Ebu Jahja Suhejb ibn Sinani – Er Rumi (sahabi)

Biografi të sahabëve (shkurtimisht)

Ebu Jahja Suhejb ibn Sinani radijAllahu anhu, i cili njihet me nofkën er Rumi – Romaku

Ai ka qenë i njohur në mesin e sahabëve për vlera dhe virtyte të larta.

Ai e ka pasur emrin Umejri, mirëpo romakët e kanë quajtur Suhejb.

Është quajtur Romaku për arsye se kur ka qenë fëmijë i vogël, romakët e kanë nxënë rob të luftës. Andaj, ai është rritur te romakët dhe për këtë ka pasur problem me shqiptimin e fjalëve arabe në mënyrë të qartë.

Ndërsa, sa i përket kunjes Ebu Jahja, me të e ka emërtuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.

Për kthimin e tij në Meke janë dy versione:

▪ Fisi Benu Kelb e ka blerë si skllav prej romakëve dhe pastaj e kanë sjell në Meke. Prej tyre pastaj e ka blerë Abdullah ibn Xhud’an (prej banorëve të Mekës).

▪ Pasi është rritur dhe ka filluar të kuptojë për prejardhjen e tij, është arratisur prej romakëve dhe ka ardhur në Meke. Pastaj ka bërë marrëveshje me Abdullah ibn Xhud’an duke i shërbyer derisa ky ka vdekur.

Suhejb er Rumi ka qenë prej të parëve të cilët e kanë pranuar Islamin dhe prej atyre të cilët kanë marrë pjesë në betejën e Bedrit. Ai ka hyr në Islam në të njëjtën ditë me Amër ibn Jasirin. Para këtyre të dyve e kanë pranuar Islamin përafërsisht tridhjetë e ca njerëz.

Suhejbi ka qenë prej të shtypurve në Meke të cilët janë torturuar në rrugën e Allahut, prej idhujtarëve të Mekës.

Ai ka qenë prej atyre që zotëronin hedhjen e shigjetës dhe ka qenë trim. Ai ka marrë pjesë në të gjitha betejat krahas Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

Ka qenë shumë i bardhë, as i gjatë e as i shkurtë. Ka pasur flokë të shumtë e të gjatë.

Kur ka bërë hixhret për në Medine, një pjesë e idhujtarëve të Mekës e kanë ndjekur nga pas, dhe nuk ka parë rrugëdalje veçse të ballafaqohet me ta. Andaj, e ka vendosur çantën ku ka vendosur shigjetat dhe ka thënë: “O Kurejsh, ju e dini se unë e zotëroj më së miri hedhjen e shigjetave. Nuk do të arrini tek unë derisa t’iu godas të gjithëve me shigjeta, e pastaj nëse shpëtoni do t’ju godas me shpatën time derisa të mbetet një pjesë e shpatës në dorën time (të thyhet)! Andaj, nëse dëshironi pasurinë time, u tregoj se ku është dhe më lini të lirë të shkoj në Medine.” Pastaj, kështu kanë bërë marrëveshje dhe ka vazhduar rrugën për Medine. Më pas e ka takuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në xhaminë Kuba. Allahu i ka treguar paraprakisht me Shpallje se çfarë ka vepruar Suhejbi. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë atij: “Tregtia jote u shpërblye dhe fitove shumë, o Ebu Jahja!” Për këtë ngjarje, Allahu ka zbritur ajetin: Ka njerëz që e flijojnë veten dhe pasurinë, për të fituar pëlqimin e Allahut.” Bekare 207.

Për shkak se Suhejbi ka pasur vlerë të lartë në mesin e sahabëve dhe ka qenë i besueshëm, Umeri radijAllahu anhu e ka porositur t’ua falë njerëzve namazin me xhemat përderisa të merret vesh me ehlul shura (ata që kanë përcaktuar se kush do të jetë halife pas Ebu Bekrit). Kjo ka zgjatur për tri ditë radhazi.

Pas vrasjes së Uthmanit radijAllahu anhu, Suhejbi është larguar prej fitneve që kanë ndodhur në mesin e muslimanëve dhe është marrë me veten e tij.

Ai është cilësuar si njeri bujar. Me gjithë pozitën e lartë që ka pasur, prapë ka qenë njeri shakaxhi me njerëzit dhe u sjell mirë me ta. Kur e ka takuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në Kuba (siç përmendëm), para tij ka pasur hurma dhe ai ka filluar të hajë prej tyre, ndërsa njërin sy e ka pasur të inflamuar dhe i është mbuluar, dhe në këtë rast Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Si po ha hurma përderisa e ke këtë sëmundje?!” Disa dijetarë kanë shpjeguar se ngrënia e tyre ia përkeqëson gjendjen (duke u përtypur). Dhe ai ia ka kthyer me shaka: “Po ha me syrin tjetër (të shëndosh).” Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka buzëqeshur derisa i janë parë dhëmballët.

Suhejbi ka qenë prej sahabëve të cilët kanë transmetuar shumë hadithe.

Vdekja e tij

Ka mospajtim se në cilin vit dhe në cilën moshë ka vdekur. Ai ka vdekur në Medine dhe namazin e xhenazes ia ka fal Sad ibën Ebi Vekasi dhe është varrosur në varrezën Beki (në Medine).

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit