Ëmbëlsia e besimit

Ëmbëlsia e besimit

Prej mëshirës së Allahut ndaj robërve të Tij besimtarë është se Ai ua ka mundësuar të shijojnë dhe përjetojnë frytet e besimit, në këtë botë dhe në botën tjetrën. Në këtë botë është përjetimi i qetësisë, i rehatisë, i prehjes shpirtërore dhe të zemrës, ndërsa në botën tjetër ka falje të mëkateve, furnizim pa masë (atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as zemra nuk mund ta parafytyrojë), ngritje të shkallëve, trashëgim të Firdeusit etj.

Prej fryteve dhe rezultateve të besimit është përjetimi i ëmbëlsisë së tij.[1] Allahu ka bërë për besimtarin një lloj shije dhe ëmbëlsie në adhurimet që kryen (e cila shijohet me zemër, është ëmbëlsi e saj). Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Prej ëmbëlsisë së besimit është kur njeriu gjen në zemrën e tij qetësi, rehati, prehje dhe zgjerim të kraharorit.” Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ashtu siç përjetohet shija e mirë e ushqimit, edhe zemra shijon ëmbëlsinë e besimit. Besimi është ushqim për zemrën, i jep forcë asaj ashtu siç ushqimi e pija i jep forcë trupit. Ashtu siç trupi nuk mund të përjetojë ëmbëlsinë e ushqimit dhe pijes përveçse kur është i shëndoshë, ashtu dhe zemra e përjeton ëmbëlsinë e besimit kur është e shëndoshë prej sëmundjeve të saj. Nëse kjo zemër shpëton prej sëmundjeve të dëshirave e tekave dhe epsheve të ndaluara, do ta përjetojë ëmbëlsinë e besimit, e kurdo që sëmuret me to atëherë nuk do ta shijojë atë.”

Ëmbëlsia e besimit është kjo që thamë deri tash, pra që njeriu të shijojë e të ndjejë kënaqësi në shpirtin e tij gjatë adhurimeve dhe ta motivojë shpirtin e ta stërvisë me durim në përballje ndaj vështirësive për të arritur kënaqësinë e Allahut (dhënia përparësi kësaj ndaj qëllimeve e dëshirave të kësaj bote). Në këtë ëmbëlsi e kënaqësi të besimit dhe adhurimeve është qetësia, rehatia dhe lumturia e zemrës. Kur njeriu kryen urdhrat fetarë, qofshin fjalë apo vepra, qofshin të brendshme apo të jashtme, atëherë ai do ta ndjejë këtë kënaqësi e ëmbëlsi.

Ëmbëlsia e besimit është diçka e çuditshme. Ajo dallon prej personit në person, prej gjendjes në gjendje në të cilën kalon njeriu, nganjëherë është e fortë dhe e madhe e nganjëherë e dobët dhe e zbehtë. Besimi dhe ëmbëlsia e tij janë çelësi që njeriu të qëndrojë fort në adhurimin ndaj Allahut. Kënaqësia që përjeton është sekreti i të qenit i paluhatshëm para joshjeve dhe tundimeve.

Kënaqësitë e kësaj bote janë të shoqëruara me shqetësime, me turbullira, ndërsa kënaqësia që përjeton prej veprave të mira e adhurimeve është e pastër. Sado që njeriu të përjetojë kënaqësi prej kësaj bote, prapë ka mërzi e lodhje, ndërsa prej kënaqësisë së veprave dhe adhurimeve nuk ka mërzi e lodhje, as shqetësim e ngushtim të zemrës, përkundrazi sa më shumë që shton prej tyre (veprave e adhurimeve) aq më shumë shtohet kënaqësia e lumturia. Është e mundshme që njeriut kënaqësitë e kësaj bote t’ia humbasin disa kënaqësi të botës tjetër, ndërsa përmes kënaqësisë së veprave të mira arrin të mirat e të dy botëve. Allahu thotë: “Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell”. Enam 125. Ibën Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Kur drita depërton në zemër, ajo (zemra) zgjerohet.” E kanë pyetur se cilat janë shenjat (e këtij depërtimi), ka thënë: “Kur njeriu kthehet kah bota e amshueshme dhe heq dorë prej kësaj bote mashtruese dhe përgatitet për vdekjen para se t’i vijë ajo.”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar në shumë hadithe se besimi ka shije, ka ëmbëlsi, ka kënaqësi, që përjetohet e shijohet. Në një hadith thotë: “E ka shijuar ëmbëlsinë e besimit ai që është i kënaqur me Allahun për Zot të Tij, me Islamin për fe të tij dhe me Muhamedin për të Dërguar të tij.” Në një hadith tjetër ka treguar se kjo ëmbëlsi ka baza e kushte që duhet të plotësohen: “Kush ka tri tipare do të shijojë ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur për të sesa çdokush tjetër, të mos e dojë tjetrin për asgjë tjetër veçse për hir të Allahut dhe të urrejë të largohet prej Islamit (të hyjë në mohim) ashtu siç urren të hedhet në zjarr.” Muslimi. Abdurrahman ibn Sadi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na njofton (në këtë hadith) se besimi paska ëmbëlsi. Kur njeriu e përjeton atë, atëherë ajo e ngushëllon dhe bën të harrojë gjërat e dashura të kësaj bote dhe dëshirat e shpirtit të tij, gjithashtu ka rezultat jetën e mirë në këtë botë. Ai që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij do ta përmendë vazhdimisht Allahun, kjo është diçka e natyrshme, dhe do të mundohet ta pasojë të Dërguarin e Tij, e pasimit të tij i jep përparësi ndaj pasimit të çdo kujt tjetër dhe ndaj dëshirave e qëllimeve të nefsit. Kush vepron kështu do të ketë shpirt të qetë, i cili shijon dhe përjeton ëmbëlsinë e adhurimeve, atij do t’i zgjerohet kraharori për Islam dhe do të jetë i ndriçuar me dritë prej Zotit të tij.”

Allahu disa prej robërve të Tij ua ka mundësuar të përjetojnë ëmbëlsinë e besimit (të hyjnë në këtë xhenet) para se të takojnë Allahun, duke qenë ende në jetën e kësaj bote. Disa prej selefit kanë thënë: “Nganjëherë kaloj nëpër disa çaste përjetimi të ëmbëlsisë së besimit saqë them se sikur banorët e xhenetit të ishin në një kënaqësi të tillë, atëherë vërtetë do të kenë një jetë të mrekullueshme.” Shkaku i thënies së kësaj, është se ata kanë përjetuar ëmbëlsinë e besimit dhe kënaqësinë e adhurimeve.

Ëmbëlsia e besimit kërkon prej njeriut të qëndrojë në kufijtë e Allahut, kënaqësia e Tij të jetë synim i tij, të ndjekë rrugën e atyre të cilët vazhdimisht kanë qenë në kërkim të kënaqësisë së besimit, të luftojë nesfin e tij, të përpiqet shumë në përmirësimin e adhurimeve dhe të shoqërohet me besimtarët e mirë që kanë këtë qëllim.

[1] Kemi ëmbëlsinë e besimit, të namazit të natës, të leximit të Kuranit, të dhënies së pasurisë e të tjera, të cilat do të sqarohen brenda librit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.

Madhësia e tekstit