Dita e Akabesë

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë ai i cili ka bart përgjegjësinë e thirrjes për tek Allahu për njëzetë e tre vite. Gjatë kësaj periudhe i kanë ndodhur shumë vështirësi dhe sprova të mëdha, si: përgënjeshtrimi prej idhujtarëve, lëndimet, torturat ndaj sahabëve, vdekja e Ebu Talibit i cili ka qenë krahë për të, pastaj vdekja e Khadixhes e cila ka qenë përkrahësja morale e tij, betejat e shumta, shpifja për nderin e Aishes etj.

Do të ndalemi vetëm te njëra, e cila ka qenë më e rënda gjatë këtij rrugëtimi të tij. Aisha radijAllahu anha ka treguar se e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem:

A ke përjetuar ditë më të vështirë sesa dita e betejës së Uhudit?”

Në këtë betejë janë vrarë shumë prej shokëve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, ndërsa vetë ai është plagosur. Dhe është përgjigjur:

Po. Dita kur jam lënduar prej popullit tënd (banorëve të Mekës) – dita e Akabesë.”

Në këtë ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka shkuar në Taif për të thirrur drejtë fesë së Allahut. Dhe pasi ka treguar se i është refuzuar thirrja e tij dhe e kanë goditur me gurë, ka thënë:

“Jam kthyer (prej Taifit) i pikëlluar dhe i mërzitur, me kokë të ulur, saqë nuk jam kthjelluar derisa kam mbërri në vendin Karnu Thealib.”

Do të ndalemi të meditojmë në këtë fjali të përmendur në fund, ku shohim se çfarë sprove e madhe ka përjetuar dhe çfarë pikëllimi i madh e ka kapluar atë. Pra, ai salAllahu alejhi ue selem është preokupuar aq shumë me atë çështje saqë nuk i është larguar gjendja e vështirë derisa ka mbërritur në një vend, i cili sot i bie të jetë diku 55 km larg Taifit. Ai ka ecur në këmbë për kaq kilometra dhe nuk është kthjelluar, edhe pse e dimë se ai ka qenë njeriu më i duruar, më shpresën të madhe tek Allahu, me zemrën e mendjen më të fortë, me personalitetin e karakterin e fortë dhe i fuqishëm shpirtërisht e moralisht.

Në Ditën e Akabesë janë bashkuar disa gjëra:

» Refuzimi i thirrjes së tij në Taif. Këtë gjë e ka përjetuar shumë rëndë, ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem  ka pasur zemër të pastër dhe ka dëshiruar që të tjerët t’i përgjigjen thirrjes së tij e të hyjnë në Islam (dhe të shpëtojnë). Allahu thotë në një ajet: “A mos vallë ti (o Muhamed) do ta shkatërrosh veten, ngaqë ata (banorët e Mekës) nuk duan të besojnë?” Shuara 3.

» Arroganca që treguan njerëzit e Taifit. Pasi Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem pa se Meka u shndërrua në një vend torturues për shokët e tij, atëherë deshi të shkojë në Taif (qytet afër Mekës) që banorët e tij të përqafojnë davetin e tij dhe ku shokët e tij do të gjejnë strehë dhe do të adhurojnë Allahun të sigurt prej ndëshkimeve. Mirëpo, këto shpresa shumë shpejt u shuan, për shkak të arrogancës që treguan njerëzit e Taifit, të cilët e refuzuan thirrjen, duke ngritur zërin dhe duke nxitur fëmijët, skllavet dhe të çmendurit që ta godisnin me gurë, derisa ia gjakosën këmbët.

» Kthimi duke bartur brengën e davetit. Pastaj u kthye në Meke duke bartur brengën e davetit, se kush do ta përkrahë thirrjen e tij, kush do t’i strehojë shokët e tij. Pasi mbërrin te vendi i cituar, atëherë i vjen Xhibrili alejhisselam. Vazhdon të tregojë:

“E ngrita kokën dhe pash se një re më bënte hije dhe mbi të ishte Xhibrili i cili më thirri në emër e më tha: “Allahu ka dëgjuar mirë se çfarë të ka thënë populli yt (që nuk iu përgjigjen thirrjes tënde). Allahu ka dërguar tek ti engjëllin i cili është përgjegjës për kodrat dhe malet, që ti ta urdhërosh me çfarëdo që dëshiron të veprosh me banorët e Mekës dhe të Taifit.” Pastaj më thirri engjëlli i kodrave dhe maleve i cili më tha: “Nëse dëshiron, unë i bëj bashkë këto male (mes të cilave ka qenë Meka e Taifi) dhe i shkatërroj të gjithë banorët e tyre.”

Për një moment të vetëm, do të përfundonte ajo arrogancë dhe mendjemadhësi e idhujtarëve të Mekës, mirëpo Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk e bërë atë gjë. Ai ka pasur mendim të mirë ndaj Allahut. Ai nuk e ka humbur kurrë shpresën në ndihmën, fitoren dhe mëshirën e Tij. Ai kurrë nuk e ka humbur shpresën për pranimin e udhëzimit të popullit të tij.

Këtu na sjell shembull të bukur se si besimtari duhet të ketë mendim të mirë ndaj Allahut, qoftë dhe në situatat më të rënda e më të vështira.

Dhe ka thënë:

“Shpresoj që Allahu të nxjerrë prej pasardhësve të tyre njerëz të cilët e adhurojnë Atë të Vetëm pa i bërë shok.”

Dhe pas pak vitesh, pas Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në namaz, janë falur bijtë e kokave të armiqve më të mëdhenj të tij, si: Ikrime i biri i Ebu Xhehlit, Saufani i biri i Umejes, po ashtu dy djemtë e Ebu Lehebit dhe të tjerë. Baballarët e tyre ishin koka të mohimit, ndërsa bijtë u bënë prijës në Islam, përmes të cilëve Allahu çliroi zemrat dhe vendet e ndryshme të botës. Kush ka mendim të mirë ndaj Allahut, atëherë Ai i jep më shumë sesa që shpreson dhe dëshiron ai.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit