Emri المُقَدِّم, المُؤخِّر – El Mukad-dim dhe el Mu’kh-khir
Këta dy emra kanë ardhur në shumë hadithe profetike. Prej tyre është hadithi që tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur:
اللهم اغفر لي خطيئتي وجهلي، وإسرافي في أمري، وما أنت أعلم به مني، اللهم اغفر لي جدي وهزلي، وخطأي وعمدي، وكل ذلك عندي، اللهم اغفر لي ما قدمت وما أخرت، وما أسررت وما أعلنت، وما أنت أعلم به مني، أنت المقدم وأنت المؤخر، وأنت على كل شيء قدير.
“O Allah, m’i fal të gjitha mëkatet, ato që i kam bërë nga mosdija, teprimet në çështjet e mia dhe ato mëkate që Ti i di më mirë sesa unë! O Allah, m’i fal mëkatet e bëra kur kam qenë serioz apo në humor, ato që i kam bërë me qëllim dhe ato që i kam bërë pa qëllim, ngase të gjitha këto (mëkate) gjendjen tek unë! O Allah, m’i fal mëkatet e kaluara, të ardhme, mëkatet e bëra fshehtazi dhe haptazi dhe mëkatet të cilat Ti i di më mirë sesa unë! Ti Ai që e shtyn përpara dhe Ti je Ai që lë mbrapa. Ti je i Fuqishëm për çdo gjë.” Buhariu dhe Muslimi.
Kuptimi i emrit المُقَدِّم – El Mukaddim: Allahu dikë e shtyn përpara (e ngritë).
Kuptimi i emrit المُؤخِّر – El Mu’kh-khir: Allahu dikë e lë mbrapa.
Këta dy emra, janë prej atyre emrave të cilët duhet të përmenden së bashku, gjithmonë, duke dhënë kuptim të kundërt secili. Nuk lejohet që të përmenden ndaras njëri-tjetrit. Duke i përmendur së bashku, arrihet të pohohet përsosmëria ndaj Allahut. Këto dy cilësi, shtyrja përpara dhe lënia mbrapa dikë, tregojnë për përsosmërinë e fuqisë së Allahut dhe për fuqinë e vullnetit të Tij, se patjetër vullneti i Tij do të zbatohet. Po ashtu tregojnë dhe përsosmërinë e Urtësisë së Tij.
Këto dy cilësi janë:
-ose universale, që ndërlidhen me krijimin dhe paracaktimin e Allahut, pra Ai disa krijesa i ka vendosur para disa të tjerave, disa i ka lënë mbrapa të tjerave, p.sh.: ka vendosur shkaqet para rezultateve e pasojave etj.
-ose fetare, që ndërlidhen me çështjet fetare, si: Allahu i ka ngritur Pejgamberët para njerëzve të tjerë, pastaj në mesin e vetë Pejgamberëve disa janë më të ngritur, po ashtu në mesin e njerëzve disa i ka ngritur më lartë sesa të tjerët. Kjo ngritje ndërlidhet me dijen, me besimin, me veprat, me moralin etj. Ndërsa, disa të tjerë në këto që përmendëm i lënë më mbrapa, kjo me urtësinë e vullnetin e Tij.
Allahu, me vullnetin e Tij, kë dëshiron e shtyn përpara, duke i dhënë sukses dhe duke hedhur mbi të mirësinë e Tij, ndërsa dikë tjetër e lë mbrapa, me drejtësinë e Tij- e Allahu askujt nuk i bën padrejtësi. Ai për të cilin Allahu ka caktuar (me mirësinë e Tij) që të jetë i ngritur, i lartësuar, para të tjerëve, t’iu paraprijë, atëherë askush nuk ka mundësi që ta privojë nga kjo, ndërsa ai për të cilin ka caktuar që të mbetet mbrapa (kjo me drejtësinë e Tij), atëherë askush nuk ka mundësi që ta ndihmojë për ta shpëtuar nga kjo gjendje. Veprimi i mëkateve është ajo që e lë njeriun mbrapa, kurse kur ia fal Allahu e ia mbulon, atëherë e ngrit, e lartëson.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.