, pastaj ka sjellë një ngjarje e cila ka ndodhur te Beni Izrailët: “Fillimi i shkatërrimit të Beni Izrailëve ka filluar atëherë kur gratë e të varfërve kanë filluar të kërkojnë shpenzime prej burrave të tyre ashtu siç kanë shpenzuar pasanikët për gratë e tyre (veshje, stoli, zbukurime etj.).” Tek ta ka filluar shkatërrimi atëherë kur kanë filluar t’i kushtojnë rëndësi gjërave të jashtme e jo përmirësimit të anës së zemrës (besimit dhe raportit me Allahun). Me këtë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka dashur të na tërheqë vërejtjen si umet që të mos i veprojmë këto gjëra sepse aty është shkatërrimi.

Cilësia e dymbëdhjetë:

Të mos i mohojë mirësitë e burrit ndaj saj

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Nuk e ka falënderuar Allahun ai që nuk i falënderon njerëzit.” Në një hadith tjetër tregohet se ai salAllahu alejhi ue selem iu ka thënë disa grave: “Keni kujdes të mos i mohoni të mirat e bamirësve!” E kanë pyetur se si mohohen të mirat e bamirësve, e ai ka thënë: “Ka mundësi që ndonjërës prej jush t’i shtyhet martesa, për shkak të prindërve të saj, pastaj ia mundëson Allahu të martohet me një burrë dhe e furnizon edhe me fëmijë, pastaj ajo zemërohet dhe i mohon të mirat e tij e i thotë: “S’kam pasur kurrfarë të mire prej teje kurrë!” Buhariu. Po ashtu në një hadith ka thënë: “Allahu nuk e shikon një grua e cila nuk është mirënjohëse (falënderuese) ndaj burrit të saj përderisa ajo është nevojtare për të.” Nesaiu.

Cilësia e trembëdhjetë:

Të respektojë burrin e saj

Cilësi tjetër është respektimi ndaj burrit dhe njohja e së drejtës dhe pozitës që ia ka dhënë Allahu atij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk lejoj që dikush t’i bëjë sexhde dikujt tjetër. Sikur të urdhëroja dikë t’i binte në sexhde dikujt, atëherë do të urdhëroja gruan që t’i binte në sexhde burrit të saj.” Tebaraniu.

E drejta e burrit ndaj gruas është edhe më e madhe kur ai është nga besimtarët e devotshëm dhe që i kushtojnë kujdes adhurimit ndaj Allahut. Bazuar në hadithe, ka paralajmërim të rëndë për gratë të cilat zemërojnë burrat e tyre.

Cilësia e katërmbëdhjetë:

Të mbajë drejtësi mes fëmijëve

Cilësi tjetër është që nëse Allahu e begaton një grua me fëmijë, atëherë duhet të mbajë drejtësi mes fëmijëve të saj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Tregohuni të drejtë në raport me fëmijët tuaj!” Këtë e ka përmendur tri herë.

Dijetarët kanë thënë që duhet prindi duhet të tregohet i drejtë ndaj fëmijëve qoftë dhe në puthje, nëse e puth njërin dy herë, duhet edhe tjetrin njëjtë. E të mos flasim në gjëra të tjera. Gjithmonë duhet t’i përmbahet drejtësisë ndaj tyre.

 

Cilësia e pesëmbëdhjetë:

Qëndrimi në shtëpi

Cilësi tjetër e gruas së mirë është qëndrimi në shtëpinë e saj. Nuk duhet të jetë prej atyre që vazhdimisht del e hyn. Nëse del për ndonjë nevojë e domosdoshmëri, atëherë nuk duhet të dalë e stolisur, e pafumosur etj. Po ashtu kur del, duhet të ulë shikimin dhe të ruajë nderin e saj.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gruaja është avret. Kur del prej shtëpisë së saj, shejtani e bën objektiv të tij. Gruaja do të jetë më së afërmi me Zotit të saj atëherë kur qëndron në shtëpinë e saj.” Tebaraniu. Kur qëndron në shtëpi, është në adhurim të plotë dhe më afër Allahut. Por, kur del, shejtani përmes saj mundohet të fusë joshje e fitne në mesin e njerëzve që të shkatërrohet shoqëria.

Cilësia e gjashtëmbëdhjetë:

Të mos përhapë sekretet e burrit

Gruas nuk i lejohet të përhapë sekretet e fshehtësitë e burrit të saj, gjërat që janë të veçanta mes saj dhe burrit të saj, edhe atëherë kur mes tyre nuk ka harmoni apo kur martesa vjen deri te ndarja. Ajo duhet ta ketë frikë Allahun në këtë aspekt. E njëjta gjë vlen edhe për burrin.

Një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem u thotë disa burrave dhe grave: “Ndoshta ndodh që në mesin tuaj të ketë nga burrat i cili tregon se çfarë ka vepruar me gruan e tij dhe të ketë nga gratë e cila tregon (te shoqet e saj) se çfarë ka vepruar me burrin e saj.” Kjo gjë më së shumti ndodh në mesin e grave, kur janë me shoqet, me koleget etj. Nuk u kushtojnë kujdes kësaj gjëje, e shohin si të lehtë. Dhe pastaj u ka thënë: “Mos veproni kështu (kjo ndalohet). Kush vepron kështu, është njëjtë si shembulli i shejtanit i cili bën marrëdhënie intime me një shejtane në rrugë në mesin e njerëzve dhe ata i shikojnë.” Ahmedi.

Të gjitha këto hadithe që kemi përmendur këtu, janë të sakta (sahih) dhe janë të dobishme e të rëndësishme në këtë temë.

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit