Emri الغَنِيّ – El Ganijj
Emri الغَنِيّ – El Ganijj – I Vetëmjaftueshmi, është përmendur në Kuran në tetë vende, prej tyre:
- në suren Enam: “وَرَبُّكَ ٱلْغَنِىُّ ذُو ٱلرَّحْمَةِ – Zoti yt është i Vetëmjaftueshmi dhe Zotëruesi i mëshirës.” Ajeti 133.
- në suren Fatir: “يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ أَنتُمُ ٱلْفُقَرَآءُ إِلَى ٱللَّهِ ۖ وَٱللَّهُ هُوَ ٱلْغَنِىُّ ٱلْحَمِيدُ – O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë (është i Vetëmjaftueshëm) dhe është i Denjë për çdo lavd.” Ajeti 15.
Allahu është i Vetëmjaftueshëm në Qenien e Tij. Atij i takon Vetëmjaftueshmëria absolute në të gjitha aspektet, sepse Allahu është i përkryer në Veten e Tij, në Cilësitë e atributet e Tij, Atij nuk i qaset asnjë e metë apo mangësi.
Për shkak të vetëmjaftueshmërisë së Tij absolute, Allahut nuk i bën dobi adhurimi që adhuruesit e Tij ia bëjnë Atij, e as nuk e dëmtojnë mëkatet e mëkatarëve. Madje, sikur të gjithë banorët e tokës ta besonin, t’i nënshtrohen dhe ta adhuronin Allahun, kjo nuk do ta shtonte aspak sundimin dhe pushtetin e Tij. Dhe nëse të gjithë banorët ta mohonin, ta refuzonin dhe të mëkatonin, kjo nuk do ta pakësonte fare pushtetin dhe sundimin e Tij.
Kush e njeh Allahun me këtë emër dhe cilësi madhështore, patjetër do ta njohë pozitën e vet si krijesë, do të arrijë të dijë se është i varfër e nevojtar absolut për Allahun. Kur njeriu e di se është nevojtar për Allahun, në të gjitha aspektet, qoftë dhe për lëvizjen e syrit, kjo vjen si rezultat i njohjes së vetëmjaftueshmërisë së Tij. Kjo është adresa e arritjes dhe shpëtimit në të dy botët.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.