Dhikri i dytë pas namazit farz

 

Dhikri i dytë

Transmetohet te Buhariu dhe Muslimi se Pejamberi salAllahu alejhi ue selem kur e përfundonte namazin (farz) dhe jepte selam, thoshte:

لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ، لَهُ الْمُلْكُ وَلَهُ الْحَمْدُ وَهُوعَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ، اللَّهُمَّ لَا مَانِعَ لِمَا أَعْطَيْتَ، وَلَا مُعْطِيَ لِمَا مَنَعْتَ، وَلَا يَنْفَعُ ذَا الْجَدِّ مِنْكَ الجَدُّ.

“Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut,1 i Cili është Një e i Vetëm dhe nuk ka ortak.2 Atij i përket pushteti absolut3 dhe lavdërimi (falënderimi).4 Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. O Allah, askush nuk mund të pengojë atë që Ti e jep dhe askush nuk mund të japë atë që Ti e pengon.5 Njeriut nuk i sjell dobi tek Allahu pasuria dhe pozita që ai ka, por i bën dobi besimi dhe vepra e mirë.”6

Sqarime:
1. Realizimi i teuhidit (veçimi i Allahut me adhurim) është pikënisja e çdo muslimani. Mbi të qëndrojnë veprat. Nëse ai është në rregull, atëherë edhe shtegtimi drejt Allahut do të jetë në rregull. Teuhidi është kushti dhe themeli për pranimin e veprave dhe për arritjen e lumturisë në të dy botët.
2. Nuk ka ortak as në adhurimin ndaj Tij, as në Zotërimin e Tij dhe as në Emrat dhe Cilësitë e Tij.
3. Çdo gjë që ekziston është nën Sundimin e Allahut. Çdo gjë është në kontrollin e Tij. Nëse ke nevojë për diçka, shfaqe nevojën tënde para Allahut (kërkoje prej Tij).
4. Allahun duhet ta lavdërojmë dhe falënderojmë në çdo gjendje tonë.
5. Ngase Allahu është Poseduesi i çdo gjëje, Krijuesi i krijesave, i Adhuruari i Vërtetë. Çdo gjë është në Dorën e Tij. Andaj ne duhet të shpresojmë vetëm tek Allahu dhe të lidhemi për Atë (e jo për krijesat).
6. Nuk mund ta shpëtojnë prej dënimit të Allahut, por njeriut i bën dobi besimi dhe vepra e mirë.

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit