Emrat الشَّهيد, الرَّقيب – Esh Shehid dhe err Rrakiib
Emri الشَّهيد – Esh Shehiid – Dëshmitari, është përmendur në disa vende në Kuran, prej tyre:
“وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ شَهِيدًا – Allahu mjafton për dëshmitar.” Nisa 79.
Kuptimi i emrit الشَّهيد: Ai i Cili është Dëshmitar për çdo gjë që ndodhë, të Cilit nuk i fshihet asgjë, Ai i dëgjon të gjitha zërat, që thuhen fshehtas a haptazi, Ai i sheh të gjitha gjërat që ekzistojnë, të imëta, të vogla, të mëdha, të dukshme a të padukshme, Allahu me dijen e Tij ka përfshirë çdo gjë. Ai do të jetë dëshmitar për robërit e Tij ose kundër tyre, në Ditën e Gjykimit, për atë që kanë vepruar.
Ndërsa, emri الرَّقيب – Err Rrakiib – Mbikëqyrësi, është përmendur në tre vende në Kuran:
- në suren Nisa: “إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا – vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” Ajeti 1.
- në suren Ahzab: “وَكَانَ ٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ رَّقِيبًا – Allahu është mbikëqyrës për çdo gjë.” Ajeti 52.
- në suren Maide (fjalët e Isës): “وَكُنتُ عَلَيْهِمْ شَهِيدًۭا مَّا دُمْتُ فِيهِمْ ۖ فَلَمَّا تَوَفَّيْتَنِى كُنتَ أَنتَ ٱلرَّقِيبَ عَلَيْهِمْ ۚ وَأَنتَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ شَهِيدٌ – Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë.” Ajeti 117.
Kuptimi i emrit الرَّقيب: Ai i Cili është dëshmitar, i sheh dhe i di sekretet e zemrave. Allahu është Mbikëqyrës për çdo kënd për atë që vepron. Ai i ruan krijesat e Tij përderisa është Mbikëqyrës dhe bën që i gjithë universi të funksionojë me rregullin më të bukur dhe me harmoni të përsosur. Allahu është Mbikëqyrës mbi të gjitha krijesat e Tij me Shikimin e Tij i cili ka përfshirë çdo gjë, me Dëgjimin e Tij i cili ka përfshirë çdo gjë dhe gjithashtu me dijen e Tij e cila ka përfshirë çdo gjë.
Këta dy emra kanë ndërlidhje (nga kuptimi) mes njëri-tjetrit.
Kur besimtari beson emrin الرَّقيب, atëherë ky besim patjetër do të vë në lëvizje zemrën e tij që të ketë bindjen se është nën mbikëqyrjen e Allahut, në të gjitha veprat e gjendjet e tij. Mbikëqyrja e Allahut është fryt i besimit dhe i dijes së besimtarit që ka në këtë emër, pra Ai e sheh, e dëgjon dhe është dëshmitar për atë që ai vepron në çdo moment, në çdo frymëmarrje, në çdo lëvizje.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.