Ebu Bekri radijAllahu anhu

Biografia e Ebu Bekrit, radijAllahu anhu

Më të mirët prej sahabëve janë dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, ndërsa më të mirët prej tyre janë katër udhëheqësit e drejtë, e prej këtyre më të mirët janë Ebu Bekri dhe Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.

Me pajtueshmërinë e të gjithë dijetarëve, më i miri i këtij umeti është udhëheqësi dhe zëvendësi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, Abdullah Ebu Bekër es Siddik ibn Uthman. Ai ka qenë më i miri prej sahabëve.

Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, Ebu Bekri ka qenë ai i cili e ka pranuar i pari Islamin (prej burrave, të lirë e jo skllevër). Transmetohet se ai në një rast ka thënë për veten e tij: “A nuk jam unë i pari që e kam pranuar Islamin?!” Tirmidhiu.

Ebu Bekri e ka marr detyrën si udhëheqës me pajtueshmërinë e të gjithë sahabëve, pas vdekjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Udhëheqësia e tij ka zgjatur përafërsisht dy vjet e katër muaj.

Ai ka vdekur në moshën 63 vjeçare. Namazin e xhenazes ia ka falur Umeri radijAllahu anhu dhe e kanë varrosur në dhomën ku ka qenë i varrosur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.

Argumentet që flasin për vlerën e tij

Ebu Bekri ka qenë njeri me pozitë të lartë dhe të bëma të mëdha sa i përket Islamit. Ai ka qenë i veçuar me virtyte dhe vlera. Andaj, sahabët ia kanë besuar atij pozitën e udhëheqësit dhe i janë zotuar për besnikëri.

–Transmetohet se një grua ka ardhur te Pejgamberi salallahu alejhi ue dhe e ka pyetur: “Nëse vij në vitin e ardhshëm dhe nuk të gjej ty, atëherë kujt t’i drejtohem?” Dhe ai salAllahu alejhi ue selem i është përgjigjur: “Nëse nuk me gjen mua, drejtoju Ebu Bekrit.” Buhariu.

— Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu më dërgoi te ju dhe më përgënjeshtruat, ndërsa Ebu Bekri më besoi e tha: “Të vërteten e thua.” Ai më ndihmoi me veten e tij dhe me pasurinë e tij. A ma lini të qetë shokun tim të veçantë (sahibi)? A ma lini të qetë shokun tim të veçantë (sahibi)?”

–Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu ia ka lënë nën mundësi një njeriu (robi të Tij) të zgjedhë mes kësaj jete (të jetojë) me të gjitha të mirat e saj dhe të mirave dhe shpërblimit të Allahut në botën tjetër, dhe ai zgjodhi shpërblimin i cili është tek Allahu.” Kur i dëgjoi Ebu Bekri këto fjalë, filloi të qajë, dhe të pranishmit u çuditën. Mirëpo, ai e kuptoi dhe e diti se ky rob i Allahut është vetë i Dërguari salallahu alejhi ue selem. Pastaj e qetësoi Ebu Bekrin dhe tha: “Njeriu i cili më së shumti më ka bërë mirë me shoqërinë dhe pasurinë e tij, është Ebu Bekri. Sikur ta merrja dikë për halil (të dashur) përveç Zotit tim, do ta merrja Ebu Bekrin. Mirëpo, në mes nesh (mes tij dhe Ebu Bekrit) mbetet vëllazëria dhe dashuria islame.” Transmeton Buhariu. Halil është shkalla më e lartë e dashurisë. Muhamedi salAllahu alejhi ue selem ka qenë halil i Allahut.

–Transmetohet se Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Ebu Bekri është zotëria ynë, më i mirë në mesin tonë, më i ngrituri dhe më i dashuri te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.”

–Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Kush është njeriu më i dashur tek ti?” Ai është përgjigjur: “Aisha.” Është pyetur përsëri: “Prej burrave?” Dhe është përgjigjur: “Babai i saj (Ebu Bekri).”

–Ebu Bekri e ka shoqëruar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem kur kanë mërguar për në Medine (kanë bërë hixhret) dhe gjatë ndjekjes së idhujtarëve janë strehuar në shpellë. Atëherë idhujtarët kur ata janë afruar shumë te shpella, Ebu Bekri i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Nëse ndonjëri prej tyre do të shikojë këmbët e veta, do të na vërejë.” Mirëpo, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Çfarë mendon, o Ebu Bekër, për dy persona me të cilët Allahu është i treti?!” Kjo fjalë tregon për pozitën e lartë që ka pasur Ebu Bekri. Dhe Allahu ka zbritur ajetin: Nëse ju nuk e ndihmoni atë, Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u pikëllo, se Allahu është vërtet me ne!” Teube 40. Allahu e quan Ebu Bekrin “shokut të vet”. Ai ka arritur hisen më të plotë të të qenët shok i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

–Ka ajete kuranore për të cilat shumë komentues të Kuranit thonë se kanë zbritur për Ebu Bekrin, prej tyre: “Ata që kanë ardhur me sinqeritet dhe kanë besuar të vërtetën, ata janë të devotshmit.” Zumer 33. “E do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi (që ruhet nga gjynahet), që e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit.” Lejl 17-20.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit