Emri الوَدود – El Weduud
Emri الوَدود – El Weduud – I Dashuri, Ai që është plotë dashuri, është përmendur në Kuran në dy ajete:
- në suren Hud: “إِنَّ رَبِّي رَحِيمٌ وَدُودٌ – Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” Ajeti 90.
- në suren Buruxh: “وَهُوَ الْغَفُورُ الْوَدُودُ – Ai është Falësi i madh, i Dashuri…” Ajeti 14.
Kuptimi i emrit الوَدود: Allahu i do Pejgamberët dhe ata që e besojnë Allahun dhe janë pasues të Pejgamberëve. Është Ai të Cilin e duan Pejgamberët dhe pasuesit e tyre. Allahu për ta është më i dashur mbi gjithçka. Zemrat e tyre janë të mbushura me dashurinë ndaj Allahut dhe në to nuk ka vend për dashurinë ndaj dikujt tjetër.
AbduRrahman ibn Sadij rahimehullah ka thënë: “الوَدود – El Weduud është Ai i Cili është bërë i dashur tek krijesat e Tij, përmes cilësive të Tij, përmes dhuntive të Tij të gjëra që ua ka dhënë atyre, përmes mirësive të fshehta që ua dërgon vazhdimisht dhe përmes të mirave të dukshme e të padukshme. Ai është Weduud në kuptimin se Ai i do robërit e Tij, të mirë e të devotshëm, por edhe në kuptimin se edhe ata e duan Atë. Ai i do miqtë e Tij, të dashurit e Tij, robërit e Tij të përzgjedhur, dhe ata e duan Atë. Allahu është Ai i Cili i ka dashur ata dhe në zemrat e tyre ka hedhur dashurinë ndaj Tij, e pastaj kur ata e kanë dashur Atë, Ai i ka dashur ata me një dashuri tjetër shtesë si shpërblim për dashurinë e tyre.”
Kur njeriu e di se Zoti i Tij është Weduud, i Cili e do dhe ai e do Atë, po ashtu që i do të dashurit e Tij, miqtë e Tij, ata që i binden dhe e adhurojnë Atë, besimtarët dhe të devotshmit, durimtarët dhe ata që i mbështeten Atij, ata që i kthehen me pendim Atij, të sinqertët e bamirësit, e në anën tjetër kur e di se Allahu nuk i do keqbërësit, ata që bëjnë padrejtësi, mohuesit, jobesimtarët, tradhtarët, ata që e teprojnë në mëkate, arrogantët e mendjemëdhenjtë, atëherë kjo e detyron dhe e shtyn të kuptojë se e ka për obligim që t’iu bindet urdhrave të Allahut, i Cili është Weduud, të veprojë vepra me të cilat është i kënaqur, t’i afrohet Atij duke zbatuar urdhrat e Tij, duke u larguar nga ndalesat e Tij, duke i dashur veprat dhe fjalët që i do Ai, duke e dashur vetë Fjalën e Tij- Kuranin dhe të Dërguarin e Tij- Muhamedin dalAllahu alejhi ue selem, si dhe të përpiqet shumë që ta pasojë këtë të Dërguar, sepse kështu arrihet dashuria e Allahut, “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!” Ali Imran 31. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur:
“اللَّهُمَّ إِنَّي أَسْأَلُكَ حُبَّكٌ وَحُبَّ مَنْ يُحِبُّكَ، وَحُبّ كُلُّ عَمَلٍ يُقَرَّبُنِي إِلَى حُبَّكَ – O Allah! Kërkoj nga Ti dashurinë Tënde, dashurinë e atij që të do Ty dhe dashurinë ndaj veprave që më afrojnë te dashuria Jote!”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.