Dobitë e sëmundjes
✔️ Përmes sëmundjes, Allahu teston durimin e personit, mbështetjen dhe shpresën që ka tek Ai.
Allahu thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Bekare 155-156.
✔️ Përmes saj, Allahu tregon dobësinë e njeriut, ngase ai mendon se është i fuqishëm dhe i pamposhtur, por një sëmundje e vogël mund t’ia tregojë pozitën (vendin) e duhur. E Allahu është i patëmeta. Andaj, kur njeriu përballet me një sëmundje duhet të shohë realitetin e tij dhe të mos bëhet mendjemadh.
✔️ Përmes sëmundjes, Allahu tregon realitetin e kësaj jete, se ajo është kalimtare, me sfida e sprova dhe se njeriu nuk duhet të lidhet me zemër për të.
✔️ Përmes sëmundjes, ne kujtojmë rëndësinë dhe vlerën e shëndetit.
“Shëndeti është kurorë mbi kokat e të shëndoshëve, të cilën e shohin vetëm të sëmurët.”
✔️ Përmes sëmundjes, kujton sprovat me të cilat ballafaqohen njerëzit e tjerë (ngase ka të atillë që kanë sëmundje më të rënda sesa ti).
Kemi shembullin e Profetit Ejub alejhisselam, i cili ka pasur sëmundje shumë të rëndë.
✔️ Përmes sëmundjes, durimtari fiton shpërblime të mëdha. Shpërblimi është në bazë të sprovës (sa më e madhe sprova, shpërblimi më i madh).
Me sëmundje shlyhen gjynahet.
🌷 Nga sëmundja ka dobi të shumta, por me këtë nuk nënkuptohet që njeriu të lutet të sëmuret ngaqë nga sëmundja ka dobi e shpërblime. Përkundrazi, fetarisht kërkohet të lutet për shëndet, e nëse sprovohet atëherë të lutet për shërim dhe të kërkojë ilaçin/kurimin.
“Nuk i është dhënë njeriut mirësi si shëndeti, pas besimit (imanit).” Hadith.
Hoxhë Bajram Sefedini – Transkriptim.