Edukata të tjera për lexuesit e Kuranit

Edukata të tjera për lexuesit e Kuranit

–Është e pëlqyeshme për personin i cili do të lexojë Kuran, natën apo ditën, të marrë abdes dhe të pastrojë gojën me miswak (apo brushë), në shenjë respekti ndaj Kuranit.

–Është e pëlqyeshme që lexuesi i Kuranit të shpeshtojë leximin nga mus’hafi.

–Nuk është prej edukatës që njeriu të lirojë gazra gjatë leximit të Kuranit. Duhet të ndalet nga leximi derisa të përfundojë gazrat.

–Nëse ndodh t’i hapet goja gjatë leximit të Kuranit, ndalet e nuk lexon duke iu hapur goja (kjo nuk është prej edukatës dhe nuk mund të nxjerrë shkronja siç duhet).

–Është e pëlqyeshme që gjatë leximit të Kuranit kur përmendet sexhdeja, të bëjë sexhde, sepse me këtë e kënaq Allahun dhe e zemëron armikun e tij – shejtanin.

–Duhet të meditojë për atë pjesë që lexon dhe të jetë i kujdesshëm të mos angazhohet me gjëra që ia shpërqendrojnë zemrën gjatë leximit të Kuranit.

–Kur të lexojë ndonjë ajet ku përmendet mëshira e Allahut, atëherë le të kërkojë prej Tij ta mëshirojë. Kur të lexojë ndonjë ajet ku përmendet dënimi i Allahut, atëherë le të kërkojë prej Tij ta ruajë.

–Nëse kotet gjatë leximit dhe nuk mund të vazhdojë, atëherë e ndërpret leximin dhe shtrihet të flejë.

Lexuesit e Kuranit duhet të edukohen me këto edukata dhe të mos tregohen të shkujdesur. Pasi e kanë lexuar dhe mësuar Kuranin përmendsh, atëherë le ta llogarisin veten. Nëse shohin te vetja e tyre se janë duke kryer obligimet dhe janë duke u larguar prej ndalesave, atëherë le ta falënderojnë Allahun që u ka dhënë sukses drejt kësaj. Mirëpo, nëse shohin te vetja e tyre lëshime, atëherë duhet të kërkojnë falje tek Allahu, krahas kësaj të lusin që t’i largojë nga kjo gjendje e cila nuk u shkon përshtati lexuesve të Kuranit dhe me të cilën Ai nuk është i kënaqur dhe të luten që t’i zhvendosë në një gjendje me të cilën Ai është i kënaqur, sepse kushdo që i lutet Allahut, Ai nuk do ta zhgënjejë atë.

Kush u përmbahet edukatave të përmendura në këtë libër, atëherë dobia e leximit të tij të Kuranit, do t’i shfaqet në të gjitha çështjet e tij dhe bereqeti i këtij leximi do ta prekë në këtë botë dhe tjetrën. Katade ka thënë: “Kush ulet të lexojë dhe studiojë Kuranin, nuk ngritët veçse me shtesë apo me pakësim.” Me shtesë – kur e kupton dhe vepron sipas Kuranit do t’i shtohet bindja. Ndërsa, me pakësim – kur atë që lexon e kundërshton me veprat e tij.

 

Hoxhë Petrit Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit