Dashuria ndaj xhamisë
Prej metodave më madhështore të përmirësimit të zemrave është dashuria ndaj xhamisë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përmendur shtatë persona/kategori të cilët Allahu do t’i strehojë në Hijen e Tij në Ditën e Gjykimit, atë Ditë në të cilën nuk ka hije tjetër, prej tyre: “Një njeri zemra e të cilit është e lidhur pas xhamive.” Kuptimi është: i ka dashur xhamitë dhe kjo është bërë shkak i përmirësimit të zemrës së tij, dhe si rezultat ka qenë i përhershëm në falen e namazit në xhami dhe ka qenë i vazhdueshëm në prezantimin e ligjëratave që mbahen në to. I tilli, edhe kur del prej xhamisë, dëshiron dhe e ka mendjen që sa më shpejt të kthehet në të (përsëri). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që merr abdes në shtëpinë e tij në mënyrën më të mirë, pastaj shkon në xhami për t’u falë, është musafir i Allahut. Është detyrë për atë të cilit i vije musafiri ta nderojë atë (Allahu e nderon këtë njeri).” Dhe: “Xhamitë kanë disa shtylla (falësit e vazhdueshëm). Me ta ulen engjëjt e Allahut (i kanë shoqërues). Nëse mungojnë për ndonjë arsye të ligjshme, engjëjt hulumtojnë se ku janë (pse nuk kanë ardhur) dhe nëse mungojnë për shkak se janë sëmurë, i vizitojnë, por nëse mungojnë për ndonjë nevojë, engjëjt u ndihmojnë (ta kryejnë më shpejt e të kthehen në xhami).”
Zemra të pastra, të shëndosha, të shpëtuara prej sëmundjes së epsheve dhe dyshimeve, janë ato zemra të cilat janë të lidhura për xhami (e jo për jetën kalimtare të kësaj bote). Pse duhet të jetë kështu? Sepse xhamitë janë:
–Shtëpitë e Allahut (janë ngritur për Allahun dhe në do duhet të adhurohet e të përmendet Ai).
–Vendet më të dashura të Allahut.
–Shtëpitë e besimtarëve të devotshëm.
–Mirësitë e të dy botëve arrihen përmes xhamive. _
Kur njeriu i do xhamitë, atëherë vijnë disa rezultate/dobi të pashmangshme në jetën e tij:
– Ndërtimi i xhamive për hir të Allahut, hadith: “Ai që ndërton një xhami për hir të Allahut, e jo për syefaqësi apo për lavdërime, atij Allahu do t’ia ndërtojë një pallat në xhenet.”
– Do të jetë i vazhdueshëm në faljen në xhami, “…dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz)” Bekare 43.
– Do të shpejtojë të prezantojë në ligjëratat fetare në xhami, “Sa herë që disa njerëz mblidhen në një shtëpi prej shtëpive të Allahut (xhamia), të mësojnë librin e Allahut e ta lexojnë mes tyre, Allahu do të zbresë mbi ta qetësi dhe do t’i mbulojë mëshira, ndërsa engjëjt do t’i rrethojnë me krahët e tyre dhe Allahu do t’i përmendë (me emra) tek engjëjt që janë tek Ai.” Për këto mexhlise të dijes Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se janë kopshte prej kopshteve të Xhenetit.
-Do t’i pastrojë prej gjërave të papastra abstrakte (shirkut, bidateve etj.) dhe konkrete (papastërtitë). Hadithi: “Allahu i mallkoftë hebrenjtë dhe të krishterët ngase varret e Pejgamberëve të tyre i shndërruan në faltore (xhamia)!”
-Nuk do t’i shfrytëzojë xhamitë për të bërë thirrje partiake, ideologjike (kryengritje, protesta) etj. “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!” Xhinn 18.
– Nuk do t’i shfrytëzojë xhamitë për shitblerje. Hadith: “Kur të shihni dikë të shesë e të blejë në xhami i thoni: “Allahu kurrë mos të dhëntë fitim prej kësaj shitblerje!”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.