Disa gjëra që shtojnë shpërblimet e veprave duke mos u lodhur në arritjen e tyre (shpërblimeve)

 

• Disa gjëra që shtojnë shpërblimet e veprave duke mos u lodhur në arritjen e tyre (shpërblimeve):

-Sinqeriteti në vepra. Sado që vepra është e vogël, kur bëhet sinqerisht për Allahun, tek Ai ka shpërblim shumëfish sesa kur bëhet shumëfish ajo vepër por që nuk e ka atë sinqeritet. Sinqeriteti është shkallë-shkallë. Sa më i madh dhe më i pastër që është nijeti, vepra shpërblehet më shumë. Allahu ia ka falur një imorales imoralitetin e bërë më herët për shkak se i ka dhënë të pijë një qeni duke e bërë këtë sinqerisht për Allahun, një vepër kjo e vogël që shumëkush e nënvlerëson, apo nuk i kushton rëndësi se është duke cofur një qen nga etja, porse kur ajo ka parë se qeni po ha dhe’ sepse nuk ka tjetër gjë të hajë e pijë, i ka dhënë të pijë ujë dhe Allahu ia ka falur imoralitetin, i cili është prej mëkateve të mëdha. E për ta falë Allahu një mëkat të madh duhet pendim shumë e kërkim falje, mirëpo ajo këtë vepër e bëri për hir të Allahut dhe Ai ia fali.

-Pasimi i sunetit. Ka njeri që bën vepra të mëdha të cilat nuk janë sipas sunetit dhe i bëhen të tëra hi e pluhur, duke mos përfituar prej tyre.

-Vazhdueshmëria në vepra. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat më të mira janë ato të vazhdueshmet edhe nëse janë të pakta.” Më mirë është të falen dy rekate namaz nate duke qenë i vazhdueshëm në këtë, sesa të falen një natë njëmbëdhjetë rekate të gjata, e pastaj tërë javën apo muajin të mos zgjohesh fare. Kjo nuk preferohet në Islam. Ajo që preferohet është vepra e vazhdueshme edhe nëse është e paktë. Më mirë është mësimi i një ajeti në ditë sesa një faqe, e pastaj tërë muajin nuk mëson.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Transkriptim – Derset live. ?

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit