Disa kohë në të cilat lutjet marrin përgjigje

 

 

  1. Koha e syfyrit (pjesa e tretë e fundit e natës). Allahu kur i lavdëron besimtarët e devotshëm dhe tregon për veprat e mira që bëjnë thotë: “…dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” Ali Imran 17. Dhe thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” Dharijat 17-18. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Zoti ynë, qoftë i Lartësuar dhe i Madhëruar, zbret në qiellin e dunjasë kur mbetet pjesa e tretë e fundit e natës dhe thotë: “Kush është ai cili më lutet Mua që Unë t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai i cili kërkon prej Meje që Unë t’i jap atij? Kush ai i cili kërkon falje prej Meje që Unë t’ia fal mëkatet?” Buhariu dhe Muslimi.

 

  1. Një kohë e caktuar në ditën e xhumah. Pejgamberi salAllahu aljehi ue selem ka thënë: “Në ditën e xhumah është një kohë në të cilën nëse njeriu qëllon duke u falur1 dhe duke e lutur Allahun, Ai i jep atë që e kërkon prej Tij.” Ka bërë me shenjë se janë disa çaste. Është kohë e shkurtër, jo e gjatë, një pjesë, Allahu e di më mirë. Kjo kohë nuk është orë e gjatë sikur ora jonë 60 minutshe. Dijetarët kanë mospajtime se kur është kjo kohë. Mendimet më të forta se kur është kjo kohë janë dy: a) prej kur imami ulet në minber derisa të kryhet namazi i xhumasë, b) para perëndimit të diellit.

 

  1. Muaji Ramazan, sidomos dhjetë ditëshi i fundit, sidomos nata e Kadrit e cila është më me vlerë sesa 1000 muaj. Aisha radijAllahu anha e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “Nëse e di2 se cila është nata e Kadrit çfarë të them në të?” -Thuaj: “O Allah, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua!” Tirmidhiu.

 

  1. Dita e Arafatit (për haxhinjtë dhe për ata që nuk janë në haxh). Ajo është dita më e madhe dhe më e vlefshme e vitit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lutja më e mirë është ajo që bëhet në ditën e Arafatit. Lutja më e mirë që kemi thënë unë dhe Pejgamberët para meje (në këtë ditë) është “La ilahe ilAllahu wahdehu la sherike leh, lehul mulku we lehul hamdu, we huwe ale kuli shejin kadir”.

 

  1. Koha mes ezanit dhe ikametit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lutja nuk refuzohet mes ezanit dhe ikametit.”

 

  1. Në fund të namazit (para selamit). Dikush e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem se cila është lutja e cila më së shumti dëgjohet (d.m.th. që merr përgjigje) prej Allahut dhe ai i ka thënë: “Pjesa e fundit e natës dhe ne fund të namazit farz.” Tirmidhiu. Mendimi më i saktë rreth “në fund të namazit”, është para selamit.

Fusnotë:

1 – Është për qëllim pritja e namazit të ardhshëm (pasi e ka falur namazin e ikindisë ka qëndruar ulur duke u lutur deri në namazin tjetër, dhe kjo llogaritet sikur është në namaz).

2 – Përmes shenjave, ose inspirimit që ua jep Allahu disa besimtarëve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku ~ Dersi ‘Disa kohë në të cilat lutjet marrin përgjigje’.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit