Dita e Llogarisë
Komentim i Fjalës së Allahut: “Vërtet, punëdrejtët do të jenë në Xhenet, kurse fajtorët, me siguri, do të jenë në Zjarrin flakërues, në të cilin do të digjen në Ditën e Gjykimit, pa mundur t’i shmangen atij. E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit? Edhe njëherë: Kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit? Ajo është Dita, kur askush nuk do të ketë fuqi për të bërë gjë (dobi) për ndonjë tjetër dhe, kur pushteti do të jetë vetëm i Allahut.” Infitar 13-19.
~Njerëzit ndahen në dy grupe: 1. besimtarët e devotshëm, të papërlyer me mëkate, përfundimi i tyre do të jetë xheneti, 2. jobesimtarët të përlyer me mëkate, përfundimi i tyre do të jetë zjarri i xhehenemit.
~Dita e Llogarisë (Gjykimit) është dita e shpërblimit dhe dënimit. Ndodh që njeriu të veprojë në këtë jetë e të mos shpërblehet apo dënohet mjaftueshëm, mirëpo në ahiret është Dita e Gjykimit dhe e Llogarisë në të cilën njerëzit do të shpërblehen apo dënohen, në atë ditë nuk do të ketë punë e veprim, “…kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” Zelzeleh 7-8.
~ Aliu radijAllahu anha ka thënë: “Kjo dunja po na kthen shpinën duke na përshëndetur dhe po na vjen ahireti duke u ballafaquar me të. Kjo dunja ka banorët e punëtorët e saj dhe ahireti ka banorët e punëtorët e saj. Bëhuni prej banorëve e punëtorëve të ahiretit dhe mos u bëni prej banorëve e punëtorëve të dunjas. Sot ka vepër e nuk ka shpërblim, ndërsa nesër ka shpërblim e nuk ka vepër.” Më nuk mund të kthehet të shtojë diçka apo të mangësojë diçka në veprat që ka bërë.
~Një prej Emrave të Allahut është ed Dejjan – të gjithë do të llogariten tek Ai dhe Ai do t’i shpërblejë apo dënojë. Në hadith ka ardhur: “Të gjithë do të ringjallen lakuriq; këmbëzbathur dhe buhme (pa asgjë).” E kanë pyetur se çfarë është buhme dhe ka thënë: “Nuk kanë asgjë në atë ditë.” Dhe vazhdon hadithi: “Allahu i thërret krijesat, dhe do ta dëgjojnë ata që janë afër ashtu siç do ta dëgjojnë ata që janë larg. Dhe u thotë: “Unë jam el Melik (Mbreti) dhe ed Dejjan (Llogaritësi, që shpërblej apo dënoj) dhe nuk do të hyjë askush në xhenet pa ia marrë të drejtën ai të cilit i ka bërë padrejtësi, askush nuk do të hyjë në xhehenem pa ia marrë të drejtën ai të cilit i ka bërë padrejtësi.” Në atë ditë nuk do të ketë njeriu me çfarë të shpaguajë përveçse me vepra të mira dhe të këqija. E kanë pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem se si do ta shpaguajnë të drejtën kur s’kanë me çfarë të shpaguajnë, dhe ai përgjigjet: “Me vepra të mira apo me vepra të këqija.” Nëse dikush i ka bërë tjetrit padrejtësi atëherë i merren shpërblimet (sevapet) dhe i jepen atij të cilit i ka bërë padrejtësi. Nëse i harxhohen shpërblimet atëherë i merren mëkatet atij që i ka bërë padrejtësi dhe i ngarkohen atij. Ka ardhur në hadith: “I falimentuar në Ditën e Gjykimit është ai i cili do vijë me namaz të shumtë, me agjërim të shumtë, me lëmoshë të shumtë, mirëpo e ka ofenduar tjetrin, e ka lënduar tjetrin dhe e ka vrarë tjetrin.” Secili nga ta ia merr sevapet derisa t’i harxhohen ato, e kur t’i harxhohen atëherë i merren mëkatet e atyre dhe i ngarkohen atij derisa të hidhet në zjarrin e xhehenemit.
~ Sado që njeriu të ketë autoritet, apo pasuri, asnjëri nuk do ta ketë brengën për tjetrin, përveç Pejgamberëve (ata do ta kenë brengën edhe për umetet e tyre). Askush nuk do të pranonte t’ia jepte dikujt një sevap edhe nëse ai është njeriu më i afërt. Dhe askush nuk do të pranonte të merrte një mëkat të dikujt duke ia ngarkuar vetes) sado që është i afërt, “në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” Shuara 88-89.
~ Njeriu sa është gjallë duhet të shtojë veprat e mira dhe të pakësojë mëkatet, të pendohet, të kthehet tek Allahu e të ketë përfundim të mirë, “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” Zumer 53.
Dr. Gazmend Mehmeti – Marrë nga derset.