Çudia – Cilësi e Allahut

Çudia – Cilësi e Allahut

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Zoti ynë çuditet nga pesimizmi i robërve të Tij dhe afërsisë së ndryshimit të gjendjes (për të mirë). Allahu shikon tek ju duke qenë në gjendje të vështirë e të dëshpëruar dhe qesh, sepse e di se çlirimi e lehtësimi prej Tij janë afër.” Hasen.

Kanë ardhur argumente të tjera të shumta që pohojnë këtë Cilësi të Allahut. Pejgamberi saAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu çuditet me disa njerëz të cilët hyjnë në Xhenet të lidhur me zinxhirë.” Buhariu. Kuptimi i kësaj: Kanë rënë robër të luftës te muslimanët, janë lidhur me pranga, pastaj kur kanë dëgjuar për Islamin, e kanë pranuar dhe përfundimi i tyre do të jetë Xheneti. Në një tjetër hadith ka thënë: “Allahu është çuditur me filanin dhe filanen….” Buhariu. Hadithi tregon për një ndodhi të gjatë, se si këta të dy (burrë e grua) i kanë bërë konak një musafiri të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, e kanë mirëpritur dhe i kanë shërbyer me ushqim ndërkohë që nuk ua kanë dhënë fëmijëve, por i kanë vendosur të flenë. Ndërsa, transmetimi te Muslimi është: “Allahu është çuditur se si keni vepruar me musafirin që u ka ardhur mbrëmë.”

Kjo Cilësi gjithashtu është pohuar edhe në Kuran. Ajo duhet të pohohet siç i shkon madhërisë dhe madhështisë së Allahut. Atë duhet ta pohojmë në aspektin e përsosjes. Kjo Cilësi është e përsosur dhe është e vërtetë. Ajo ndodh atëherë kur e kërkon vullneti dhe urtësia e Tij dhe kur ekziston shkaku i cili e kërkon këtë Cilësi tek Ai. Dhe nëse ndodh vërtetë një gjë meriton të jetë e çuditshme, siç po përmendet në hadith. Kjo Cilësi e Allahut vjen si rezultat i Mëshirës dhe përsosjes së Tij.

Kuptimet e çudisë të cilat duhet t’i mohohen Allahut: Çudia që rrjedh nga mosdija, apo që përfundon te mosdija, te dyshimi e mëdyshja, apo çudia, befasimi dhe hutia për shkak të një gjëje që ndodh papritur. Allahu duhet të lartësohet nga të gjitha këto gjëra, ngase Ai e di se çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë, për Atë nuk ka diçka që është e re a e vjetër, apo diçka e çuditshme a e habitshme – të gjitha janë njëjtë për Të. Dijes së Allahut nuk i paraprinë mosdija apo harresa. Ai është i Përsosur në Cilësitë e Tij.

Mirëpo, Ai çuditet për shkak të gjendjes së çuditshme të krijesës.

Gjendja e njeriut është e çuditshme ngase ai nuk i di pasojat dhe rezultatet, apo nuk njeh vetë gjendjen në të cilën gjendet për shkak të mosdijes së tij, apo për shkak se nuk shikon në të ardhmen (te rezultatet).

Çudia e Allahut nuk buron ngaqë Ai nuk di se çfarë do të ndodhë, apo nuk e di esencën e çështjeve apo realitetin e gjërave. Këto janë cilësi të krijesave.

“Zoti ynë çuditet nga pesimizmi i robërve të Tij dhe afërsisë së ndryshimit të gjendjes (për të mirë)” – Çuditet me ta se si ka mundësi të humbasin shpresën kur ndryshimi i gjendjes është shumë afër. Shembull: Kur vonohet shiu për një kohë dhe shtohet varfëria (në ato vende ku njerëzit janë të varur nga rënia e shiut për shkak të të mbjellave) dhe njerëzit i kaplon pesimizmi e dëshpërimi, në këtë mënyrë këndvështrimi i tyre është i kufizuar, duke shikuar vetëm shkaqet e dukshme dhe fillojnë të mendojnë se nuk do të ketë lehtësim dhe çlirim prej Allahut. Si kanë mundësi të bien në këtë gjendje kur koha për të ardhur lehtësimi është shumë afër? Kjo gjendje e njerëzve është e çuditshme. Dhe kështu duhet të kuptohet dhe të pohohet kjo Cilësi e Allahut.

Si të humbasin shpresën në Mëshirën e Allahut duke qenë se ajo ka përfshirë çdo gjë dhe shkaqet për të ardhur Mëshira e Tij (zbritja e shiut) janë të bollshme, sepse vetë fakti që njeriu gjendet në vështirësi dhe është nevojtar i këputur për Allahun, kjo është nga shkaqet e lehtësimit. Shtoja kësaj edhe lutjen që bëjnë njerëzit duke qenë në këtë gjendje vështirësie. Allahu thotë: “Kur ua çon kujt të dojë nga robërit e Vet, atëherë ata gëzohen përnjëherësh, edhe pse, me të vërtetë, para se t’u vinte shiu, ishin të dëshpëruar. Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj.” Rum 48-50.

Është ligj i Allahut që vështirësia të mos zgjasë përgjithmonë. Sado që të ndodhesh në gjendje të vështirë, kjo nuk do të zgjasë përherë. Dhe kur kësaj i shtohet forca e zemrës dhe besimit – kur njeriu i lutet Allahut e i përgjërohet dhe shpreson tek Ai, atëherë pa dyshim se Ai do t’ia hapë depot e mëshirës dhe bujarisë së Tij dhe do t’i vijnë mirësi e dhunti të cilat nuk i kanë shkuar ndërmend. Kur njeriu ndodhet në gjendje të vështirë dhe humbet shpresën në Mëshirën e Allahut, gjendja e tij është shumë e çuditshme. Kur të vijë fundi i vështirësisë, do të vijë lehtësimi prej Allahut. Lehtësimi është rezultat i Mëshirës së Allahut.

Ata që mohuan këtë cilësi prej grupacioneve të ndryshme thanë se kjo Cilësi ka kuptim: Allahu shikon gjendjen e  çuditshme të robërve të Tij, apo Allahu shfaq çudinë e Tij për një gjë të çuditshme, përmes fjalëve (duke e qortuar, apo lavdëruar, apo duke bërë krijesat të çuditen me të), apo përmes veprave (vepron një vepër te krijesat e cila është e çuditshme). Këto dy keqinterpretime janë të kota e të pavërteta.

Dobia e përfituar:

Ai që e kupton këtë hadith siç duhet, do të kujdeset të mos e humbasë shpresën në Mëshirën e Allahut, ngase kjo gjë është nga mëkatet e mëdha.

Nga humbja e shpresës në Mëshirën e  Allahut është kur e sheh të largët atë – se Ai nuk do ta lehtësojë gjendjen dhe nuk do të bëjë rrugëzgjidhje nga vështirësia. Është detyrë për besimtarin të ketë mendim të mirë për Allahun, gjithmonë.

Nëse e lut Allahun, duhet të kesh mendim të mirë se Ai do t’i përgjigjet lutjes tënde; nëse adhuron Allahun siç e kërkon feja e Tij me sinqeritet, duhet të kesh mendim të mirë se Ai do ta pranojë këtë adhurim dhe do të të shpërblejë për të; nëse gjendesh në gjendje të rëndë, duhet të kesh mendim të mirë se Ai do ta largojë atë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dije se fitorja vjen pas durimit, çlirimi vjen pas ngushtimit dhe se lehtësimi vjen pas vështirësisë.” Nëse do të fitosh, duhet të tregohesh i durueshëm.

 

—Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit