Dyshimi i dytë: “Si po i krahasoni….”
Thonë: “Këto ajete që m’i sjell si argument kanë zbritur për ata që adhurojnë idhujt. Si po i krahasoni njerëzit e devotshëm me idhujt që i kanë adhuruar mushrikët e Mekës?! Si po i bëni (njëjtë) Pejgamberët sikurse idhujt?!” (Autori thotë) Kundërpërgjigje: Nëse ai pranon se mushrikët kanë pranuar dhe pohuar se rububija e gjitha i takon Allahut dhe se ata nuk kanë dëshiruar prej idhujve që i adhuronin asgjë përveçse që të ndërmjetësonin për ta tek Allahu, atëherë një pjesë e dyshimit largohet, mirëpo nëse insiston dhe do të bëjë gjithsesi dallim mes veprës së tij dhe veprës së mushkrikëve, atëherë kujtoja se ata nuk kanë adhuruar vetëm idhuj, por kanë adhuruar edhe njerëz të devotshëm, të mirë, evlia, për të cilët Allahu ka thënë: “Vetë ata që idhujtarët u luten, kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre, madje edhe më të afërtit, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij.” Isra 57. Gjithashtu mushrikët e asaj kohe kanë adhuruar Isën dhe nënën e tij, “Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, hanin ushqim. Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta! Thuaju (o Muhamed): “Si mundet vallë, që ju adhuroni në vend të Allahut, atë që nuk është në gjendje t’ju sjellë as dëm e as dobi, ndërkohë që Allahu dëgjon dhe di çdo gjë?!” Maide 75-76. Përmendja fjalët e Allahut (pra kanë adhuruar edhe engjëjt): “Ditën, kur do t’i tubojë të gjithë, do t’u thotë engjëjve: “Vallë, këta juve ju adhuronin?” Ata do të thonë: “Qofsh i lavdëruar Ti, o Zoti ynë! Ti je Mbrojtësi ynë, jo ata. Ata adhuronin xhindet dhe shumica e mohuesve u besonin atyre.” Sebe 40-41. Gjithashtu: “Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë!” Maide 116. Pas kësaj thuaji: Përmes këtyre kuptojmë se Allahu i ka konsideruar jobesimtarë ata të cilët kanë adhuruar idhujt, por gjithashtu edhe ata që kanë adhuruar njerëzit e devotshëm. Për më tepër, i Dërguari i Allahut i ka luftuar ata.
Edhe ky dyshim (që sjellin idhujtarët) ka depërtuar në mesin e shumë njerëzve prej sektit batinije, të cilët kanë thënë se kërkimi i këtij ndërmjetësimi nuk hyn te teuhidi, pra lejohet të bëhet, nuk e mohon fjala La ilahe ilAllah, ngase teuhidi tek ta është vetëm teuhidi rububije (besimi në Allahun është vetëm kur beson se Ai është i vetmi që ka fuqi, i vetmi që e drejton këtë univers, i vetmi që ka mundësi të shpikë, i vetmi që është i panevojshëm për të tjerët). Pastaj ky dyshim ka depërtuar te dijetarët e Ilmul kelamit të cilët kanë thënë se qëllimi parësor e kryesor i njeriut është realizimi i besimit, e besimi tek ta është në rububije. Pastaj ky devijim ka depërtuar në mesin e muslimanëve, e që shumë prej musfesirëve (të mëvonshëm) janë ndikuar prej tij. Për këtë arsye, ajetet ku përmendet adhurimi ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, i kanë komentuar se fjala është për adhurimin e statujave, idhujve. Andaj kur autori (shejh Muhamed ibn AbdulUehabi rahimehullah) ka bërë thirrje, shumë mufesirë e fukaha ia kanë mohuar thirrjen, nuk ia kanë pranuar, dhe i kanë thënë: “Si po i krahason Pejgamberët dhe njerëzit e devotshëm me idhuj?” Pra, se nuk është e njëjta gjë (sipas tyre), sepse idhujt nuk kanë shpirt e ndërsa njerëzit e devotshëm kanë shpirt të pastër, të shenjtë, me pozitë tek Allahu.
Kundërpërgjigja (e autorit):
“Nëse ai pranon se mushrikët kanë pranuar dhe pohuar se rububija e gjitha i takon Allahut”– ky është hapi i parë se si e asgjëson dyshimin që sjellë ai, pra i jepet sqarim gjendja e idhujtarëve para islamit. Mushrikët e kanë pohuar rububijen për Allahun.
-“ dhe se ata nuk kanë dëshiruar prej idhujve që i adhuronin asgjë përveçse që të ndërmjetësonin për ta tek Allahu”. Idhujtarët e Mekës e kanë adhuruar Allahun, por edhe idhujt në mënyrë që të ndërmjetësojnë tek Ai. Shirku i tyre ka qenë në teuhidin uluhije, jo në atë rububije.
-“Mirëpo, nëse (edhe pas kësaj) insiston të bëjë dallim mes veprës së tij dhe të idhujtarëve të Mekës (nuk bindet në dy pikat e para), atëherë përmendja se edhe idhujtarët e Mekës, disa nga ta kanë adhuruar statuja e disa kanë adhuruar njerëz të mirë.” E jo se tërë adhurimi i tyre ka qenë vetëm ndaj idhujve, statujave. Mushrikët i janë drejtuar me adhurime katër llojeve: statujave të gdhendura në formë imazhi, engjëjve, Pejgamberëve e njerëzve të devotshëm dhe gurëve e drunjë etj. Te lloji i katërt (gurë e drunjë) hynë dhe dielli, hëna e yjet. Gjithashtu (aspekti tjetër) ata që adhuronin mushrikët e Mekës kanë qenë të vdekur, jo të gjallë, “Ndërsa idhujt që ata i adhurojnë në vend Allahut, nuk krijojnë asgjë; ata vetë janë të krijuar. Ata janë të vdekur, pa kurrfarë gjallërie dhe as që e dinë se kur do të ringjallen.” Nahl 20-21. D.m.th. (njerëzit që janë adhuruar në vend të Allahut) në kohën kur i kanë adhuruar mushrikët, nuk kanë qenë në cilësinë e jetës. Mirëpo, kanë qenë të gjallë më parë.
Pastaj, në fund, pasi i kupton këto, ia sjell domethënien e tewesulit (kërkimin e afrimit tek Allahu), i tregohet se si kuptohet saktë. Jo fillimisht t’i flitet për këtë, por pas atyre tri pikave që përmendëm.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.