Dita e Arafatit

Dita e Arafatit

Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush lakmon të lirohet nga zjarri i Xhehenemit dhe t’i falen mëkatet në ditën e Arafatit, atëherë le t’i kryejë shkaqet nëpërmjet të cilave shpresohet një gjë e tillë! Prej tyre është: shpeshtimi i dëshmisë së teuhidit (njësisë së Allahut) me sinqeritet e vërtetësi, ngaqë ajo është origjina dhe themeli i Islamit, të cilin Allahu i Lartësuar e plotësoi pikërisht në atë ditë (të Arafatit).” Letaif El-Me’arif, 494.

 

Nga Abdullah ibn Amr (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Lutja më e mirë është ajo në ditën e Arafatit, dhe fjalët më të mira që i kam thënë unë dhe profetët para meje janë: “La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ue lehul-hamdu, ua huwe a’la kul-li shej’in kadir.” (Sahih El-Xhami’, 3274) (S’ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, i Cili është i vetëm dhe i pashoq! Atij i përket sundimi e lavdia dhe Ai është i fuqishëm të bëj çdo gjë!)

 

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Shpresoj tek Allahu që agjërimi i ditës së Arafatit t’i shlyejë mëkatet e vitit para saj dhe të vitit pas saj.” Muslimi.

 

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu e liron më shumë robin nga zjarri i Xhehenemit sesa në ditën e Arafatit. Ai zbret (në qiellin e dynjasë), pastaj mburret me ta para engjëjve dhe thotë: “Çfarë dëshirojnë këta?” Muslimi, 1348.

 

Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Letaif El-Me’arif” përmend se lirimi nga zjarri i Xhehenemit në ditën e Arafatit i përfshinë të gjithë muslimanët. Andaj, në këtë ditë të madhe, njeriu duhet të jetë i përkushtuar në kryerjen e veprave të mira, si: përmendja e Allahut, lutjet drejtuar Atij, leximi i Kuranit, namazi vullnetar, agjërimi, lëmosha etj., me shpresë që të fitojë faljen e Allahut të Lartësuar dhe lirimin nga zjarri.

 

Imam Abdullah ibn El-Mubarak (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Shkova tek imam Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) në pasditen e Arafatit dhe e gjeta të gjunjëzuar, ndërkohë që sytë i rridhnin lot. Ai u kthye drejt meje, e unë i thash: “A e di se kush është njeri i humbur (i dështuar) sot?” Ai më tha: “Njeriu i cili mendon se Allahu nuk e fal!” (Letaif El-Me’arif, 310).

 

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kjo ditë (e Arafatit) është dita më e mirë e vitit për tu lutur. Andaj, njeriu duhet të angazhohet tërësisht në përmendje të Allahut, lutje, lexim të Kuranit dhe të lutet me lloje të ndryshme të lutjeve e të përdorë lloje të ndryshme të dhikrit. Lutu për veten, prindërit, të afërmit, hoxhallarët, kolegët, shokët, të dashurit, për këdo që të ka bërë mirë dhe për muslimanët në përgjithësi! Ki kujdes të madh dhe mos u trego neglizhues në tërë këtë, sepse kjo ditë nuk mund të zëvendësohet!” Kitab El-Edhka’r, 333. O Allah mos na privo nga vlera dhe shpërblimi i kësaj ditë të begatshme!

 

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Në ditën e Arafatit është mirë që njeriu të zgjedh lutjet e përcjella nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), siç është lutja që ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e thoshte shpesh: “O Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit të Xhehenemit!” Ndërsa, prej dhikrit është fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Lutja më e mirë është ajo në ditën e Arafatit, dhe fjalët më të mira që i kam thënë unë dhe profetët para meje janë: “La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ue lehul-hamdu, ua huwe a’la kul-li shej’in kadir.” Esh-Sherh El-Mumti’, 7/295) Aisha (radijAllahu anha) thotë: “Nuk ka ditë të vitit më të dashur tek unë për ta agjëruar (vullnetarisht) sesa agjërimi i ditës së Arafatit.” (Musned ibn El-Xha’d, 512).

 

Imam Ata’ ibn Ebi Rabah (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Nëse mundesh të vetmohesh gjatë mbrëmjes së Arafatit (për t’u lutur, përmendur Allahun etj.), atëherë bëje!” (Ez-Zuhd, imam Ahmedi).

 

Përktheu: Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit