Drejtimi i gjuhës

Drejtimi i gjuhës

 

Prej mënyrave më të rëndësishme në përmirësimin e zemrës është edhe drejtimi i gjuhës. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimi i njeriut nuk është në rrugën e drejtë përderisa dhe zemra e tij nuk është në rrugën e drejtë. Zemra e njeriut nuk është në rrugën e drejtë përderisa dhe gjuha e tij nuk është në rrugën e drejtë (të flasë drejtë).”

Drejtimi i gjuhës çon në përmirësimin e zemrës. Kur përmirësohet zemra atëherë kjo bën të përmirësohet besimi i njeriut. Dhe, drejtimi i gjuhës përmirëson gjymtyrët e veprat tona, e kur ajo është e shtrembër atëherë edhe gjymtyrët veprojnë shtrembër (jo në rrugën e duhur). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur biri i Ademit zgjohet në mëngjes, të gjitha gjymtyrët e tij i nënshtrohen gjuhës e i thonë: “Ki frikë Allahun ndaj nesh! Ne jemi ashtu siç je ti (të pasojmë). Nëse ti je në rrugën e drejtë edhe ne do të veprojmë drejtë. Nëse ti shkon në rrugën e shtrembër, edhe ne do të veprojmë shtrembër.” Për këtë, shumica e mëkateve të njerëzve janë për shkak të gjuhëve të tyre.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cili është muslimani më i mirë tek Allahu?” dhe ka thënë: “Ai prej gjuhës dhe dorës të së cilit muslimanët e tjerë janë rahat (të sigurt).” Është pyetur gjithashtu: “Si të arrijmë shpëtimin?” dhe ka thënë: “Mbaje (ruaje) gjuhën tënde, le të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatet e tua!” Dhe ka thënë: “Mos fol me gjuhën tënde veçse atë që është e mirë tek Allahu.”

Ibën Xheriri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Lukmani ishte një rob, i zi, buzëtrashë. Një njeri erdhi një ditë dhe e pa atë duke iu dhënë këshillë njerëzve për Allahun. Ai e pyeti: “A nuk je ti ai çobani me të cilin kemi ruajtur bashkë dhentë?” Ai i ka thënë: “Po.” E ka pyetur: “Cila është ajo pune e cila të ka ngritur kaq lartë (që njerëzit po ta dëgjojnë fjalën)?” ai është përgjigjur: “Gjithmonë e kam thënë të vërtetën dhe kam heshtur ndaj atyre gjërave që nuk më kanë hyr në punë (që nuk më kanë takuar).”

Frytet e drejtimit të zemrës

Atij që i drejtohet gjuha, i drejtohet zemra e si rrjedhojë i drejtohen të gjitha gjymtyrët e trupit, e pastaj do të vjelë frytet e kësaj në të dy botët. Prej këtyre fryteve përmendim:

–Qëndrueshmëria në fe.

–Jeta e bukur në këtë botë dhe tjetrën.

–Përgëzimi në momentet e vdekjes (kur e ruan gjuhën ndaj gjërave të kota, përgojimit, bartjes së fjalëve, gënjeshtrës, të të folurit për Allahun pa dije, shpallja muslimanëve të dalë nga feja etj.).

–Dhënia e pushtetit.

–Futja nën hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Gjykimit (gjuhët e shtatë kategorive që futen në këtë hije kanë pasur gjuhë të drejta).

–Fitimi i xhenetit.

Kur gjuha devijon rrugën e drejtë, atëherë edhe gjymtyrët do ta pasojnë. Kur gjymtyrët e robit nuk janë në rrugën e drejtë, ai do të jetë i mjerë, në të dy botët. Kjo për disa arsye:

─ përmes gjuhës ka mundësi të dalë nga feja (të bëjë kufër).

─ përmes gjuhës ka mundësi të gënjejë.

─ përmes gjuhës ka mundësi të vijë te derdhja e gjakut (shkaktohet urrejtje, përgojon, bartë fjalë etj.).

─ përmes  saj ka mundësi të flasë një fjalë që shkakton zemërimin e Allahut.

─  përmes gjuhës mund të futet në zjarrin e xhehenemit.

Disa gjëra që na ndihmojnë të përmirësojmë gjuhën e të jetë në rrugën e drejtë janë:

-Heshtja, “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit le të flasë fjalë të mira ose le të heshtë!”

-Mbajtja e gjuhës (ndaj gjërave të kota), Hadithi ku tregohet se e pyetën: “Ku është shpëtimi?” dhe u përgjigj: “Mbaje gjuhën tënde!”

Përmendja e Allahut, “Le të jetë gjuha jote vazhdimisht e njomë me përmendjen e Allahut.”

Të flasësh gjëra të mira, “Mos fol me gjuhën tënde veçse atë që është e mirë tek Allahu

-Lutja për përmirësimin dhe drejtimin e gjuhës.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit