Disa shkaqe me të cilat ruhemi prej fitneve

Disa shkaqe me të cilat ruhemi prej fitneve

  1. Frika ndaj Allahut (devotshmëria). Te frika ndaj Allahut është shpëtimi. Kush e ka frikë Atë, Ai e ruan dhe e udhëzon drejt çdo mirësie, në çështjet e fesë dhe të dunjasë. Allahu ka thënë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” Talak 2-3. Dhe: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” Talak 4. Të tillin Allahu do ta ruajë nga fitnet, do ta ruajë nga të gjitha anët, që të mos jetë pjesë e fitnes. Disa njerëz në kohën e tabiinëve kanë ardhur tek Talk ibn Habib rahimehullah kur ka ndodhur fitneja e havarixhëve dhe i kanë thënë: “Fitneja po shohim se ka ndodhur, por si të ruhemi prej saj?” Ai ka thënë: “Ruhuni prej saj me frikë ndaj Allahut (me devotshmëri)!” -“Na përmbledh atë (se çfarë është)!” -“Frika ndaj Allahut është të adhurosh Atë me dritë prej Tij (me argumente), duke shpresuar shpërblimin e Tij, dhe të braktisësh mëkatet me dritë prej Tij (me argumente), duke pasur frikë dënimin e Tij.” Shumë dijetarë e kanë lavdëruar shumë këtë definicion të devotshmërisë. Devotshmëria nuk është thjeshtë një pretendim, por ajo është dije, punë, shpresë dhe frikë; është pra veprim i urdhrave të Allahut dhe largim nga mëkatet. Kur njeriu ka frikë Allahun, Ai patjetër do ta shpërblejë: do ta ruajë, mbrojë dhe shpëtojë prej fitneve. Përfundimi i lumtur u takon të devotshmëve, siç e kuptojmë këtë nga ajetet dhe hadithet.
  2. Kapja pas Kuranit dhe sunetit. Allahu thotë:Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” Ali Imran 103. Porse, kjo nuk është thjeshtë të lexojë librin e Allahut pa e kuptuar e pa i ditur domethëniet e tij dhe pa punuar me udhëzimet që janë zbritur në të. Kurani është zbritur që të meditojmë në të dhe të punojmë me mësimet e tij, “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29. Imam Malik ibn Enes rahimehullah ka thënë: “Suneti është sikur anija e Nuhit. Kush hip në të, ka shpëtuar. E ai që e largohet, është i shkatërruar.” Ka shpëtuar prej dallgëve të shumta të fitneve që e rrethojnë atë dhe muslimanët, vazhdimisht, prej pas vdekjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem deri në Ditën e Kiametit. Sa më afër kësaj Dite, fitnet do të shtohen më shumë. Ku është shpëtimi? Tek kapja pas Kuranit e sunetit. E kush largohet, është i shkatërruar sepse e përfshijnë dallgët e fitneve.
  3. Durimi, ndalja e vetes, e jo të nxitojë të hyjë në fitne. Aliu radijAllahu anhu ka treguar (siç ka dëgjuar prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem) se do të ndodhin fitne gjithëpërfshirëse, që nuk largohen për një kohë të gjatë, të rënda e të forta, dhe na ka porositur: “Mos u bëni prej atyre që shpejtojnë të hyjnë në to dhe që i përhapin ato!” Ai që nuk ngutet, duke qenë durimtar, ka shpëtuar. Ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Do të ndodhin gjëra (fitne) që paqarta për besimtarin (nuk e di se çfarë të veprojë në to). Andaj mos u ngutuni, ngase që të jesh pasues në të mirë, në fund të karvanit, kjo është më mirë sesa të jesh i pari në të keqe.”

 

  1. Marrja e dijes prej dijetarëve të mëdhenj, të cilët janë të thelluar e të pa luhatur në dije. Selefi ka thënë: “Bereqeti është me dijetarët e mëdhenj.” Këta janë ata që kanë largpamësi, qëndrueshmëri në dije, që përmenden për dije. Sa herë që besimtari qëndron pas tyre, u referohet e u kthehet atyre, do të jetë gjithmonë në mirësi. Njerëzit e fitnes hapin e parë që e veprojnë ndaj të rinjve të cilët duan t’i fusin në fitne, është shkëputja e lidhjeve mes tyre dhe dijetarëve, që të mos dëgjojnë prej tyre. Kështu u flasin kundër tyre, gënjejnë e shpifin, i kritikojnë, duke futur në zemrat e këtyre të rinjve urrejtje për ta dhe mospranim të tyre. Këtë edukatë të përmendur në këtë pikë, e ka përmendur Allahu në Kuran: “Kur atyre[1] u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë (dijetarëve), hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo).” Nisa 83.

 

  1. Mbyllja e rrugëve dhe dyerve përmes të cilave fitneja depërton tek ti. Në këëtë mënyrë do të shpëtosh. Besimtari duhet të mbyllë derën e të keqes, të mos e lërë hapur, të mos e lërë mundësinë e të shikuarit në të dhe të dëgjuarit të saj, e nga ana tjetër duhet të shpresojë shpëtimin. Shumë të rinj klikojnë në internet dhe lexojnë, e thonë: “Veç dua të di se çfarë thonë!” apo: “Të shoh se cilat janë argumentet e tyre.” Porse, le të dijë se ky është fillimi i shkatërrimit të tij. Kjo është fillesa drejt fitnes. E pastaj pas një kohe ato gjëra (që lexon) do të depërtojnë në shpirtin e tij, derisa t’ia verbojnë zemrën, ndonëse ky nuk ka qenë qëllimi i tij. Besimtari duhet të dijë se është miskin, i mjerë, nëse nuk e ruan Allahu devijon shumë lehtë, andaj nuk duhet ta ekspozojë veten para fitneve, duke thënë: “Kam dije të mjaftueshme. Vetëm të shoh se si argumentohen ata e këta.” Kështu. vetë i riu ia hap vetes dyert e depërtimit të fitnes, e pastaj njerëzit e fitneve hedhin helmin dhe ideologjitë e tyre në zemrat e tij. Zemrat u shfaqen fitneve përmes dëgjimit dhe shikimit.

 

  1. Lutja tek Allahu për mbrojtje nga fitnet. Lutja është çelësi i çdo të mire. Muslimani duhet që sa më shumë, sidomos sot kur fitnet janë shtuar, që ta lusë Allahun ta ruajë dhe mbrojë prej fitneve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu prej fitneve, të dukshme e të fshehta!” Muslimi. Allahu nuk e refuzon lutjen e besimtarit, nuk e zhgënjen atë i cili kërkon ndihmë e mbrojtje prej Tij. Allahu thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir 60. “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” Bekare 186. Kush është i sinqertë e i vërtetë me Allahun, kur e lut Atë, kur i drejtohet, kur kthehet tek Ai dhe kur kërkon tek Ai mbrojtje që ta ruajë prej fitneve, me ngulm dhe vazhdimisht, Allahu gjithsesi do t’i përgjigjet dhe do ta ruajë prej fitneve me mirësinë dhe dhuntinë e Tij.

[1] Hipokritëve, fitnegjive.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “I lumtur është ai që qëndron larg fitneve”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit