Edukata e nxënësit të dijes ndaj mësuesit të tij

Disa edukata të nxënësit ndaj mësuesit të tij

» Kur ke edukatë ndaj mësuesit/hoxhës, kjo është shenjë e suksesit tënd, shenjë se do të arrish dije dhe se do të bëhesh dikush në të ardhmen. Kur të jesh me të, tregohu me edukatë në mënyrën se si ulesh para tij, po ashtu kur bisedon me të. Tregohu me edukatë para tij edhe në shfletimin e fletave të librit (shfletoji me butësi).

» Mos i shpeshto fjalët në prezencën e tij. Mos i ndërhyj me fjalë nga vetja jote kur ai është duke mbajtur mësim.

» Mos këmbëngul që patjetër të të përgjigjet. Shembull: Dikush të dërgon një pyetje (në rrjetet sociale) dhe mësuesi e hap por është i angazhuar me diçka dhe pastaj harron të përgjigjet, pas kësaj ai ia dërgon disa pikëpyetje.

» Mos e tepro në bërjen e pyetjeve, aq më tepër kur mësuesi yt është duke folur para njerëzve. Kur të bësh pyetje bëje këtë në mënyrën më të mirë dhe dëgjoje përgjigjen me vëmendje. Kjo është një hyrje shumë e mirë e bërjes së pyetjes: “Allahu iu dhëntë të mira! Allahu iu begatoftë!”, që tregon për edukatë të madhe.

» Ke kujdes mos u trego njeri arrogant dhe mos polemizo me mësuesin tënd (duke u munduar ta nxësh ngushtë).

» Mos e thirr në emër “O filan”, e as me llagap “O hoxhë filani”, por thuaji: “O hoxha im, o hoxha ynë!”, se kjo tregon për edukatë. Dikush thotë; “O vëlla”, por nuk është në rregull.

» Mos i thuaj “Ti”. Mos i thuaj mësuesit: “Ti ke thënë në mësimin e kaluar…”, sepse kjo nuk është edukatë e mirë, por mënyra e saktë është të thuash: “E kemi marrë në mësimin e kaluar…”, apo “Është përmendur…”

» Shfaq respektim për mexhlisin ku është duke e mbajtur mësimin mësuesi, shfaq gëzim e lumturi (jo monotoni) me dersin e tij dhe shfaqe se ti je duke përfituar prej tij. Ta pritesh dersin me padurim. Konsideroje veten sikur je në një kopsht me lule e me fruta dhe je duke u kënaqur në të (gëzim shpirtëror dhe fizik).

» Nëse do të ndërpresësh mësimin te mësuesi yt dhe të zhvendosësh te një tjetër, atëherë kërko leje prej tij, sepse kjo është shenjë nderimi ndaj tij dhe bën të ruhet dashuria që ka mësuesi ndaj teje (në zemrën e tij).

» Nëse ke për të udhëtuar për diku apo ke për të munguar, atëherë prej edukatës është të marrësh leje te mësuesi. Sidomos nëse mësuesi është i atillë që u rrinë gati nxënësve dhe kur dikush mungon ai preket e shpërqendrohet.

 

Hoxhë Petrit Perçuku | Shkëputje – Transkriptim.

Madhësia e tekstit